Konjufca: Sa e rëndësishme është që RMV-ja është nën ombrellën e sigurisë së NATOS-s

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur në takim kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

    Pas takimit, që të dy kryeparlamentarët kanë realizuar paraqitje para mediave.

    Konjufca këtë vizitë të Xhaferi e vlerëson si aktivitet të shtuar të Maqedonisë së veriut për thellimin e bashkëpunimit mes të dyja vendeve.

    “Seanca e përbashkët qeveritare, vizita e presidentit Pendarovski tregon për një aktivitet të shtuar dhe thellim të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”, tha Konjufca.

    Më tej foli edhe për situatën e krijuar pas luftës në Ukrainë. Bëri të ditur se që të dy vendet kanë qasje të njëjtë ndaj të njëjtës, pasi njëkohësisht miratuan Rezoluta në Kuvend me të cilat dënojnë agresionin rus.

    Por Konjufca u ndal edhe te skeptikët. Tha se sot të gjithë ata e shohin se sa e rëndësishme është që Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria të jenë pjesë e NATO-s.

    Në NATO, ombrellën e sigurisë siç e quajti Konjufca, tha përfundimisht e ka vendin edhe Kosova.

    “Bashkëpunimi jonë me Republikën e Maqedonisë së Veriut duhet të thellohet edhe më tutje. Ne kemi aq shumë t’i japim njëri-tjetrit. Ne jemi aq afër me njëri-tjetrin si fqinj dhe kemi aq shkëmbime përpara për të kryer sa që kjo më bën më optimist, sepse vetëm duke qenë kështu më të bashkuar, më afër njëri-tjetrit edhe rajoni është më i sigurt. Pra, anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO, edhe njëherë po e sjell në vëmendje rëndësinë e vetë, sidomos pas kësaj situate të krijuar prej luftës së Ukrainës. Të gjithë ata skeptikë që mendonin dhe ndoshta kishin dilema për këtë anëtarësim në NATO edhe të Malit të Zi, edhe të Shqipërisë më herët, para 10 vjetësh, sot po e kuptojnë më mirë se sa e rëndësishme është anëtarësimi në NATO edhe i Maqedonisë së Veriut, por sa e rëndësishme është që edhe Kosova sa më shpejt të bashkohet në këtë familje të ombrellës tej-atlantike të sigurisë, aty ku përfundimisht e kemi vendin”, tha Konjufca./TV21/

    Lajmi Paraprak

    Rusia sulmon termocentralin më të madh bërthamor në Europë, ShBA aktivizon ekipin e reagimit bërthamor

    Lajmi i rradhës

    Barcelona paguan shifra të larta për Haalandin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë