Ahmeti: Të hetohet Merko, sa më parë të zbardhet e vërteta

    Kryetari i Bashkimit Demokratik, Ali Ahmeti, ka marrë pjesë sot në zgjedhjet brenda partiake që po zhvillohen edhe në Kërçovë. Në një deklaratë ekskluzive për TV21, Ahmeti është përgjigjur për herë të parë për rastin Merko, ku ai së bashku megjithë familjen e tij është shpallur non grata nga SHBA-të. Ahmeti tha se Ramiz Merko duhet të hetohet dhe se vetë ai nuk e kundërshton një gjë të tillë, sepse sipas Ahmetit, Merkoja e ka votuar një gjë të tillë në Këshillin e Përgjithshëm dhe në Kryesin e BDI-së. Ahmeti bëri apel që të hapet hetim për të gjithë veprimtarinë e BDI-së, për të gjithë funksionarët, duke filluar nga ai.

    “Zoti Merko duhet të hetohet dhe absolutisht zoti Merko nuk e kundërshton një veprim të tillë, sepse vetë ai është votuar në Këshillin e Përgjithshëm dhe në Kryesin e BDI-së, që të hapet hetim, për tërë veprimtarinë e Bashkimit Demokratik për Integrim, që nga viti 2002 deri tani në momentin që po flasim. Ne nuk mund të bëhemi edhe parti, edhe prokurorë, edhe hetues dhe t’i japim përgjigje çdo shpifje, apo të punojmë në drejtim të zbulimit të vërtetës, kjo i takon organeve të drejtësisë. I qëndrojmë fortë këtij mendimi që të hapet hetim për të gjithë veprimtarinë e BDI-së, për të gjithë funksionarët, duke filluar nga unë. Zoti Merko nuk i shmanget përballjes me hetimin dhe ne kërkojmë që sa më parë të zbardhet e tërë e vërteta.”- tha Ahmeti për TV21.

    Ahmeti flet për Grupin e Zjarrit për zgjedhjet e sotme brenda partiake

    I pyetur nëse mund të ketë eksese nga Grupi i zjarrit apo brenda partisë, ai u përgjigj se nuk ka asnjë arsye, sepse gara është e hapur dhe gjithsecili ka mundur të kandidojë në këto zgjedhje.

    “Jo nuk ka asnjë arsye, gara është e hapur, gjithsecili ka mundur të kandidojë, regjistrimet kanë qenë edhe me fletanëtarësie edhe online, s’ka pasur asnjë pengesë, për të ngritur ndonjë dilemë apo gjëra të tilla. Sot voton anëtarësia  e Bashkimit Demokratik për Integrim. Të gjithë e kanë pasur të drejtën e kandidimit.”- tha Ali Ahmeti.

    Ali Ahmeti: Drinin le ta hetojnë organet e drejtësisë

    Për rastin e nipit të tij, Drin Ahmeti, për blerjen e Qendrës Tregtare Soravia, Ahmeti u përgjigj se Drini nuk mund t’i shmanget hetimit. Ai siguroi se për këtë nuk do të ketë asnjë amnisti apo strehim nga ana e tij apo e BDI-së.

    “As Drini nuk mund t’i shmanget hetimit, zbardhjes së vërtetës, për këtë nuk do të ketë asnjë pengesë dhe nuk ka asnjë amnisti apo strehim nga ana ime. Gjithçka çfarë i intereson organeve të shtetit lirshëm të kryhen hetime dhe të zbardhet e vërteta.”- tha Ahmeti. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    BE: Djegia e Kuranit apo çdo libri tjetër të shenjtë është ‘akt i qartë provokimi’

    Lajmi i rradhës

    Ahmeti: Nuk ka amnisti as për Drin Ahmetin, të hetohet edhe ai

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë