8 VITE NË OPOZITË, 4 NË PUSHTET! / Historiku i LSDM-së që nga 1991-shi

    Zoran Zaev duke bërë selfie në Zhelinë / Fotografia: Emir Hamzi

    Në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2020, LSDM kishte udhëhequr koalicionin “Mundemi”, i cili përfshinte edhe Lëvizjen BESA, partia e parë shqiptarë që po garonte në një listë të udhëhequr nga parti maqedonase

    Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë deklarohet si një parti në të majtë të qendrës, me një proviniencë ideologjike social-demokratike. Ajo u themelua në Kongres në 21 prill 1991 si pasardhësi ligjor i Lidhjes së Komunistëve të Maqedonisë – Partia për Transformim Demokratik (SKMPDP). Në të njëjtin vit, partia ndryshoi emrin e saj në LSDM dhe ideologjinë nga komuniste në socialdemokrate. Ajo ka marrë pjesë në të gjitha zgjedhjet parlamentare dhe lokale që nga pavarësia. Në vitin 1992, pas shpërbërjes së Qeverisë së parë të ekspertëve, LSDM-ja, megjithëse nuk kishte shumicë në Parlament, formoi Qeverinë e parë politike të Republikës së Maqedonisë.

    Në periudhën nga 1994 deri në 1998, partia kishte gjithashtu shumicë në Parlament kur, së bashku me partnerët e saj të koalicionit në zgjedhjet e 1994, të cilat u bojkotuan nga opozita në rrethin e dytë, ajo fitoi 85 vende, shkruan gazeta Koha.

    Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1998, LSDM humbi pushtetin, duke fituar vetëm 27 vende. LSDM ishte partia më e madhe opozitare deri në 2002, kur fitoi rizgjedhjen me 60 vende së bashku me partnerët e saj të koalicionit dhe mbeti në pushtet deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vitin 2006.

    Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2006, koalicioni LSDM fitoi 32 vende. Nga atëherë deri në vitin 2016, LSDM kishte mbetur në opozitë, pasi humbi edhe katër cikle zgjedhore, në vitin 2008, 2011, 2014 dhe 2016. Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në 2008, së bashku me koalicionin, LSDM fitoi 27 vende, dhe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në 2011, LSDM dhe koalicioni fituan 42 vende.

    Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, LSDM fitoi 27 vende, dhe koalicioni fitoi gjithsej 34 vende. Në zgjedhjet e fundit parlamentare në vitin 2016, LSDM dhe koalicioni fituan gjithsej 49 vende, që është dy më pak se VMRO-DPMNE, por arritën të formojnë shumicë parlamentare së bashku me BDI-në e Ali Ahmetit.

    Branko Crvenkovski ka qenë kryetari i partisë që nga pavarësia e Maqedonisë dhe shndërrimi nga SKM-PDP në LSDM në 1991 deri në 2004. Ai u tërhoq për shkak të fitores në zgjedhjet e parakohshme presidenciale të vitit 2004 dhe bëhet President.

    Vllado Buçkovski u zgjodh kryetar në Kongresin e jashtëzakonshëm të LSDM-së në nëntor 2004, duke udhëhequr partinë deri në humbjen në zgjedhjet e 2006-ës. Si kryetare e LSDM-së, Radmila Sheqerinska mbeti në detyrë deri në qershor 2008, kur ajo dha dorëheqjen për shkak të humbjes në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, raporton KOHA.

    Në shtator 2008, në Kongresin e 8-të të partisë, Zoran Zaevi u zgjodh kryetar i partisë. Në vitin 2009, pas skadimit të mandatit presidencial, Branko Crvenkovski u kthye në udhëheqjen e LSDM-së. Ai ishte kryetari i partisë deri në vitin 2013, kur dha dorëheqjen dhe sërish Zoran Zaevi u rizgjodh në vendin e tij.

    Tani, partinë e udhëheq ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski, pasi Zaevi dha dorëheqje si nga posti i kryeministrit, ashtu edhe nga posti kryetar i partisë. Në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2020, LSDM kishte udhëhequr koalicionin “Mundemi”, i cili përfshinte edhe Lëvizjen BESA, partia e parë shqiptarë që po garonte në një listë të udhëhequr nga parti maqedonase.

    Lajmi Paraprak

    Shumë vëzhgues të huaj për zgjedhjet

    Lajmi i rradhës

    Mjekët specializantë: shteti po na detyron ta braktisim vendin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë