Zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali ka reaguar lidhur me debatin për statusin e gjuhës shqipe në vend, duke theksuar se interpretimet që mohojnë karakterin zyrtar të saj nuk qëndrojnë në përputhje me frymën e Kushtetutës.
Sipas tij, Amendamenti 5 i Kushtetutës trajton çështjen e përdorimit të gjuhëve mbi bazën e përfaqësimit të komuniteteve etnike, duke përmendur pragun prej 20 për qind të popullsisë. Ai nënvizoi se, edhe pse nuk përmendet drejtpërdrejt “gjuha shqipe”, është e qartë se ky formulim i referohet pikërisht asaj, duke pasur parasysh përbërjen demografike të vendit.
Sali theksoi se duhet bërë dallim mes interpretimit formal të përqindjes dhe realitetit politik e shoqëror, ku gjuha shqipe përdoret gjerësisht në institucione dhe komunikim zyrtar. Ai shtoi se debatet që tentojnë të vënë në pikëpyetje këtë status krijojnë paqartësi të panevojshme në opinionin publik.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur çështja e përdorimit të gjuhës shqipe vazhdon të jetë temë diskutimi në diskursin politik në vend, konkretisht kërkesës së studentëve shqiptarë që provimi i jurisprudencës të jetë në shqip.
“Ky rast na dëshmon neve se gjuha shqipe nuk është zyrtare. Po çfarë thotë atëherë amendamenti 5 i Kushtetutës? Thotë njëzet përqindëshi. Po kush është njëzet përqindëshi? Po nënkuptohet se është gjuha shqipe… Nuk theksohet se gjuha shqipe, por thuhet njëzet përqindëshi i banorëve të cilët jetojnë. Po kush jeton, kush janë ata? Nënkuptohet. Një gjë është çfarë është njëzet përqindëshi dhe gjë tjetër të thuhet se gjuha shqipe nuk është zyrtare”, deklaroi Bekim Sali, zëvendëskryeministër i parë.






