NIS GARA PËR PUNËSIME! Shpallje gjithandej para zgjedhjeve

    Si para çdo cikli zgjedhor edhe tani shihet nxitimi i institucioneve shtetërore për punësim, dhe kjo më së miri vërehet në ueb-faqen e Agjencisë për Administratë ku janë shfaqur shpallje të shumta për punësime nëpër institucione shtetërore, ministri, komuna e ndërmarrje publike. Mundësi e cila së shpejti do tu mohohet pasi pas një muaji vendi do të ketë qeveri teknike e cila do të menaxhojë në 100 ditët e fundit të qeverisë, periudhë kjo e cila do duhet të pezullojë shumë aktivitete, ndër to edhe punësimet në administratë. Ndonëse aktive janë dhjetëra shpallje ku kërkohet staf i ri, kompania e cila do të punësojë më së shumti punëtorë është Elektroekonomia e Maqedonisë, e cila kërkon rreth 500 punëtorë të rinj si inxhinier, elektricistë, kontabilistë, e deri tek higjienistë. Pagat në këtë kompani shtetërore sillen nga 30 deri 60 mijë denarë.

    Sipas kryeministrit Kovaçevski punësimi është pjesë e procesit teknologjik për plotësimin e vendeve të punës. Arsyetim ky i cili më pas u lëshua edhe nga Elektroekonomia e Maqedonisë në një komunikatë për media. Nga atje thonë se nga 2020 deri 2023 numri i të punësuarve është ulur për 1190, prej të cilëve 76% kanë qenë në procesin e prodhimit dhe mbi 23% në pjesën administrative.

    “Vitin e kaluar kur u përballem me krizën energjetike u ndje një nevojë serioze për punonjës të rinj, veçanërisht në fushën e prodhimit të energjisë elektrike. Nevojat për energji elektrike janë të njëjta dhe prodhimi duhet të vazhdojë në të njëjtin ritëm, të mbetet i besueshëm dhe stabil, e për këtë duhen ekspertë që do ta bëjnë të mundur”, thuhet në komunikatën e Elektroekonomisë së Maqedonisë.

    Sipas tyre, nevoja më e madhe është në procesin e prodhimit dhe stafit mbështetës. Mbi 87% e njoftimeve për punësim i referohen këtij lloji të personelit, dhe vetëm 12% vendeve të punës në pjesën administrative. Përveç Elektroekonomisë në prag të zgjedhjeve shpallje për punësime ka edhe në Fondin për Sigurim Shëndetësor (41), MPJ (15), Ministria e Transportit dhe Lidhjeve (10), MSHIA (8). Ueb-faqet janë vërshuar nga shpallje për punësim në agjenci të shumta shtetërore, institucione publike, shkolla, qendra shëndetësore, inspektorate të cilat skadojnë në dhjetor dhe janar 2024. Ministri i Shoqërisë Informative dhe Administratës Azir Aliu vlerëson se administrata ka nevojë për punësime të reja për çdo ditë. Sipas tij, ka njerëz të cilët largohen nga sektori publik për atë privat.

    “Kemi edhe pensionimet, kështu që ato nevoja janë gjithmonë të tilla. E di që në vazhdimësi hapen reklama nëpër institucione të ndryshme”, tha Aliu.

    Pavarësisht kritikave të shumta nga ana e BE-së për administratën, nevojën për departizim dhe reformë urgjente, vazhdohet që punësimet të bëhen në prag të zgjedhjeve. Deri më 31 dhjetor 2022 në sektorin publik kanë qenë të punësuar 129,374 persona në gjithsej 1354 institucione, ku krahasuar me vitin 2021, numri i të punësuarve është ulur për 2714 persona, ndërsa ajo që vazhdon të rritet është numri i institucioneve, ku vetëm vitin e kaluar kishim 8 të reja. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Bujqit në RMV në hall me shitjen

    Lajmi i rradhës

    Nxënësit në RMV nuk ndjehen të sigurtë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë