Administrata në RMV plus 10 për qind rritje

    Të martën edhe zyrtarisht është rritur paga e të punësuarve në administratë me nënshkrimin e marrëveshjes midis ministres së Punës, Jovana Trençevska dhe kryetarit të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafilov. Sipas Kontratës së Përgjithshme Kolektive, nga shtatori 130 mijë të punësuar në sektorin publik do të kenë rritje të pagave prej 10 për qind, pagesë për pushimin vjetor deri në fund të vitit në vlerë prej 10 mijë denarë. Mjetet prej afër 50 milionë euro për rritjen e pagave prej shtatorit deri në dhjetor do të sigurohen me rishikimin e buxhetit në shtator.

    Njëherësh parashikohet që pagesa e K-15 nga viti 2024 të jetë së paku 30 për qind e pagës mesatare. Gjithashtu metodologjia e re për llogaritjen e pagës nga marsi 2025 parashikon që koeficienti i kompleksitetit do të shumëzohet me shumën e pagës mesatare në vend. Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska, thotë se është e kënaqur që së bashku me sindikatat, punëdhënësit dhe Qeveria, apo anëtarët e Këshillit Ekonomiko-Social, miratuan një zgjidhje sistematike dhe të qëndrueshme për rritjen e pagave për punëtorët në sektorin publik. Sipas saj, ky është një hap i rëndësishëm në drejtim të avancimit të të drejtave të punës dhe konfirmim se dialogu social është veçanërisht i rëndësishëm për këtë Qeveri.

    Kurse kryetari i Sindikatës së Maqedonisë, Sllobodan Trendafilov, është i kënaqur me marrëveshjen. Sipas tij, vetëm për një vit pagat e punëtorëve do të rriten për 20 deri në 35 për qind. “Të gjithë të punësuarit në sektorin publik do ta dinë mënyrën se si do të harmonizohen dhe rriten pagat e tyre në periudhën e ardhshme. Në vitin e ardhshëm do të marrim më shumë se tre për qind nëse rritet inflacioni”, thekson Trendafilov.

    Nga Ministria e Financave thonë se kjo është një zgjidhje e qëndrueshme dhe do të zbatohet sipas projeksioneve makroekonomike që kanë planifikuar për vitin 2023 me rebalancin 2024, 2025 dhe kornizën pesëvjeçare për strategjinë fiskale sipas ligjit të ri për buxhete, ndërsa mjetet do të sigurohen nga rishikimi i buxhetit në shtator. “Ne planifikojmë ta bëjmë këtë në një mënyrë që nuk do të ndikojë në rritjen e deficitit buxhetor, që do të thotë se nuk do të jetë një barrë e re për taksapaguesit, pra asnjë huamarrje e re për këtë, apo barrë për tatimpaguesit qytetarët apo ekonominë. Kjo është arsyeja pse ne folëm gjatë gjithë kohës për një zgjidhje të qëndrueshme sistematike. Prandaj po shkojmë me një tranzicion dhe këtu më duhet të them se përfaqësuesit e sindikatave treguan vërtet një shkallë të madhe përgjegjësie, përgjegjësi civile jo vetëm për të drejtat e punonjësve ndaj të cilave ata ishin konsekuent dhe i arritëm të gjitha. Pra në vitin 2023 rritje, në vitin 2024 mekanizma mbrojtës dhe rritje, dhe në vitin 2025 e njëjta zgjidhje sistemore për pagën mesatare bruto”, thotë ministri i financave, Fatmir Besimi.

    Mirëpo jo të gjitha sindikatat janë shprehur të kënaqur me marrëveshjen e arritur me qeverinë. Atë nuk e kanë nënshkruar përfaqësuesit e Konfederatës së Sindikatave të Lira. Ato nuk e pranojnë paragrafin 2 nga neni 14 nga marrëveshja kolektive, e cila parashikon që nëse indeksi i harxhimeve për jetë në gjashtë muajt e parë në vitin 2024 tejkalojnë 3 për qind, paga bruto e të punësuarve në sektorin publik rritet me përqindje, si dallim mes rritjes së indeksit të harxhimeve për jetë, me atë të harmonizuar prej 3 për qind.

    Nga ana tjetër parashikohet inflacion prej 2.5 për qind. Apo thënë ndryshe nëse ka inflacion prej katër për qind , harmonizimi i pagave do të jetë një për qind. Kryetari saj Bllagoja Rallpovski thotë se kërkojnë që siç ata respektojnë ligjin e tyre për personat e emëruar së bashku me rritjen prej 10 për qind, vitin e ardhshëm do t’i harmonizojnë pagat me 15-16 për qind. “Gjithashtu kërkojmë që në përputhje me ligjin për pagën minimale dhe rritjen e pagës minimale, të kemi atë mundësi ligjore edhe ne të harmonizojmë pagat tona në vitin 2024, dhe atë jo me marrëveshje kolektive të përgjithshme të anulojnë të gjitha kontratat kolektive, individuale dhe Ligji për pagën minimale”, tha ai.

    Reagime për rritjen dhe harmonizimin e pagave ka pasur edhe prej mjekëve specialist. Mjeku Niko Beqarovski thotë se në rast se Oda e Mjekësisë nuk del me një qëndrim të qartë në lidhje me tradhtinë e përsëritur nga Sindikatat e Shëndetësisë (hera e dytë brenda katër muajve) ndaj mjekëve të shëndetit publik, është koha menjëherë për sindikatën e pavarur të mjekëve!!! Të ketë dikush që do të mbrojë interesat e mjekut. Sipas tij, Në SHBA, paga mesatare vjetore e gjyqtarëve është 248.000 dollarë, e mjekëve 298.000 dollarë në Maqedoni paga mesatare e gjyqtarëve është 2.5 mesatare e mjekut!!!

    Pas rritjes së pagave të funksionarëve të emëruar dhe zgjedhur, ai ka kërkuar që edhe rrogat e mjekëve të bëhen si ato të zyrtarëve. Ai ju sugjeron autoriteteve që të miratojnë modelin amerikan të pagesës edhe në shëndetësinë maqedonase. Sipas këtij modeli, shpjegon Beqarovski, pagat bruto të kongresmenëve dhe senatorëve amerikanë janë 174 mijë dollarë në vit. Paga mesatare bruto e paguar për specialistët mjekësorë në Shtetet e Bashkuara është 234,000 dollarë në vit për specialistët e shëndetit publik, dhe deri në 554.000 dollarë për kirurgët plastikë.

    Ndryshe, nga Lidhja e Sindikatave kërkojnë që edhe një herë që ministrat, por edhe të gjithë të funksionarët e zgjedhur dhe të emëruarit, të solidarizohen me punonjësit dhe të heqin dorë nga rritja prej 78 për qind, të cilën e kanë marrë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Për më tepër nga LSM kërkojnë që edhe ato që kanë marrë në përqindje të rritjes së pagës me vendim të Kushtetutën duhet ta marrin në mars të vitit 2025 kur edhe punëtorë do të kenë rritje të pagës mesatare sipas përqindjes së kompleksitetit apo ndërlikueshmërisë. Përllogaritjet e sindikatave tregojnë se nëse zyrtarët nesër heqin dorë nga pagat e rritura për 78 për qind, çdo punonjës në sektorin publik do të merrte 1500 neto në llogarinë e tij, nëse ato para kalojnë në pagat e punonjësve në sektorin publik. Gjithashtu përfaqësuesit e qeverisë theksojnë se qëllimi është krijimi i një sistemi unik dhe thjeshtimi që do të nënkuptojë zgjidhje që do të mbrojnë standardin e qytetarëve dhe do të ndjek produktivitetin e ekonomisë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Qendra rinore kemi, por jo mjaftueshëm  

    Lajmi i rradhës

    Freskohuni për një minutë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë