Rusia sulmon termocentralin më të madh bërthamor në Europë, ShBA aktivizon ekipin e reagimit bërthamor

    Në orët e para të 4 marsit, zyrtarët në Ukrainë kanë raportuar se forcat ruse kanë bombarduar një termocentral bërthamor në Zaporizhzhia të Ukrainës. Ky është termocentrali bërthamor më i madhi në Evropë.

    Duke konfirmuar zjarrin, ministri i jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha në Twitter se ushtria ruse “po qëllon nga të gjitha anët” në kompleksin e këtij termocentrali bërthamore.

    Ai paralajmëroi se një katastrofë atje mund të ishte më e keqe se ajo e Çernobilit që ndodhi në vitin 1986.

    Kuleba bëri thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të sulmit rus për t’iu lënë zjarrfikëseve hapësirë për të shuar zjarrin.

    Pas raportimeve për zjarr në këtë termocentral bërthamor, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike tha se është në kontakt me autoritetet ukrainase.

    Kjo agjenci ka shkruar në një postim në Twitter se “është në dijeni të raportimeve për granatimet në termocentralin bërthamor Zaporizhzhia” dhe se ishte në kontakt me autoritetet ukrainase për situatën.

    Pas publikimit të lajmit, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, po ashtu ka telefonuar presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

    Shtëpia e Bardhë ka thënë se është duke monitoruar situatën pas shpërthimit të zjarrit në këtë termocentral bërthamor.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka paralajmëruar të premten në Bruksel – para takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s – se ndonëse aleanca nuk “synon konflikt” është “e gatshme” për të dhe do të mbrojë territoret e vendeve anëtare, teksa Rusia vazhdon të sulmojë Ukrainën.

    Deklaratat e tij kanë ardhur pasi aleatët e NATO-s kanë thënë se janë të bashkuar kundër agresionit rus, mirëpo nuk kanë gatishmëri për të mbyllur hapësirën ajrore mbi Ukrainë.

    Zyrtarët ukrainas kanë kërkuar këtë mbyllje, në mënyrë që të shmangin sulmet ajrore të Rusisë.

    Gjuha diplomatike dhe sanksionet financiare të Perëndimit janë ashpërsuar teksa rritet numri i viktimave civile dhe refugjatëve nga pushtimi që ka mbushur një javë.

    “Aleanca jonë është mbrojtëse. Ne nuk duam konflikt”, ka thënë Blinken.

    “Mirëpo nëse konflikti vjen te ne, ne jemi të gatshëm për të dhe do të mbrojmë secilin inç të territorit të NATO-s”.

    Pak para nisjes së takimit, Blinken dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, kanë përmendur edhe sulmet në një central bërthamor të Ukrainës, në Zaporizhzhya, të cilat presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka konsideruar “terrorizëm bërthamor” të presidentit rus, Vladimir Putinit.

    Zyrtarë bërthamorë kanë thënë se nuk kanë vërejtur rritje të rrezatimit.

    Stoltenberg ka dënuar sulmet ndaj civilëve dhe ka thënë se sulmi ndaj centralit bërthamor tregon “sa e pamatur është kjo luftë, për rëndësinë e përfundimit të saj dhe rëndësinë që Rusia të tërheqë trupat dhe të angazhohet me qëllim të mirë në përpjekjet diplomatike”.

    Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

    Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Putin, ka thënë të enjten, 3 mars, se “operacioni special ushtarak” në Ukrainë është duke shkuar sipas planit dhe i ka konsideruar ushtarët rusë si heronj.

    Komentet televizive të Putinit kanë qenë në kundërshtim me deklaratat e qeverive të Perëndimit dhe agjencive të inteligjencës se fushata ushtarake e Putinit po përballet me probleme logjistike, gabime taktike dhe rezistencë më të madhe sesa është pritur nga Ukraina.​

    Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

    Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

    SHBA aktivizon ekipin e reagimit bërthamor

    Sekretarja amerikane e Energjisë, Jennifer Granholm, ka shkruar në Twitter se ka folur me ministrin e energjisë të Ukrainës pas raportimit për shpërthim zjarri në termocentralin Zaporizhzhia. Granholm ka njoftuar se ka vendosur të aktivizojë Ekipin Amerikan të Reagimit ndaj Incidenteve Bërthamore.

    “Operacionet ushtarake ruse pranë uzinës janë të pamatura dhe duhet të pushojnë,” tha Granholm, e cili mbikëqyr arsenalin bërthamor të SHBA-së.

    “Reaktorët e termocentralit mbrohen nga struktura të forta kontrolli dhe reaktorët po mbyllen në mënyrë të sigurt”, ka shkruar ajo.

    Autoritetet ukrainase raportuan në orët e para të mëngjesit të së premtes së 4 marsit, një sulm të forcave ruse ndaj centralit bërthamor të Zaporizhzhia të Ukrainës.

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bëri thirrje për ndihmë urgjente bashkësisë evropiane.

    “Evropianë, zgjohuni të lutem. U thoni politikanëve tuaj se forcat ruse po qëllojnë në centralin bërthamor në Ukrainë”, tha ai.

    Përkundër zjarrit, u raportua se nuk është evidentuar ndonjë rrite e nivelit të radioaktivitetit. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Deputetët rusë miratojnë ligjin kundër “lajmeve të rreme” ndaj ushtrisë

    Lajmi i rradhës

    Konjufca: Sa e rëndësishme është që RMV-ja është nën ombrellën e sigurisë së NATOS-s

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë