Bërns: Anëtarësimi i RMV-së në BE, interes strategjik për të gjithë

    Maqedonia e Veriut me vite të tëra pret në derën e Bashkimit Europian për të nisur bisedimet aderuese. Ndjenjën e frustrimit se pse procesi nuk ka ecur më shpejtë thotë se e ndjen edhe ambasadorja amerikane në vend, Kejt Meri Bërns.

    “Një nga gjërat që nënvizon ky moment është nevoja për të lëvizur përsëri proceset e BE-së, për të përshpejtuar përpjekjet, për të parë Maqedoninë e Veriut të integruar plotësisht, për të shkuar drejt hapjes së kornizës së saj negociuese me Bashkimin Evropian”, tha Bërns.

    Bërns në intervistë edhe një herë bëri të qartë se SHBA-të duan që anëtarësimi në BE të ecë përpara sa më shpejt të jetë e mundur.

    “Ne kemi qenë të qartë si SHBA që nga fillimi se e mbështesim anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Edhe pse nuk jemi anëtare të BE-së, besojmë se është një interes strategjik i Maqedonisë së Veriut, rajonit, BE-së dhe madje edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha më tej Bërns.

    Pushtimi rus në Ukrainë, përpjekjet për ndërhyrje ruse në shtetet e tjera të këtij rajoni por edhe përpjekjet për ndikime ruse në Ballkanin Perëndimor, kanë bërë që edhe një herë të kuptohet rëndësia e integrimit të shteteve në strukturat euro-atlantike. Frika e destabilizimit e bëri Bashkimin Evropian që të dërgojë trupa përforcuese të EUFOR-it në Bosnjë dhe Hercegovinë. Nga ana tjetër Kosova gjithnjë e më zëshëm ka nisur të kërkojë anëtarësim të shpejtë në NATO, gjersa nga ana tjetër me vite pret liberalizim të vizave pasi ka përmbushur kushtin e kërkuar. Në Mal të Zi kërkohet formimi sa më shpejtë i Qeverisë së re që institucionet të mund të mirëfunksionojnë./tv21/

    Lajmi Paraprak

    Maqedonia e Veriut përballet me mungesë të anesteziologëve

    Lajmi i rradhës

    Çfarë e bëri Ukrainën të sulmueshme?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë