AAA: si mund të ketë perspektivë për rininë, kur lirohen prej akuzave politikanët që krijuan kaos

    Komunikata e plotë e Alternativës për Nistorin:

    Meqenëse lëvizja e lirë e njerëzve është një fenomen demokratik, gjithmonë do kemi njerëz që do të zhvendosen nëpër vende të ndryshme të botës për arsye personale, por kur migrimi perceptohet si e vetmja shpresë dhe rrugëdalje për shumicën e popullatës, atëherë kemi të bëjmë me një dukuri të frikshme me përmasa eksodi, që duhet analizuar thellë dhe duhet reaguar shpejtë.

    Sot flitet për shumë rreziqe që i kanosen shoqërisë sonë, duke nisur prej asaj ekonomike, shëndetësore, arsimore etj. por duhet kuptuar se të gjitha këta janë vetëm shkaqe që kanë një pasojë të përbashkët – ajo është ikja masive e të rinjve si rezultat i humbjes së shpresës se këtu mund të bëhet më mirë. Nga të dhënat e fundit të regjistrimit të popullsisë, shihet se në 20 vitet e fundit nga shteti kanë ikur mbi 13% e popullatës; përqindja e mortalitetit është më e madhe se e natalitetit; janë boshatisur gjithsej 207 vendbanime; dhe nga 80 komuna, 65 prej tyre kanë shtim natyror negativ. Edhe përskaj këtyre shifrave tmerruese, akoma nuk shohim politika adekuate dhe afatgjate për stagnimin e tyre.

    Kështu, jemi dëshmitarë se çdo ditë e më shumë të rinjtë e Maqedonisë së Veriut po e braktisin vendin e tyre, duke kërkuar perspektivë jashtë vendit. Është për të ardhur keq kur i sheh kolona të rinjsh, sepse familjet e tyre kanë investuar në shkollimin, edukimin dhe mirëmbajtjen e tyre, që përfundimisht institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut në vend t’i punësojnë, por ata nuk i përfillin fare dhe i trajtojnë sikur të jenë armiq ose, edhe më keq, sikur të jen të padukshëm e nuk ekzistojnë fare! Për të rinjtë dhe të rejat shqiptare pozicione të caktuara, si ato në Agjencinë për Komunikime Elektronike ose në Aviacion, janë ëndrra të paarritshme, sepse këto vende ruhen për fëmijët e politikanëve të korruptuar të pushtetit.

    Jorastësisht, sipas anketës së fundit të “Gallup International”, 42% e qytetarëve (pjesa dërmuese e të cilëve ishin të rinj me arsim të lartë) nëse do kishin qenë të pajisur me dokumente të nevojshme, patjetër do të ishin larguar nga vendi i tyre.

    Është ironi e vërtetë, sepse në kohën kur ministri i punëve të jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, nuk ka asnjë strategji për rikthimin e të rinjve në vend, ose ai i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi që mburret me mbylljen e marketeve, ndërsa nuk ofron asnjë opsion për përmirësimin e kushteve dhe ngritjen e standardit jetësor, të rinjtë dhe të rejat tona, që kanë braktisur vendin e tyre, i shohim çdo ditë duke u avancuar nëpër qendrat klinike në Gjermani dhe kudo në botë. Është e turpshme që partitë politike shqiptare në pushtet deri tash nuk kanë përpiluar asnjë strategji dhe plan me hapa konkretë për përmirësimin e jetesës së qytetarëve dhe mbajtjes së të rinjve në vend.

    E si mund të shohin perspektivë në këtë vend ata të rinj kur i shohin ndryshimet e Kodit Penal, kur mundësohet lirimi prej akuzave për ata politikanë që e krijuan këtë kaos, duke plaçkitur nga perspektiva e tyre dhe duke e vazhduar avazin e njëjtë?!

    Alternativa është parti politike shqiptare e cila ka plan dhe vizion konkret për krijimin e kushteve dhe mbajtjen e të rinjve në vend, duke krijuar masa të reja për punësimin e të rinjve, në mënyrë që ata ardhmërinë ta shohin në vend dhe jo jashtë. Arsimi cilësor, hapja e vendeve të reja të punës me paga më të larta, punësimet në bazë të meritokracisë, klima e përgjithshme e funksionimit të shtetit, rritja e besimit në institucionet shtetërore dhe lufta kundër korrupsionit janë motiv shtesë për moslargimin e tyre nga vendi. Në të vërtetë, duke qenë në pushtet, përmes Ministrisë së Diasporës krijuam plan për informimin e drejtë të diasporës që të rinjtë të kthehen dhe të investojnë në vendin e tyre, duke u krijuar një klimë të favorshme dhe siguri për veprimin e tyre. Këtë e dëshmuam në të kaluarën dhe do ta dëshmojmë edhe në të ardhmen – se në vazhdimësi punojmë për kthimin e perspektivës për të rinjtë dhe të rejat tona. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Makth nga çimkat – Insekte të dëmshme shumë rezistente

    Lajmi i rradhës

    Tregu i pasurive të patundshme nën presion nga homeoffice

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë