Tetova nuk është aspak e përshtatshme për personat me nevoja të posaçme

    Foto arkiv*

    Qyteti i Tetovës nuk është aspak i përshtatshëm për personat me nevoja të veçanta, e sidomos, ata persona që lëvizin me karrocë. Vërejtjet kryesore të personave me nevoja të veçanta janë tek rrugët, por aspak më të mira, sipas tyre, nuk janë as qasjen në institucione, madje edhe në spitalin e Tetovës.

    “Kudo që të nisëm me karrocën e kam problem të hyj, sidomos në spital. As në shitore s’mund të shkoj të blej gjëra për shpi, gjithë e kemi këtë problem. Në rrugë po ashtu, krejt trotuarët janë zënë. Një ditë dola në Tetovë mbeta s`dija ka të dal, më duhej të më ndihmoj dikush për të lëvizur”, tha Habibe Dauti.

    “Qyteti jonë me keqardhje e them është i palëvizshëm për personat me karroca. Detyrohemi të ecim ku lëvizin makinat, pra në rrezik. Assesi s’mund të mbërrijmë në kadastër, jo me karrocë por edhe pa të s’mundesh. Duhet të gjejmë ndonjë të familjes të shkoj për ne, pastaj duhet ti bëjmë autorizim në noter që të kryejmë punë”, deklaroi Mamut Izairi, aktivist i të drejtave të personave me nevoja të posaçme.

    Pavarësisht premtimeve për përshtatjen e rrugëve, kreu i Komunës së Tetovës Bilall Kasami tha se intervenimet nuk janë bërë për shkak të kostos së lartë të projektit.

    “Ajo që ishte në projektimet tona ishte që shumicës së këtyre shoqatave t`iu krijojmë hapësirë ku të vendosen. Komuna ka lokale në qendrën tregtare Saranda që janë uzurpuar dhe jemi në procedurë gjyqësore që të lirohen dhe këto zyra të iu jepen këtyre personave. Po ashtu kemi pasur projekt me donacion me ambasadën e Zvicrës që disa institucione publike ti bëjmë të qasshme për personat me nevoja të veçanta, por natyra e projektit doli që kërkoheshin investime në objekte dhe në fund u ndërrua nga ky projekt tek ai i ndërtimit të qendrës ditore. Ne nuk ndalemi këtu ne do vazhdojmë të gjejmë donator të jashtëm dhe nëse nuk gjejmë atëherë me buxhet komune të mundohemi të krijojmë mundësi për personat me nevoja të veçanta”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.

    Personat me nevoja të posaçme, hallin më të madh e kanë për kryerje të punëve në Kadastrën e Tetovës, e cila ndodhet në objektin e Kompleksit në Tetovë, në katin e dytë, qasja e vetme deri tek i cili institucion janë vetëm shkallët. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Opozita shqiptare përpiqet të sigurojë një anëtar në KShZ

    Lajmi i rradhës

    Kasami: Arjanit Hoxha është dorë e zgjatur e BDI-së

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë