Ambasadorja Bërns: Korrupsioni dhe situata me të rinjtë janë gjërat më shqetësues në Maqedoninë e Veriut

    Ambasadorja e ShBA-ve në RMV Kate Byrnes/Fotografia: Nistori.com

    Ambasadorja e ShBA-së në vend, Kejt Meri Bërns, në emisionin “200” ka folur për dialogun strategjik mes Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së, që do të mbahet më 2 qershor në Washington, prezantoi edhe disa nga temat që pritet të jenë në rendin e ditës.

    “Agjenda është ende duke u përgatitur, por ideja është që të mbulohen më shumë tema të prosperitetit ekonomik, forcimit të institucioneve demokratike, mbrojtjes dhe sigurisë si dhe sjelljen e ekspertëve për të diskutuar përparësitë e secilës palë. Ministri i punëve të jashtme, Osmani do ta udhëheqë delegacionin nga Maqedonia e Veriut, lista për përfaqësuesit e tjerë është ende në finalizim. Nga ana jonë, ndihmës-sekretarja Karen Donfrid, e cila së fundmi vizitoi Maqedoninë e Veriut, do të jetë nikoqire zyrtare, por do të ketë mundësi për takime me zyrtarë të tjerë”, ka thënë ambasadorja Bërns.

    Bërns theksoi se janë dy segmente në vend që kërkojnë vëmendje dhe angazhim të veçantë nga qeveria.

    “Ka disa fusha në Maqedoninë e Veriut që na shqetësojnë dhe arsyeja pse ne jemi veçanërisht të zëshëm për ato gjëra është sepse duam të ndihmojmë dhe të jemi mbështetës. Dy prej tyre janë më të rëndësishme. Numër një është korrupsioni. Ky nuk është problem që ekziston vetëm në Maqedoninë e Veriut…, por duhet të jetë prioritet sepse institucionet demokratike janë ende në zhvillim dhe minimi i vazhdueshëm i tyre me korrupsion është kërcënim për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e vendit në të ardhmen. Gjëja e dytë që meriton vëmendje është situata me të rinjtë. Ne jemi të shqetësuar për faktin se të rinjtë janë të zhgënjyer me mundësitë këtu. Janë të zhgënjyer kur shohin që qeveria nuk punon për qytetarët. Të rinjtë duhet të inkurajohen të shohin të ardhmen e tyre këtu dhe lufta kundër korrupsionit është një mënyrë e fuqishme për të adresuar shqetësimet e tyre”, tha ambasadorja Bërns.

    Dialogu strategjik është një mundësi e mirë për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet dy vendeve, dhe është një udhëzues i shkëlqyer për vazhdimin e partneritetit ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Maqedonisë së Veriut, tha ambasadorja Bërns.

    Në përgjigje të pyetjes se çfarë mesazhi do t’i përcillte pasardhësit të saj në Shkup, Bërns thotë:

    “Qëllimi i Dialogut Strategjik është të shikojë fushat që ne ende nuk i kemi eksploruar plotësisht. Ka ende vend për të punuar në në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, por edhe në shumë fusha të tjera si ekonomia, energjia, ndryshimet klimatike, puna me të rinjtë, shkëmbimi kulturor, arsimi… Mendoj se Dialogu Strategjik ofron mundësi interesante për të ardhmen dhe dërgon një sinjal se Shtetet e Bashkuara duan të investojnë edhe më shumë në të. Mund të jetë një udhëzues i mirë për të dyja vendet që të vazhdojnë të ndërtojnë partneritetin e tyre”, deklaron Bërns. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Jashari: PR e subjekteve politike janë burime të lajmeve të rrejshme

    Lajmi i rradhës

    A do të ketë mungesë të ushqimit?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë