Artina Qazimi – deputetja më e re në parlamentin e RMV-së: Të rinjtë duhet të kenë më shumë ambicje për politika institucionale

    Artina Qazimi nga fshati Dobërdoll – Komuna e Vrapçishtit, e lindur më 13.04.1997 në Qytetin e Gostivarit. Shkollën fillore e ka kryer në fshatin Dobërdoll SHF “Sali Lisi”. Shkollën e mesme të Mjekësisë dhe studimet në Universitetin e Tetovës – Dega Fizioterapi. Ajo për Nistori flet për sfidat e saj si deputete, ndikimin në politikat për të rinjtë dhe ndryshimin për të cilin përpiqet në parlamentin e RMV-së. Ajo njëherit është edhe deputetja më e re në këtë legjislaturë.

    Intervistoi | Donika Bakiu

    Nistori: Cili është ndryshimi i vetëm që dëshironi të shihni në vendin tuaj?

    Artina Qazimi: Në vendin tonë ka nevojë për shumë ndryshime, mendoj se një ndër nevojat e rëndësishme është që të punohet në përmirësimin afatgjatë të pozitës ekonomike të qytatarëve në vend. Shpesh përballen me të ardhura të ulëta, papunësi të lartë, kontrata jo adekuate të punës, veçanërisht të rinjtë kanë një pozicion të palakmueshëm dhe të kufizuar financiarë, i cili duhet të përmirësohet me një qasje serioze politike.

    Nistori: Sa ndihmon puna juaj si deputete për të sjell ndryshime pozitive?

    Artina Qazimi: Qëllimi im dhe i grupit tonë parlamentar çdoherë është sesi të sjellim ndryshime pozitive, nëpërmjet ligjeve, votimit të ligjeve që janë në interesave të qytetarëve. Synim tjetër që e kam veçuar edhe tek Klubi për Çështje dhe Politika Rinore është që të vendosim kontakte me të rinjtë që janë të rëndësishme për ta. Vizitat e tilla do të krijojnë raporte, të cilat do të përcaktojnë hapat e ardhshëm se çfarë mund të bëhet për përmirësimin e situatës.

    Nistori: Pse është e rëndësishme të përfshihen më shumë të rinj në parlament?

    Artina Qazimi: Duket  qartazi që të rinjtë kërkojnë involvim dhe përfshirje më të madhe, mirëpo hapësira u është uzurpuar dhe ato ndihen të pafuqishëm që të thyejnë barrierat dhe të sigurojnë përfaqësim më lë lartë dhe adekuat. Pra kjo është gjendja politike e të rinjve, e cila duket që shpjegon edhe faktin pse shumica e të rinjve nuk ndihen të përfaqësuar dhe e ndjejnë politikën dhe politikanët si diçka të largët dhe të huaj, e jo si sferë dhe njerëz me të cilët duhet bashkëpunuar që të rritet mirëqenia. E kjo është pra ndër arsyet më të rëndësishme pse sot më shumë se gjysma e të rinjve të intervistuar nga UNICF janë të pakënaqur me sistemin e edukimit, respektivisht me lidhjen e aftësive të cilat kërkohen në tregun e punës me kurrikulat të cilat mësohen nëpër shkolla, apo pse më shumë se 50% e të rinjve janë të papunë, e 25 e tyre janë në kategorinë e të rinjve të cilët nuk janë as në punë, as në shkollim dhe as në trajnim. Prandaj edhe nuk është e çuditshme që më shumë se gjysma e të rinjve kanë plane që në dy vitet e ardhshme të migrojnë nga Maqedonia e Veriut, sepse lëre që nuk kanë mirëqenie të mirë, por u ka munguar afërsia me institucionet të cilat do të duhej ta rrisnin mirëqenien dhe lumturinë e të rinjve këtu tek ne.

    Nistori: Cili është roli i të rinjve në parlament dhe cila është kerkesa juaj konkrete që keni bërë për të rinjtë në parlament?

    Artina Qazimi: Për shkak të situatës me pandeminë që ballafaqohemi, kam kërkuar së bashku me deputetët e rinj të bëjmë vizita të qendrave lokale, edhe pse ka një numër të vogël qendra rinore, por ngritja e tyre është përgjegjësi e çdo pushteti lokal. Për të parë përvojat nga funksionimi i qendrave ekzistuese rinore, do të kemi takime në terren në disa prej qendrave.

    Nistori: A është mosha barrierë për t’u bërë deputete në RMV?

    Artina Qazimi: Mua më gëzon  fakti që jemi aktualisht 12 deputetë nën moshën 35 vjeçare dhe se mendoj që mosha nuk pengon për tu bërë deputete ose çfarë do qoftë në institucionet shtetërore. Masat për qytetarët e rinj pothuajse mungojnë plotësisht në fushën e integrimit europian, si dhe pjesëmarrjen e të rinjve në proceset e vendimmarrjes dhe në punën e institucioneve.

    Nistori: Sa është sfiduese për një grua që të merr postin e deputetit?

    Artina Qazimi: Gratë në politikë janë ende në sfidën e nënpërfaqësimit. Nga ana tjetër vazhdon të qëndrojë temë dite lufta brenda të njëjtës gjini, dhe gjithmonë kjo dobësi përdoret për interesa të ngushta politike të burrave. Gjithsesi, jam e bindur se ka një rritje cilësore në debatin mes grave dhe burrave në politikë dhe se zëri i gruas në Parlament ka filluar të dëgjohet falë performancës profesionale të grave deputete!

    Nistori: Si deputetja më e re në parlamentin e RMV-së cili është mesazhi juaj?

    Artina Qazimi: Unë si deputetja më e re në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut mbetem e hapur për çdo bashkëpunim dhe iniciativë në këtë drejtim. Dyert e Parlamentit mbeten të hapura jo vetëm për të dëgjuar brengat e të rinjve, por për çdo ide dhe iniciativë e cila do të mundësonte rritjen e mirëqenies së të rinjve në Maqedoninë e Veriut, mirëqenie e cila për momentin mungon dhe do të duhej urgjent të ngrihej. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Mbi nëntë milionë dollarë ShBA-ja ka ndihmuar RMV-në për ballafaqim me pandeminë

    Lajmi i rradhës

    Kur është koha më e mirë për të pirë kafe?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë