Anulohet seanca e katërt gjyqësore për spitalin modular, Besimi: Dëshmitë do ta vërtetojnë pafajësinë time

    *Foto Arkiv / Të akuzuarit për rastin në spitalin modular në Tetovë / Fotografia: Fisnik Xhelili

    Edhe seanca e katërt gjyqësore për zjarrin në spitalin modular të Tetovës u shty për shkak të reagimit të avokatëve mbrojtës, sepse ata kërkonin nga Prokuroria Publike që materialet që dëshmojnë për rastin duhet të sqarohen në detaje – dëshmitë të përmbajnë formën e kërkuar, raporton Nistori.

    Për një gjë të tillë është pajtuar edhe prokurori publik duke e konsideruar se është në interes të procedurës penale, pas së cilës gjykata e ka shtyrë atë. Afati u rregullua me kërkesë të palëve.

    Nga ana tjetër i akuzuari dhe njëherit ish-drejtori i spitalit të Tetovës, Florin Besimi për Nistori e ka përshëndetur fillimin e procesit gjyqësor për tragjedinë në spitalin modular. Ai nuk e pranon akuzën dhe se do ta dëshmojë pafajësinë e tij.

    “Ky fillim i procesit për mua është shumë i rëndësishëm dhe kjo do të thotë mundësi për dëshmimin e pafajësisë time lidhur me këtë rast tragjik! Ajo çka pres nga ky proces gjyqësor është mundësimi i paraqitjes së të gjitha dëshmive materiale, por dhe dëshmitarëve të cilat pa asnjë dyshim do të vërtetojnë pafajësinë time.” – deklaron Besimi.

    Seanca e ardhshme për fatkeqësinë në spitalin modular do të mbahet më 27 dhjetor të këtij viti.

    Çfarë ndodhi në tre seancat e kaluara gjyqësore?

    SEANCA I

    SPITALI MODULAR | Besimi: I besoj sistemit gjyqësor, e vërteta do të dëshmohet

    Sot (06.09.2022) në Gjykatën Themelore në Tetovë filloi gjykimi për lëndën K nr. 450/22, gjegjësisht për djegien e spitalit modular. Seanca përsëri u shty për më 14 tetor, pasi mungonin dy nga gjithsej tre të akuzuarit. Në seancën gjyqësore, i pranishëm ishte vetëm i akuzuari Florin Besimi, ish-drejtor në Spitalin e Tetovës, raporton Nistori.

    “Të gjithë atë çka kam ta them për këtë proces gjyqësor të rastit tragjik, do ta them para gjykatës. Ju lus juve që të përcjellni këtë rast për shkak se unë personalisht besoj në sisitemin gjyqësorë dhe jam i bindshëm se e vërteta do të dëshmohet”, deklaroi para mediumeve Florin Besimi ish-drejtor i Spitalit të Tetovës.

    Besimi kërkoi nga gazetarët që të jenë të vëmendshëm dhe të kenë durim deri në fillimin e procesit gjyqësorë sepse ai është i bindur se do me fakte dhe argumente do të dëshmohet e vërteta.

    SEANCA II

    Besimi: Me faktet që i posedoj, do ta dëshmoj pafajësinë time

    Sot u anulua për së dyti herë seanca gjyqësore për vdekjen e 14 pacientëve në rastin tragjik në spitalin modular të Tetovës, të cilët po trajtoheshin nga Covid-19. Arsyeja e e anulimit ishte se dy të akuzuarit, Boban Vuçevski (mjek) dhe Artan Etemi (ish-drejtor ekonomik i Spitalit të Tetovës), gjë për të cilën nuk ishin të njohur se duhej të kishin avokat mbrojtës, shkruan Nistori.

    Ish-drejtori i spitalit të Tetovës, Florin Besimi i akuzuar për djegien e spitalit modular në Tetovë sot para medias deklaroi se, pafajësinë e tij do ta dëshmojë kur të fillojë gjykimi.

    “Ju lus që të përcjellni këtë proces gjyqësor, pasi që unë besoj se me faktet të cilët do të vërtetohen, do të dëshmoj pafajësinë time për këtë proces për këtë ngjarje tragjike. Për këtë ka dëshmi të pakontestueshme, të cilat gjatë procesit gjyqësor do t’i shpalosim. Andaj shpresoj se, së shpjeti do të fillojë ky proces gjyqësor dhe do të mbarojë.” – deklaroi Besimi.

    E vërteta është se në rastin tragjik kanë vdekur 14 pacientë të prekur nga Covid-19. I pyetur nga Nistori se çfarë të vërtete pret ai që të vërtetohet për 14 të vdekurit në spitalin modular të Tetovës më 8 shtator të vitit 2021. Ai tha se të gjithë dëshmitë do të shpalosen para gjyqit.

    “Ju thash që ta përcillni procesin gjyqësor dhe gjithçka që kemi dhe këto dëshmitë e pakontestuara do t’i përcjellim atje.” – shtoi Besimi.

    Ndryshe, Vuçevski dhe Etemi nuk pritën të përgjigjen para medias dhe menjëherë u larguan nga hapësirat e Gjykatës së Tetovës.

    Seanca e parë u shty, sepse mungonin dy të akuzuarit: Etemi dhe Vuçevski, ndërsa i pranishëm ishte vetëm ish-drejtori Besimi.

    Gjykatësi i cili udhëheq me lëndën, Jordan Velkovski, e caktoi seancën e radhës për me 8 nëntor 2020 në ora 10:00.

    Pas rastit tragjik u dorëheqje si akt moral dhanë drejtori i Spitalit të Qytetit, Florin Besimi, drejtori ekonomik, Artan Etemi dhe zëvendësministri i ministrisë së Shëndetësisë, por Qeveria nuk pranoi largimin e Venko Filipçes i cili aso kohe drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.

    Piramida e përgjegjësisë nga ana e organit të akuzës është ndarë në përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhe jo të drejtpërdrejtë. /Nistori/

    SEANCA III

    Përsëri anulohet seanca gjyqësore për spitalin modular, Besimi: Mezi pres të dëshmojë pafajësinë time të pakontestueshme

    Është anuluar seanca e tretë gjyqësore për tragjedinë në spitalin modular, sepse mungonte avokati i të akuzuarit Boban Vuçeski, ndërsa gjykatësi që udhëheq lëndën, Jordan Velkovski e paralajmëroi të akuzuarin Vuçevski, se seanca e ardhshme do të zhvillohet pa avokatin e tij, nëse një gjë e këtillë përsëritet, shkruan Nistori.

    Pas mbarimit të seancës pritej të prononcoheshin të akuzuarit, por mjeku Vuçeski dhe ish-drejtori ekonomik i spitalit të Tetovës, Artan Etemi u larguan me shpejtësi nga mediat. Ndërkohë, Besimi tha se mezi pret të fillojë gjykimi dhe të dëshmojë pafajësinë e tij.

    “Mua nuk më mbetet asgjë tjetër, përveç se atë që e kam thënë më herët, dëshira ime e vetme është që ky proces të filloj sa më shpejtë, që të më jepet mundësia të dëshmoj pafajësinë time të pakontestueshme në procesin gjyqësor dhe për atë të njoftohet edhe opinioni publik”, deklaroi Florin Besimi.

    Seanca e ardhshme u caktua më 7 dhjetor 2022 në ora 10:00. Kjo është seanca e tretë që anulohet, sepse dy të akuzuarit Boban Vuçevski (mjek) dhe Artan Etemi (ish-drejtor ekonomik i Spitalit të Tetovës), nuk ishin të njohur se duhej të kishin avokat mbrojtës.

    Kush akuzohet?

    Në zjarrin vdekjeprurës që kaploi spitalin modular për Covid-19 në Tetovë, më 8 shtator 2021 humbën jetën 14 persona tetë gra dhe gjashtë burra të moshës 29 deri 78 vjeç. 2 pacientë të tjerë mrekullisht shpëtuan, bashkë me dy mjekë dhe katër infermiere.

    Pas tragjedisë, dy drejtorët e spitalit në Tetovë, Florin Besimi dhe Artan Etemi dhanë dorëheqje nga postet e tyre. Të njejtën gjë më pas e bënë edhe ministri i Shëndetësisë dhe zëvendësi i tij Venko Filipçe dhe Ilir Hasani, dorëheqjet e të cilëve nuk u pranuan nga kryeministri i atëhershëm Zoran Zaev.

    Ish-drejtori i përgjithshëm i spitalit të Tetovës, Florin Besimi, ish-drejtori ekonomik, Artan Etemi, dhe përgjegjësi për spitalin modular, Boban Vecevski, janë të akuzuar në këtë rast.

    Ata akuzohen për veprat penale: “nxitje e rrezikimit të përgjithshëm” dhe “mosveprim sipas rekomandimeve shëndetësore në kohë epidemie”. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Vazhdojnë alarmet për bomba, përfshihet edhe Banka Popullore

    Lajmi i rradhës

    Qeveria e Kosovës: Presim vlerësimin e situatës në veri për hapat e mëtejmë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë