Banorët e Çairit mbetën pa ngrohje për shkak të festave!

    Qeveria u bëri thirrje ngrohtoreve dhe komunave që urgjentisht të veprojnë sipas kompetencave të tyre dhe të sigurojnë ngrohje për banorët e Shkupit, sidomos ata Shkup Veri, që në mes të dimrit mbetën pa ngrohje! Nga Komuna e Çairit arsyetohen se pagesa nuk është bërë për shkak festave dhe se të hënën do të paguhet një pjesë e borxhit ndaj ngrohtores “Shkup Veri”.

     “Për shkak festave nuk është bërë pagesa dhe nga java e ardhshme një pjesë e borxhit do të paguhet. Megjithatë, duhet të theksojmë se edhe nëse paguhet i gjithë borxhi mjafton vetëm për disa ditë të ketë ngrohje për shkak se ndërmarrja ka problem me rritjen e çmimit të gazit. Pra Komuna e Çairit nuk është shkaku kryesor se përse nuk ka ngrohje”, thonë nga Komuna e Çairit.

    Nga Ngrohtorja Shkup Veri i thanë TV21 se është e nevojshme që të përfshihen edhe institucionet kompetente dhe të sigurohet ndihmë financiare, me qëllim që Ngrohtorja Shkup-Veri të vazhdojë të punojë.

     “Rritja e shpenzimeve për furnizim të gazit natyror prej 270% dhe vendimi i miratuar për rritjen e çmimit të energjisë së furnizuar të ngrohjes për vetëm 14%, bëri që SH.A Shkup-Veri të ballafaqohet me humbje serioze financiare gjatë punës së saj. Është e nevojshme që të përfshihen edhe institucionet kompetente dhe të sigurohet ndihmë financiare, me qëllim që Ngrohtorja Shkup-Veri të vazhdojë të punojë dhe në këtë mënyrë edhe shfrytëzuesit të mund të kenë ngrohje”, theksojnë nga ngrohtorja “Shkup-Veri”.

    Nga Qeveria nuk e përjashtojnë mundësinë për ndihmë plotësuese, por ndërprerjen e ngrohjes në mes të dimrit e quajnë të papranueshme, duke i thirrur kompanitë kompetente dhe autoritetet lokale urgjentisht të veprojnë sipas kompetencave të tyre dhe të sigurojnë ngrohje.

     “Qeveria u ndihmon qytetarëve, komunave dhe Qytetit të Shkupit, por kur janë në pyetje obligimet financiare ndaj dhënësve të shërbimeve publike, fillimisht thirren organet  kompetente lokale. Gjatë javës së ardhshme do të shqyrtohen mundësi për ndihmë plotësuese, por ndërprerja njëpalëshe e obligimeve të dakorduara dhe ndërprerja e ngrohjes në dëm të qytetarëve dhe amvisërive në kushte të dimrit nuk mund të arsyetohet as të pranohet”, potencojnë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

    Përndryshe, banorë të Shkupit, kryesisht nga Lagjja Shkup-Veri dhe Fushë Tophanë, dje u ankuan se janë pa ngrohje qendrore ose ngrohja është shumë e dobët, ndërsa nga ngrohtorja Shkup Veri i bënë thirrje institucioneve më të larta për ndihmë, për shkak se siç thonë, nuk mund të përballojnë çmimin e ri të gazit natyror. Sipas vendimit të Komisionit Rregullator për Energjetikë, çmimi i ngrohjes qendrore në Shkup nga ky muaj është rritur për 14 për qind. 

    Lajmi Paraprak

    Tragjedia në spitalin modular në Tetovë | “Pushteti i regjimit hibrid është më i rëndësishëm sesa jeta e qytetarëve”

    Lajmi i rradhës

    KOMUNA E TETOVËS SËRISH NUK NDAN MJETE TË MJAFTUESHME PËR QENTË ENDACAKË

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë