“BLLAGOJA TOSKA” | Nga punët e pabëra të Teuta Arifit deri te punët e vonuara të Bilall Kasamit

    Sot është bërë rrënimi i shtëpisë së fundit që pengonte ndërtimin e plotë të bulevardit “Bllagoja Toska” në Tetovë, që ishte paraparë para 3 javësh. Shembja e shtëpisë është zgjatur për shkak të mospagesës për shpronësim. I pari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami falënderoi të gjithë qytetarët pas marrëveshjes së arritur, shkruan Nistori.

    “Pas marrëveshjes së arritur u largua edhe pengesa e fundit për vazhdimin e punimeve të Bulevardit “Bllagoja Toska”. Falënderoj të gjithë banorët për mirëkuptimin e treguar. Qytetin do e ndërtojmë dhe zhvillojmë bashkërisht!” – shkruan Kasami në Facebook.

    Punimet në bulevardin “Bllagoja Toska” në Tetovë, si duket u vjen fundi. Sipas Besar Durmishit nga Komuna e Tetovës, pas vitit të ri do të fillojë eksproproimi i fazës së dytë të bulevardit. Durmishi më 26 nëntor, tha se janë paraparë që të ndahen edhe mjete tjera për eksproproimin e fazës së dytë.

    SI RODHI PROCESI ME SHPRONËSIMIN DHE FILLIMIN E PUNIMEVE NË “BLLAGOJA TOSKA”?

    “Bllagoja Toska” në Tetovë në përfundim e sipër, por jo në kohën e premtuar (Video)

    26 NËNTOR, 2022
    Punimet në bulevardin “Bllagoja Toska” në Tetovë, si duket u vjen fundi. Përfaqësues të Komunës së Tetovës, sot ishin në vendin ku kryheshin punimet. Sipas Besar Durmishit, pas vitit të ri do të fillojë eksproproimi i fazës së dytë të bulevardit. Durmishi, tha se janë paraparë që të ndahen edhe mjete tjera për eksproproimin e fazës së dytë, shkruan Nistori.

    “Pas vitit të ri do të fillojmë eksproproimin e fazës së dytë të këtij bulevardi, ku kemi 300 metra, pastaj kemi edhe fazën e tretë për të përfunduar gjithsej. Ata të cilët e premtuan tetë vite, ne e realizuam për një vit. Vlen të theksohet se është bërë një punë e vazhdueshme, me intensitet të madh dhe kemi arritur brenda një viti të kompletojmë procesin e eksproproimit të kësaj zone dhe të fillojnë punimet. Menjëherë pas kësaj do të fillojë edhe hapja e bulevardit “Nikolla Teslla” që është në qendër të qytetit dhe do të nisim me hapjen e bulevardeve të tjera.” – deklaroi Durmishi.



    14 NËNTOR, 2022
    SHTËPIA E FUNDIT QË DUHET TË PRISHET NË “BLLAGOJA TOSKA” | Arrihet marrëveshje ndërmjet Komunës së Tetovës dhe pronarit të shtëpisë


    Shtëpia e fundit që duheshte të rrënohej sot në bulevardin “Bllagoja Toska” në Tetovë u shty edhe për një afat 2 javor, për shkak se pronari i shtëpisë Islam Rushiti duhet të lirojë shtëpinë, gjegjësisht të largojë gjërat nga shtëpia dhe do të vendoset në një banesë për një afat të shkurtër, derisa marrëveshja me Komunën e Tetovës të finalizohet, raporton Nistori.

    “Njëherë është vendosur për dy javë ditë, pastaj do të presim se çfarë do të vendosë me vlerësimin e vendit. Edhe dy javë do të qëndrojmë këtu. Brenda këtyre dy javëve ne duhet ta lirojmë vendin dhe ata të na japin paratë – vlerësimin sa e ka dhe të bëhet plani të ndërtojmë aty. Na kanë thënë se kërkesën tonë do e marrin parasysh, sa ka thënë vlerësimi, edhe ne e lirojmë, si krejt qyteti që është mbi 30%, e lirojmë dhe është puna pastër. Jetoj 60 vite, me gjashtë fëmijë. Nuk jam kundër rrugës. Pasi të prishet, do të qëndrojmë me një banesë. Kërkesa jonë, ashtu siç e kërkojmë, realizohet, të paktën kështu na kanë thënë”, tha Rushiti.

    12 NËNTOR, 2022
    Kontesti në bulevardin “Bllagoja Toska”, banori nuk e pranonte ofertën, e vlerësonte ofertë të lirë, Kasami paralajmëroi për ndërhyrje të policisë.

    Edhe pse Komuna e Tetovës arriti marrëveshje për shpronësim me pronarët e objekteve që duhej të rrënoheshin, por si duket kontesti pronësor nuk ka përfunduar plotësisht. Banori në rrugën “Bllagoja Toska”, Islam Rushiti nuk e pranon ofertën e Komunës së Tetovës për prishjen e shtëpisë, gjë që do të mundësonte punimet të vazhdojnë edhe më tej në këtë rrugë. Rushiti thotë se, vlerësimi i shtëpisë me vendin, sipas ekspertizës është 122 mijë euro, ndërsa komuna i ofron 76 mijë euro, raporton Nistori.

    Bulevardi “Bllagoja Toska”, Kasami: Ne po e jetësojmë projektin | BDI: Kjo arritje që po reklamoheni është falë punës së Teuta Arifit

    17 MAJ, 2022
    Ditë më parë filluan punimet në ndërtimin e bulevardit në “Bllagoja Toska”. Sipas kryetarit të komunës së Tetovës, Bilall Kasami, shpronësimi, gjegjësisht të gjitha mosmarrëveshjet me pronarët e shtëpive kanë përfunduar me sukses dhe asfaltimi i rrugës nga shkolla e mesme tekstile duhet të vazhdojë deri te ura afër Spitalit Klinik të Tetovës, shkruan Nistori.

    Sipas Kasamit rruga do të jetë gati në një afat të shkurtër kohor. I pyetur nga Nistori nëse vërtetë është kryer shpronësimi dhe se kur do të përfundojnë saktësisht punimet, ai deklaroi se, sipas dinamikës së punëve në terren, bulevardi do të jetë gati në vjeshtë të vitit 2022.

    Fillimi i punëve të Teuta Arifit dihet, por jo edhe përundimi

    Kasami premton ndërtimin e parkingjeve në kate dhe se nuk do të lejojë ndërtime pa leje në Tetovë

    25 TETOR, 2021
    Kandidati për kryetar tëKomunës së Tetovës nga rradhët e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami mbajti konferencë shtypi në të cilën i potencoi problemet infrastrukturore me të cilat përballet qyteti dhe zgjidhjet të cilat i ofron për to.

    “Nuk do të lejojmë ndërtime pa leje- gjithë politika urbanistike do të fokusohet në zgjerimin e mjediseve urbane, ndërsa jo në mbytje të atyre ekzistuese. Plan urbanistik detajor për Kodrën e Diellit, Reçicën e Vogël dhe disa lagje të qytetit. Do të përkushtohemi në hapjen e tre bulevardeve si arterie kryesore e qytetit Qendër-Ilinden”, vazhdojmë në bulevardin “Bllagoja Toska” dhe bulevardin “Vidoe Smilevski-Bato”, theksoi Kasami…



    31 GUSHT, 2021
    Me mjetet e ndara nga Programi TAV për Komunën e Tetovës do të realizohen dy projekte. Bëhet fjalë për bulevardin “Bllagoja Toska” dhe shtratin e Lumit Shkumbin. Ende nuk dihet se sa do të zgjasin punimet për këto dy projekte të Komunës së Tetovës, të cilët kryetarja e kësaj komune, Teuta Arifi, ka filluar t`i realizojë në fund të mandatit të saj. Më 10 korrik Komuna e Tetovës nënshkroi kontratën në vlerë prej 30 milion denarë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe investitorin TAV, për rregullimin e plotë të shtratit dhe shëtitores të Lumit Shkumbin. Lidhur me atë se kur do të fillojnë punët për rregullimin e shtratit të Lumit Shkumbin, e pyetur nga Gazeta Koha, kryetarja Arifi nuk ka dhënë përgjigje konkrete as për fillimin apo mbarimin e punëve, por vetëm nënvizoi se shumë shpejtë edhe atje do të fillojnë punët.

    “Njëjtë sikurse që jeni të pranishëm në fillimin e punëve të Bulevardit ‘Bllagoja Toska’, po ashtu edhe në fillimin e punëve për atë projekt të rëndësishëm për Tetovën do të jeni të ftuar”, tha kryetarja Arifi….

    Ndryshe, bulevardi u premtua në dy mandatet e ish-kryetares Teuta Arifi, por nuk u has deri në realizimin e tërësishëm të këtij projekti, projekt i cili do t’ua lehtësojë lëvizjen në trafik qytetarëve. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    ShGM: Gazetarët janë për të parashtruar pyetje me interes publik, jo të refuzohen nga funksionarët

    Lajmi i rradhës

    Federata serbe gjobitet për shkak të Kosovës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë