Autoritetet politike dënojnë ashpër aktin vandal ndaj Qendrës Kulturore bullgare në Manastir

    Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka reaguar në lidhje me djegien e sotme të Qendrës Kulturore të bullgarëve në Manastir.

    “Dënoj ashpër djegien e objektit të qendrës kulturore të bashkësisë bullgare në Manastir. Akte të tilla janë provokim dhe nuk shkojnë në favor të përmirësimit të marrëdhënieve me Bullgarinë.

    U bëj thirrje institucioneve kompetente që të bëjnë një hetim të shpejtë dhe të detajuar, të marrin të gjitha masat e nevojshme, për të identifikuar dhe sanksionuar autorët”, thuhet në reagimin e Pendarovskit.

    Më herët ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut të cilët kanë dënuar ashpër djegien e Qendrës Kulturore dhe kanë kërkuar zbardhjen e rastit.

    Qendra Kulturore bullgare është djegur mëngjesin e sotëm në Manastir.

    Kovaçevski: Të qëndrojmë të qetë dhe dinjitoz, ndërsa me autorët do të merren institucionet

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski e dënoi djegien e objektit të Qendrës Kulturore bullgare në Manastir.

    “Në shekullin e 21-të me djegie nuk arrihet asgjë. I kam dhënë udhëzime të qarta institucioneve kompetente për zbardhjen e menjëhershme të rastit.

    Provokime të tilla nxitëse kanë për qëllim prishjen e marrëdhënieve mes popullit maqedonas dhe bullgar.

    Andaj ju bëj thirrje të gjithëve që të qëndrojmë të qetë dhe dinjitoz dhe me autorët do të merren institucionet”, tha Kryeministri.

    MPJ dënon ashpër djegien e Qendrës Kulturore bullgare në Manastir

    Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut e dënon ashpër aktin e zjarrvënës së qëllimshme në hyrje të shoqatës “Ivan Mihajllov” në Manastir.

    “Ky sulm vandal është një tjetër dëshmi se ka shumë aktorë që janë kundër progresit në marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe të ardhmes sonë të përbashkët evropiane.

    Ky krim nuk është kryer rastësisht në këtë ditë, kur dy vendet do të kenë dialog për të tejkaluar çështjet e hapura në rrugën e integrimeve evropiane të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në reagimin e MPJ-së.

    Organet kompetente të shtetit, shtojnë nga atje, po bëjnë përpjekje për gjetjen e autorit të këtij akti vandal. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Kush është Bajram Begaj, kandidati i propozuar për President të Shqipërisë

    Lajmi i rradhës

    Mbi 15 mijë maturantë në provimin shtetëror, rezultatet pritet të publikohen më 12 korrik

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë