Besar Durmishi u zgjodh kryetar i këshillit komunal të Tetovës me mbështetjen e nismës “Më mirë për Tetovën”

    Me 16 vota “për” dhe 14 “abstenim”, Besar Durmishi nga Lëvizja Besa sot është zgjedhur kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës. Zgjedhjet kaluan pa shumë diskutime, por shumica e votave të marra nuk do të thotë se Besa dhe partnerët e saj të koalicionit kanë shumicën në Këshill, njofton Nistori.

    Për zgjedhjen e tij votuan tetë përfaqësues të partisë së tij, 4 nga VMRO-DPMNE, dy nga Aleanca për Shqiptarët, ndërsa këshilltari nga Alternativa abstenoi. Përcaktuese në votim ishin votat e dy këshilltarëve nga lista e pavarur “Më mirë për Tetovën”, ku ndër të tjera, këshilltarja e nismës, Elmedina Abdulahi, tha se fakti që tani kanë votuar “për” nuk do të thotë se kanë hyrë në koalicion me shumicën, por se ata do të votojnë për çdo vendim të radhës vetëm nëse është për të mirën e qytetarëve. Ata gjithashtu i kërkuan kryetarit të këshillit, Besar Durmishi dhe kryetarit të komunës, Bilall Kasami që të zotohen publikisht për disa prej kërkesave të tyre si kusht për të marrë votën e tyre kryetari i këshillit.

    “Vota jonë “po” për kryetar të Këshillit nuk duhet pranohet si votë e shumicës dhe si diçka që do të jetë gjithmonë “po”. Ne do ta shqyrtojmë secilin propozim individualisht dhe nëse vlerësojmë se nuk është i mirë për qytetarët, do të jemi kundër. Për të votuar ‘pro’ kemi 10 propozime që bazohen në tre shtylla të platformës sonë dhe ato janë: transparenca dhe llogaridhënia, mjedisi i pastër dhe një qytet me plan dhe i kërkojmë kryetarit të këshillit dhe kryetarit të komunës të deklarohen publikisht se do t’u përmbahen. Këto janë propozimet tona që janë shumë të rëndësishme për ne dhe për qytetarët”, deklaroi Elmedina Abdulahi nga nisma “Më mirë për Tetovën”.

    Kryetari i sapozgjedhur i Këshillit të Komunës së Tetovës tha se pajtohet me këto kërkesa dhe se disa prej tyre tashmë janë përmbushur.

    “Tashmë i kemi plotësuar disa nga këto kërkesa, siç është seancë që po transmetohet drejtpërdrejt në rrjetet sociale, 372 kontrata pune tashmë janë ndërprerë nga kryetari i komunës dhe do të kërkojmë arsyet pse janë bërë, do të bëjmë auditimin e punës së komunës për të cilën na duhen gjashtë muaj dhe do të luftojmë kundër çdo gjëje që është kundër ligjit dhe do të bëjmë gjithçka për të mirën e qytetarëve. Por, jo vetëm këto, në programin tonë kemi edhe shumë gjëra të tjera për të cilat kërkojmë mbështetje. Kemi shumë probleme të trashëguara që duhet t’i zgjidhim së bashku. Ne jemi të zgjedhur nga qytetarët dhe duhet të punojmë për ta”, – tha kryetari i ri i Këshillit të Komunës së Tetovës, Besar Durmishi.

    Durmishi, duke folur për ndarjen e funksioneve në komunë, tha se nuk kanë pasur koalicion me Aleancën për Shqiptarët, ndërsa për VMRO-DPMNE-në, së shpejti do të flasë kryetari i komunës Bilall Kasami.

    Këshilli i Komunës së Tetovës ka 31 këshilltarë, por një këshilltar nga PDSH dha dorëheqje menjëherë pas zgjedhjeve, për arsye objektive. Bëhet fjalë për këshilltarin Pajtim Thaçi. Dorëheqja është miratuar dhe në vend të tij në seancën e ardhshme do të zgjidhet i pari në listën e kësaj partie. Seanca konstituive e Këshillit për herë të parë është transmetuar drejtpërdrejt nëpërmjet faqes në Facebook të Komunës së Tetovës. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Në buxhetin e RMV-së, 615 milionë euro për investimet kapitale

    Lajmi i rradhës

    A doli në pah një marrëveshje politike AAA-BDI pas mosvotimit të kryetarit të këshillit komunal të Tetovës?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë