BE heq kufizimet e udhëtimit për qytetarët e Maqedonisë së Veriut

    Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord sot (16 qershor) të heqin kufizimet e udhëtimit për udhëtarët nga tetë vende dhe territore duke përfshirë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, dhe Serbinë.

    Këtë sot e konfirmoi edhe ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, i cili tha se ky vendim nga BE vjen pas stabilizimit të gjendjes me pandeminë në vend, njofton Nistori.

    “Bashkimi Evropian vendosi që t’i lehtësojë kufizimet për udhëtim për shtetasit tonë. 27 vende të BE-së dhanë pëlqim për këtë. Ky vendim i BE-së vjen pas stabilizimit të gjendjes me virusin në vend. Autoritetet shëndetësore vazhdojnë të ndjekin me vëmendje situatën me pandeminë dhe rikujtojmë qytetarët që të vazhdojnë të kenë kujdes”, theksoi Filipçe.

    Përveç tre vendeve të Ballkanit Perëndimor, në listën e BE-së janë edhe Shtetet e Bashkuara, Hong Kongu, Makao, Arabia Saudite dhe Tajvani.

    Mirëpo pavarësisht këtij vendimi, ndonjë nga shtetet anëtare mund të vazhdojë të kërkojë test negativ për COVID-19 ose një periudhë karantine.

    Çështja e shëndetit është në kompetencën kombëtare të secilit shtet anëtar të BE-së, prandaj, edhe në rast se disa vende deklarohen të sigurta, secili vend i BE-së ka të drejtë të vendosë masa për të luftuar coronavirusin.

    Ndryshe, për të siguruar statusin e një vendi të sigurt nga BE, ai duhet të regjistrojë maksimum 75 raste pozitive me coronavirus për 100.000 banorë, në 14 ditët e fundit.

    Në muajin maj, Këshilli i BE-së hoqi zyrtarisht kufizimet në udhëtimet jothelbësore për shtetasit e vendeve të treta, të cilët janë vaksinuar me të gjitha dozat e kërkuara të vaksinës kundër coronavirusit.

    Shtetasit e vendeve të treta përfshijnë edhe qytetarët e Ballkanit Perëndimor./Nistori/

    Lajmi Paraprak

    BFI informon se edhe këtë vit nuk do të mund të kryhet haxhi

    Lajmi i rradhës

    Sergio Ramos i jep fund aventurës tek Reali, nesër zyrtarizon largimin e tij

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë