KOMUNA E TETOVËS SËRISH NUK NDAN MJETE TË MJAFTUESHME PËR QENTË ENDACAKË

    Gazetare | Blerona Jakupi Zylbehari

    QYTETARËT KËRKOJNË ZGJIDHJE TË MENJËHERSHME

    Qentë endacakë vazhdojnë të jenë problem dhe kërcënim serioz për qytetarët e Tetovës. Për katër muaj të plotë, qentë lëvizin të lirë, sepse me harxhimin e mjeteve të destinuara më herët nga komuna u ndërpre edhe trajtimi i tyre. Qytetarët për Nistori, deklarohen të revoltuar që akoma nuk po merren masat e duhura nga komuna e Tetovës për eleminimin e këtij problemi.

    “Nuk mund të lëvizim lirshëm, na është bërë tmerr të shohim qentë endacakë në rrugë, gjithmonë me frikën se mos na sulmojnë” – deklaron Abaz Ramadani.

    “Sigurisht që duhet zgjidhje e menjëhershme e problemit të qenve, komuna duhet të përpiqet më shumë. Rastet e sulmeve nga qentë, me sa dëgjojmë, vazhdimisht rriten. Është problem shumë serioz, shprehet për Nistori Hashim Baftiu.

    “Patjetër që është problem i madh, sidomos kemi frikën e fëmijëve, duhet gjithmonë t’i shoqërojmë, kemi frikë mos sulmohen. Megjithatë, jo vetëm fëmijët, edhe ne të rriturit frikësohemi. Apeloj që të largohen ato qen nga qyteti, ose të ndërmerret dicka tjetër, mjafton të jemi të sigurtë, deklaron Imran Dauti.

    Lidhur me këtë problem, nga komuna e Tetovës njoftojnë për Nistori se së fundi kanë ndarë 1.5 milionë denarë.

    “Komuna e Tetovës për këtë vitin kalendarik 2022, sipas Programit për tokë ndërtimore ka paraparë 1.500.000,00 denarë. Trajtimi do të nisë menjëherë pas mbarimit të procedurave për prokurime publike sipas planit për vitin 2022.”

    Por, nga ana tjetër, veterinari Rami Selmani i qendrës Dog & Cat, me të cilën komuna e Tetovës ka marrëveshje për trajtimin e qenve endacakë, e vlerëson të pamjaftueshme shumën e ndarë nga komuna e Tetovës. Ai shprehet për Nistori se me këtë shumë do të ketë mundësi të trajtojë qentë endacakë për maksimumin dy muaj.

     “1.5 mln denarë janë aq pak për qytetin e Tetovës saqë s’kam koment. Me këtë shumë do të mund të trajtoj qentë për vetëm një muaj e gjysmë ose maksimumi dy muaj. Bëhet fjalë vetëm për kapjen e qenve, vaksinimin dhe sërish të lëshohen. Që të kemi sukses, duhet që të kapen qentë, të operohen, vaksinohen dhe të mbahen në stacionar, të mos lëshohen më në të njëjtin vend ku kapen dhe që të arrihet kjo, shuma sigurisht duhet të rritet deri tre ose katërfish më shumë, deklaron Selmani.

    Të dhënat e Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, tregojnë se gjatë vitit 2021, ka pasur 112 denoncime për kafshime nga qentë endacakë. Për Nistori, nga ky sektor thonë se 66 sulme janë shënuar në Tetovë dhe 46 sulmet e tjera në rajonin e Gostivarit. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Banorët e Çairit mbetën pa ngrohje për shkak të festave!

    Lajmi i rradhës

    Si ta shkëpusësh veten nga rrjetet sociale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë