Akuza ndërmjet pushtetit dhe opozitës për dështimin e samitit të BE-së

    Kryeministri Dimitar Kovaçevski bëri thirrje që të shfrytëzohet periudha deri në mbajtjen e zgjedhjeve në vend, si dhe ato evropiane në pranverë, për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

    Këshilli Evropian konfirmoi se ndryshimi i Kushtetutës është e vetmja arsye pse nuk është caktuar Konferenca e Dytë Ndërqeveritare me Maqedoninë, e cila praktikisht nuk i hap kapitujt e negociatave.

    Kovaçevski nga Brukseli e drejtoi gishtin nga opozita, duke shtuar se kushdo që thotë se është i mundur ndryshimi i kornizës së negociatave, gënjen opinionin.

    “Kemi mundur të dalim fitimtarë, të themi së bashku me zë të lartë dhe qartë se po vazhdojmë me hapjen e kapitujve të të gjitha kapitujve të negociatave me BE-në dhe se po vazhdojmë rrugën tonë të integrimit evropian. Por u konfirmua se të vetmit frenues të shtetit janë koalicioni anti-BE, anti-NATO dhe pro-rus i VMRO-DPMNE-së dhe të Majtës”, tha Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

    Nga ana tjetër opozita fajësoi pushtetin.

    “Pikërisht konferenca që kishim për temën e krimit dhe korrupsionit është tregues i mjaftueshëm se kush është fajtori i vetëm dhe akuzat e tilla që po vijnë janë vetëm arsye për të mbuluar disfatën që ka pësuar Maqedonia, ndërsa LSDM-ja dhe BDI-ja janë drejtpërdrejt fajtorë për këtë”, u shpreh Marija Miteva – zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së.

    Ndryshe, në propozim-konkluzionet për vendin, përveç çështjes së ndryshimeve kushtetuese, BE-ja kërkon që të zbatohen reforma në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe administratës publike, por edhe që marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë të respektohen.

    Në të njëjtën kohë, është i mirëpritur përparimi në kriteret ekonomike dhe harmonizimi i plotë i politikës së jashtme të Maqedonisë me atë të Unionit.

    Ndërkohë, Brukseli rithekson se angazhimi për zgjerimin e Unionit me vendet e Ballkanit Perëndimor mbetet i fortë. Në Samitin e djeshëm, liderët e Unionit përsëritën se për shkak të kontekstit gjeopolitik dhe agresionit rus në Ukrainë, zgjerimi është një çështje strategjike dhe e sigurisë.

    Ata u prezantuan liderëve të rajonit në detaje edhe planin e rritjes së Ballkanit Perëndimor, me peshë gjashtë miliardë euro, që do të mundësonte një integrim të përshpejtuar. Brukseli përsëriti se pavarësisht situatës specifike në të cilën ndodhet Evropa, zgjerimi është një proces i bazuar në merita. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    ”LLASKARCA” / Kërkohen dënime maksimale për gjashtë të akuzuarit e “Durmo Tours”, pronari akuzon vozitësin

    Lajmi i rradhës

    Shkupi, kryeqendra europiane e kulturës për vitin 2028

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë