Apo vjen fundi i borxhit të fajdeve në RMV?

    Shumica parlamentare javën e kaluar miratoi ndryshimet në Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve dhe Ligjin për Përmbarim, ku kufizohen kamatat, të cilat nuk do të lejohen më të kalojnë shumën e borxhit kryesor. Me fjalë tjera, me vendimet e fundit, pritet t’i jepet fund kamatës që rëndonte ndjeshëm borxhin e qytetarëve, si dhe keqpërdorimeve të regjistruara më parë në praktikë, ku kamata shpesh ishte më e lartë se borxhi.

    Nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) thonë se nuk do të përsëriten situatat kur për një borxh prej 1000 denarë, janë kthyer edhe 10 mijë denarë, duke shtuar se është ulur edhe afati i vjetërsimit të borxhit prej 10 në 5 vite. Për më tepër, janë miratuar edhe ndryshimet edhe në Ligjin për shoqëritë financiare, i cili rregullon të ashtuquajturat kredi të shpejta, ku kostot e një kredie të tillë nuk mund të jenë më të larta se 60 për qind e shumës së kredisë. Njëherësh, me ndryshimet në Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve dhe Ligjin për Përmbarim i jepet fund robërisë së borxhit, në të cilin kanë përfunduar me mijëra bashkëqytetarë. Pra, me ndryshimet që u miratuan në Parlament, mundësohet që shuma e kamatës së akumuluar dhe të papaguar, të mos rrjedhë kur ajo të arrijë shumën e principalit.

    Një nga qëllimet e ndryshimeve në Ligjin për marrëdhëniet e detyrimeve është edhe mbrojtja e të drejtave të debitorit për shkak të rolit joaktiv të kreditorit dhe të përmbaruesit. .

    Me ndryshimet në ligj, shkurtohet në pesë vjet vlefshmëria e vendimit (që korrespondon me afatin e përgjithshëm të kërkesave), sepse ka abuzime me ata që presin qëllimisht të kalojnë nëntë vjet e njëmbëdhjetë muaj dhe të fillojnë procedurën përmbarimore, për të marrë kompensimin e interesit. Qëllimi është reduktimi i abuzimit me të drejtat, pra zvogëlimi i mundësisë së fitimeve alternative me interes, si dhe stimulimi i kreditorëve për më shumë efikasitet dhe reagim më të shpejtë. Mirëpo, një pjesë e avokatëve reagojnë se qytetarët edhe më tej do të kenë probleme me kreditë e shpejta. Edhe ndryshimet e ligjeve nuk ua “shkurtuan krahët” fajdexhinjve ligjorë me kredi të shpejta dhe nuk i “shpëtuan qytetarët” nga robëria e borxhit, thotë avokati Janaki Mitrovski në lidhje me votimin e fundit për ndryshimet e dy ligjeve.

    “Kjo, sepse kompanitë e kreditimit të shpejtë nuk funksionojnë sipas Ligjit për Obligacionet, por sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve gjatë Kredive të Shpejta, i cili i favorizon ato deri në dhimbje. Në të njëjtën kohë, ata nuk fitojnë para me interes, por me “kosto” për administrim, penalitete etj. Për më tepër, sinqerisht, nuk e kuptoj pse interesi nuk do ta kalonte principalin, nëse dihet se çfarë është interesi si institucion ligjor”, thotë Mitrevski. Nga Ministria e Financave thonë se synohet mbrojtje më e madhe e qytetarëve që shfrytëzojnë shërbimet e shoqërive financiare. Me këtë ligj, përcaktohet vlera maksimale e të gjitha kostove lidhur me kredinë, shfuqëzimin e mundësisë për marrjen e kredisë për mbylljen e kredisë së maturuar paraprakisht në të njëjtën shoqëri financiare…

    Gjithashtu, sipas ndryshimeve ligjore, në të ardhmen shoqëria financiare nuk do të mund të lidhë marrëveshje për kredi konsumatore, nëse shpenzimet që nuk përfshihen në normën vjetore të kostove të përgjithshme kalojnë 60 për qind të vlerës së kredisë së miratuar. Konkretisht, kompensimet i referohen të gjitha shpenzimeve që konsumatori i paguan ose ka detyrim t’i paguajë gjatë gjithë periudhës së vlefshmërisë së marrëveshjes, të cilat janë si rezultat ose janë në ndonjë mënyrë të lidhura me marrëveshjen e kredisë së konsumatorit ose shërbimet e lidhura me to, ndërsa ato nuk mund të jenë më shumë se principali i kredisë.

    Shoqëritë financiare do të kenë detyrimin të krijojnë sistem të menaxhimit të rriskut të kredisë, që i referohet vlerësimit të aftësisë kreditore të klientit për të shlyer kredinë, si dhe vlerësimit të humbjes së shoqërisë financiare për shkak të pamundësisë së klientit për të shlyer detyrimet e tij në vlerën ose kushtet e dakorduara. Ligji përforcon edhe mbikëqyrjen ndaj punës së shoqërive financiare, në shembullin e rregullatorëve të tjerë, për të cilat do të përshkruhet dhe miratohet rregullore e veçantë. Po ashtu, për mosrespektim të dispozitave ligjore janë paraparë edhe gjoba nga 8 mijë deri në 10 mijë euro. Gjithashtu, ndryshimet përforcojnë kornizën rregullatore për punën e shoqërive financiare në tregun e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim që ato të përfaqësojnë institucione serioze financiare që ofrojnë alternativë ndaj bankave dhe jo vetëm shoqëritë që ofrojnë kredi afatshkurtëra për popullatën. Ndryshimi më i rëndësishëm i referohet rritjes së vlerës së principalit bazë të themelimit të Shoqërisë financiare prej 100.000 euro në 500.000 euro, me ç’rast ai nuk mund të sigurohet nëpërmjet huasë apo kredisë. Ndryshimet ligjore përcaktojnë gjithashtu se, shoqërisë financiare do t’i merret licenca nëse në afat prej një viti i shqiptohen dy masa, përkatësisht gjobë ose ndalesë e përkohshme për kryerje e aktivitetit.

    Kohë më parë Avokati I Popullit ka reaguar ndaj harxhimet e mëdha për kreditë e shpejta. Nga ky institucion thonë se të gjithë jemi dëshmitarë të reklamave agresive për kredi të shpejta pa kamata, që ofrohen nga shumë shoqëri financiare në vend, me procedurë që shkon edhe në formën elektronike, për kredi për mbylljen e kredisë paraprake në shoqërinë e njëjtë financiare. Krejt kjo me mungesë të kontrollit efikas dhe mbikëqyrjes të punës së tyre si dhe rrethanave që me ligj rregullohet kjo materie, ku nuk ekziston kufizimi i harxhimeve të përgjithshme, kompensimet dhe provizionet e kredive që miratohen nga shoqëritë financiare, e as obligimi i detyrueshëm që publikisht të publikohet tarifa e kompensimeve në faqen e internetit ose në ambientet e punës. Andaj, edhe ky institucion, ka bërë thirrje që të reagojnë institucionet kompetente, që të saktësohet rregullativa ligjore që shtyn qytetarët në borxhe të mëdha, dhe që të mos përsëriten rastet ku për vonesat e kthimit paguhen shuma edhe dhjetë herë më të mëdha se borxhi fillestar. Duke shtuar se mungojnë edhe kritere të qarta dhe transparente, për tarifat e vonesës, si dhe më shumë tarifa të tjera. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Tetovë, ulet rendimenti i grurit për 60 për qind

    Lajmi i rradhës

    Pothuajse gjysma e konsumatorëve në RMV nuk i lexojnë deklaratat kur blejnë ushqim

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë