Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, katër ditë pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve lokale, sot pas mbledhjes së kryesisë së partisë bëri paraqitjen e parë publike. Ai tha se koalicionit AKI është fituese e zgjedhjeve lokale, duke iu referuar votat për këshilltarë, ndërsa theksoi se nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga politika, shkruan Nistori.
“Për çdo ditë merren se kanë fituar zgjedhjet. Jo vetëm këta zgjedhje, por edhe ata që i kemi lënë pas, janë humbës të mëdhenj. Pa hyrë në kalkulime tjera se sa do përktheheshin në mandate këto zgjedhje, sepse orientimi jonë është që ky vend duhet të ketë zgjedhje të parakohshme dhe jo me shumë vonesë”, tha Ali Ahmeti.
I pyetur nëse do të tërhiqet, Ahmeti tha se “askush që ka humbur nuk është tërhequr në 25 vitet e kaluara”.
“Përse tërhiqem more vëlla? Ju a keni veshë apo s’keni. Kush ka fituar? Humbësi duhet të tërhiqe, jo fituesi. A i doni Dokumentet, shkoni në KQZ, verifikoni dhe nëse verifikohet për 25 vite një humbje të Ali Ahmetit, atëherë hajdeni flasim. Asnjë s’është tërheqë që ka humbur për 25 vite. Çerekshekulli ka fituar, jo këto tre cikle. Urdhëroni qe ku janë të shkruara e bardha midis zezës”, tha Ali Ahmeti.
Ndaj deklaratave të tij, reaguan edhe nga VLEN, prej ku thonë se për 20 vite, politika e Ahmetit është ndërtuar mbi pushtet.
“Pas pesë ditësh, Ali Ahmetit më në fund ia treguan përgjigjen e “referendumit”. Dhe ja, doli e tha se paskan fituar në zgjedhjet komunale. Kjo është absurde. Fitoret e VLEN-it në Çair, Saraj, Haraçinë, Zhelinë, Tearcë dhe epërsia bindëse në Tetovë, Bogovinë, Dibër, Strugë, Bërvenicë e Dollnen janë shumë më të mëdha se “fitorja” në Pllasnicë dhe Likovë”.
“Ne menduam se Ali Ahmeti dhe BDI janë vetëdijësuar nga përgjigja e “referendumit”, mirëpo ata vazhdojnë zgjedhjet lokale t’i përjetojnë si parlamentare, sepse për ta postet ministrore janë vegla e vetme për të mbijetuar në politikë. Për 20 vjet, politika e Ali Ahmetit është ndërtuar mbi dy shtylla: pushtet dhe… pushtet”, thonë nga VLEN.
Ndërsa sa i përket kërkesës së Ahmetit për zgjedhje të parakohshme, nga VLEN e pyesin se “a frikësohet prej votës së shqiptarëve”.
“Sa për “vetingun” që kërkon sot, atë ia ka bërë hija e tij Artan non grata Grubi, për të cilin vazhdon të thotë se është “i pastër si loti”. Prandaj, para se të kërkojë zgjedhje të parakohshme, Ali Ahmeti le ta pyesë veten: A do të mund të përballet me votën e lirë të shqiptarëve që nuk i frikësohen më? Sepse koha e Gazimestanit ka mbaruar. VLEN është e sotmja. BDI është e djeshmja”, thonë nga VLEN.
Ndryshe, në zgjedhjet e 19 tetorit, pa balotazh VLEN fitoi në 5 komuna, ndërsa AKI në 3./Nistori/






