Dhjetëra komuna në vendin tonë kanë xhirollogari të bllokuara për shkak të borxheve marramendëse të trashëguar nga njëri kryetarë tek tjetri, tek disa prej të cilave me kalimin e viteve hendeku i krijuar nga borxhet është thelluar edhe më shumë.
Keq menaxhimi i parave nga ana e komunave ka bërë që disa herë shteti të ndajë para nga buxheti për t’i ndihmuar në shlyerjen e borxheve. Pyetëm ambasadoren e SHBA-ve në Shkup, Kate Mary Bërns, se a vlerëson se kjo praktikë është normale për një vend që synon të ndjekë rrugën e shteteve evropiane.
“Analizën e situatës aktuale do ta lë në dorën e atyre që e njohin më mirë se unë. Por është e rëndësishme që përmes këtij projekti po përpiqemi të bëjmë që komunat të kenë aftësi që ju duhen jo vetëm për të menaxhuar resurset që marrin nga pushteti qendror, por të mund të krijojnë edhe vet një burim të ardhurash. Dhe më e rëndësishmja, ndërkohë që ata realizojnë këtë proces, të mund ta bëjnë të njëjtin në një mënyrë transparente ndaj qytetarëve”, thotë Kate Mary Bërns.
Tashmë 24 komuna kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi në kuadër të projektit të USAID që ka për qëllim t’i ndihmojë komunat që të menaxhojnë më mirë paratë dhe të jenë më kreative për sigurim të të ardhurave.
“Po punojmë me komuna në menaxhimin e borxheve dhe u ofrojmë rekomandime të cilat reflektohen në ndryshimet aktuale ligjore. Grupi i parë i komunave që nënshkruan memorandumin kanë shfaqur rezultate. Ata kanë arritur me sukses që të përditësojnë sistemin për taksat dhe tatimet mbi pronën, përmes regjistrimit dhe rivlerësimit të pronave”, u shpreh Ginka Kapitanova-shefe e USAID për Maqedoninë e Veriut.
Vizioni për rritjen e zhvillimit lokal dhe përmirësimin e kapaciteteve financiare të komunave është baza e reformës e cila është përkthyer në një ligj që aktualisht është në procedurë parlamentare që promovon decentralizimin fiskal.
Reforma përbëhet nga tre shtylla kryesore dhe përfshin: rritjen e kapacitetit fiskal të komunave dhe të ardhurave të tyre; Rritja e disiplinës financiare të komunave, zvogëlimi i borxheve dhe rritja e transparencës dhe llogaridhënies. Komunat tani marrin 2,8 miliardë denarë nga TVSH-ja dhe tatimit në të ardhura personale, ndërsa draft ndryshimet e reja ligjore parashikojnë që deri në vitin 2024 këto mjete gradualisht të rriten në 5,2 miliardë denarë. /Alsat/