Arka e shtetit të RMV mund të mbushet me shtrenjtimin e cigares

    Maqedonia e Veriut përskaj konsolidimit fiskal që nënkupton masa për uljen e shpenzimeve, do të ndërmarrë masa edhe për mbushjen e arkës së shtetit. Ndër të tjerash, reforma tatimore i referohet zgjerimit të bazës tatimore e cila bazohet në uljen e ekonomisë informale si dhe rishikimin e një pjese të tatimeve. Nga ana tjetër, Banka Botërore sugjeron të rriten të ardhurat nga tatimet për duhanin dhe tatimin në fitim për kompanitë e mëdha që kanë pozitë monopoliste në treg. Apo me fjalë të tjera sugjerohet të rritet pagesa e një pjese të tatimeve. Njëherësh rekomandohet që llojet e ndryshme të tatimeve apo struktura e tyre të jetë më pak regresive. Me fjalë tjera, nënkuptohet se për disa tatime, duhet të shqyrtohen shkallët tatimore dhe rritja e shumës së tatueshme.

    “Tani në Parlament janë masa që do të zgjerojnë bazën tatimore, dhe do të paguhen më shumë taksa. Nga ana e akcizës tashmë kemi detyrime, por nëse i krahasojmë normat e akcizës për produktet e duhanit në rajon, ato janë ndër më të ulëtat. Nëse i shikojmë çmimet e produkteve të duhanit, ato janë ndër më të ulëtat në rajon. Është e nevojshme të mendohet në mënyrë afatgjatë, sepse duhet menduar edhe për gjendjen shëndetësore që nuk do të shkurtojë jetëgjatësinë. Ky është një lloj i të ardhurave tatimore që ne e rekomandojmë me gjithë zemër”, thotë Sanja Maxhareviç-Shujster nga Banka Botërore.

    Sipas saj, vendi nevojitet të mendojë edhe për zgjerimin e llojeve të tjera të ardhurave nga tatimet.

    “Maqedonia e Veriut mban një taksë të sheshtë, me përjashtim të TVSH-së, për një kohë të gjatë. Ka pasur një përpjekje për të vendosur një tatim personal progresiv, por ai nuk u mbështet nga opinioni. Tani ndoshta mund të gjendet mundësia për të rritur normat e tatimit mbi fitimin përmes një politike konkurrence dhe për të tërhequr konkurrentë në segmente ku duket se ka një abuzim me një pozicion monopolist ose oligopolist në treg, që mund të kontribuojë në eliminimin e atyre marzhe dhe fitime të tepërta. Por kjo mund të arrihet edhe përmes mekanizmave të propozuar në nivel të BE-së edhe nga Ministria juaj e Financave”, thekson Maxhareviç-Shujster.

    Nga ana tjetër, prioriteti i parë në Strategjinë e reformës tatimore 2021-2025 është drejtësia më e madhe në tatimet, pra secili të përmbushë detyrimin e tij social dhe të paguajë pjesën e drejtë të tatimit.

    Me fjalë tjera, reforma tatimore i referohet zgjerimit të bazës tatimore e cila bazohet në uljen e ekonomisë gri dhe rishikimin e lirimeve tatimore dhe jo në rritjen e tatimeve. Parashikohet edhe një mënyrë e re e donacioneve për sportin, si dhe rishikim i listës së produkteve që janë luksoze dhe që do të tatohen me normën e dytë preferenciale. Ligji i TVSH-së ruan normën bazë prej 18 për qind, që është më e ulëta në rajon. Ndër të tjerash, prioritet është edhe tatimi ekologjik (“e gjelbër”), që nënkupton stimuli i tatimpaguesve për të reduktuar sjelljen dhe aktivitetet e tyre që kontribuojnë në ndotjen, përdorimin e burimeve të rinovueshme të energjisë, dhe mbrojtja burimeve natyrore. Do të paguhen tatime edhe nga sigurimet jetësore, sigurimet vullnetar shëndetësore, që deri tani ishin të liruara nga tatimet. Taksat do të paguhen nga viti 2023, edhe për sigurimin vullnetar të pensionit si dhe për sigurimin vullnetar si dhe për fitimet kapitale, apo do të tatohen të hollat e fituara nga pjesëmarrja në fonde nëse ato posedohen mbi dy vite.
    Në kuadër të strategjisë së reformës tatimore 2021-2025, janë përcaktuar pesë prioritete si drejtësia më e madhe në tatimim, i cili duhet të sigurojë të gjithë ta paguajnë pjesëmarrjen e tyre të drejtë të tatimit. Prioritet është edhe arritja e efikasitetit dhe efektivitetit më të madh në arkëtimin e të hyrave. Gjithashtu, si prioritet përcaktohet edhe rritja e transparencës tatimore. Prioriteti mbetet edhe përmirësimi i cilësisë së shërbimeve, apo thjeshtësimi dhe përshpejtimi i procedurave dhe ulja e barrës administrative. Prioriteti i fundit është tatimimi ekologjik i “gjelbër”.

    Njëherësh, tatimi në të ardhurat personale mbetet në 10 për qind dhe taksimi progresiv që duhej të hyn ne fuqi në 01.01.2023, po anulohet për një periudhë të ardhshme. Tatimi mbi fitim mbetet 10 për qind dhe nuk rritet. Tatimi i vlerës së shtuar mbetet 18 për qind dhe nuk rritet. Gjithashtu, interesat e depozitave dhe depozitave të kursimeve nuk do të tatimohen. Gjithashtu për nevojën e rritjes së të ardhurave në arkën e shtetit nga taksat, flasin edhe të dhënat që tregojnë se mbledhja e taksave si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto në Maqedoni, është nën përqindjen e vendeve të rajonit dhe gjithashtu është shumë nën mesataren e vendeve të BE-së. Ne kemi barrë tatimore më të ulët edhe karshi fqinjëve edhe karshi Evropës. Pesha e të ardhurave tatimore në PBB ishte 16.1 për qind tek ne, 17.3 për qind në Shqipëri, 22.3 për qind në Kosovë, 23 për qind në Mal të Zi, dhe 20.1 për qind në Serbi.

    Edhe në shtetet e tjera të rajonit kjo përqindje është e lartë me 20.6 për qind në Kroaci, 37.4 për qind në Slloveni, dhe me 27 për qind në Bullgari. Përqindje prej bile 39 për qind e të ardhurave tatimore ka fqinji ynë jugor Greqia, që është e përafërt me ekonominë më të fuqishme evropiane atë të Gjermanisë me 39.5 për qind. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Shqiptarët në Veles pa mësues!

    Lajmi i rradhës

    Autobusët në Shkup, pasqyrë e kulturës së udhëtarëve (Foto)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë