BULLIZMI DIGJITAL – Nora Sulejmani rrëfen ndjesinë e të qenit e bullizuar

    Fotografia: Nistori

    Gazetar | Emir Hamzi

    Ngacmimi apo siç njihet ndryshe bullizmi që gjen strehë në media sociale është po aq i dëmshëm sa ngacmimet e tjera – dhe ndonjëherë është edhe më keq. Kjo për shkak se është e vështirë dhe nuk mund ta injorosh thjeshtë, sepse mund të arrijë tek njerëzit pavarësisht se ku janë apo çfarë bëjnë, shkruan Nistori.

    Çka është ngacmimi/bullizmi?

    Bullizimi i atribuohet nënçmimit, përbuzjes, diskriminimit, paragjykimit…që nxënësi në shkollë apo në mjediset e shoqërisë përjeton ose bëjnë që të tjerët të përjetojnë. Asociacioni i parë për bullizmin është “privimi i dhunës fizike”, ose se i atribuohet vetëm viktimës. Spektri i bullizmit është shumë i gjerë: vërejtje/tallje mbi mënyrën e të veshurit, për ngjyrën e lëkurës, për fenë apo sendet materiale, një mossukses të tij në nivelin mësimor apo të performancës fizike, për një foto të shëmtuar, thirja me llagëpe, dërgimi i MSG ose komentimi në rrjetet sociale… e shumë elemente të tjera të bullizmit.

    Si mund ta ndihmojmë të bullizuarin dhe bullistin?

    Sipas profesorit universitar Qufli Osmani, do të ishte gabim të përqëndrohemi vetëm te i bullizuari. Bullizmi përfshin dy segmente kryesore: të bullizuarit dhe të bullizuarin. Prandaj edhe mbështetja dhe ndihma duhet të jetë dykahëshe.

    Më kujtohet një rast kur si psikolog, shërbimin profesional të një shkolle në Ferizaj i kam rekomanduar që nxënësi i cili bullizonte jo vetëm nxënësit, por edhe mësimdhënësit, që ta lejonin në oborrin e shkollës që të mbjellë një fidan dhe të kujdeset për të. Nxënësi jo vetëm që u kujdes për fidanin, por kërkoi që edhe nxënësit tjerë të kujdesen për të, dhe pas një kohe iu kërkoi që edhe ata të mbjellin. Më vonë, dëgjova se nxënësi përmirësoi sjelljen, suksesin shkollor, përfundoi shkollimin e mesëm dhe kishte regjistruar fakultetin. Kultivimi i shprehive pozitive dhe moralizimi i tyre do të ndihmonin, si të bullizuarit ashtu edhe bullizuesit – shprehet psikologu Osmani.

    Bullizmi – rrjetet sociale dhe si e trajton shteti?

    Sipas gazetarit të medias online Ardit Ramadani, rrjetet sociale janë “parajsë” për personat me prirje apo dëshirë për të bullizuar të tjerët, në qoftë se në të kaluarën është dashur që të përballen drejtpërdrejtë me viktimat e tyre, tashmë lehtësisht aktin e bullizmit mund ta kryejnë nëpërmjet pajisjeve digjitale, ndërkaq edhe pse bullizuesve u është lehtësuar “puna”, viktimat vazhdojnë të përjetojnë pasojat në formë të njëjtë.

    Statistikat e Ministrisë për Punë të Brendshme tregojnë se në RMV gjatë dekadës së fundit ka pasur 1,343 vetvrasje kurse vetëm gjatë vitit 2020 rreth njëqind persona janë vetëvrarë. As këto numra, as rritja e numrit të pacientëve në spitalet psikiatrike nuk kanë shërbyer si alarm për institucionet tona që të ndërmarrin diçka efektive në këtë drejtim, është paradoksale se si „profesionalizmi” dhe vullneti për të ndërmarrë diçka në formë sa më të shpejti kundrejt bullizmit kibernetik rritet për 100% në rastet kur viktima të këtij lloji të bullizmit apo kërcënimeve, janë politikanët apo zyrtarët shtetërorë. Më kujtohet kur një 49 vjeçar nga Shkupi u burgos të nesërmen pasi kishte ofenduar ish kryeministrin Zaev në Fejsbuk. Rastet si kjo, janë dëshmi se megjithatë institucionet tona kanë përgaditjen e nevojshme për të reaguar dhe zbardhur rastet e tilla, por këtë e bëjnë në mënyrë selektive dhe vetëm kur ju cënohet shefi i tyre ndërkaq qyteatarët e thjeshtë së bashku me gazetarët, të cilët duhet thënë se janë në mënyrë të vazhdueshme viktima të dhunës kibernetike, lihen në mëshirë të fatit. Megjithatë, besoj se problemi është më i thellë dhe zinxhir, fillimisht, duhet nga shkolla fillore që fëmijët të edukohen në lidhje me sigurinë në internet, psikologët e shkollave (sidomos fillore dhe të mesme)” – shprehet Ramadani.

    Media online – gjeneratore kryesore e theksimit të bullizmit

    Interneti është i përhershëm – ajo që postoni mund të jetojë përgjithmonë, edhe nëse e fshini. Supozoni se çdo gjë që ndani në internet ose në aplikacione mund të shihet nga kushdo, kudo, pavarësisht se çfarë lloj cilësimesh privatësie përdorni. Është gjithashtu e lehtë për njerëzit që të ruajnë dhe të ndajnë pamjet e ekranit të gjërave që postoni. Aktivistja nga Kosova – Fjollë Hajrizaj thotë luftën ndaj bullizmit duhet ta kemi mision të përbashkët që të mos ia bëjmë njëri-tjetrit jetën më të vështirë.

    Bullizmi si fenomen ndodh kurdo dhe kudo, në shtëpi, në rrugë, në shkollë, në ambiente shoqërore dhe rrjete sociale. Mirëpo shpejtësi më të madhe të përhapjes – bullizmi ka theks të veçantë në rrjetet sociale. Kur ndodh bullizmi, vihet në pah lokalizmi, kulti i njeriut për vete si i paprekshëm nga ekspozimi i tillë dhe nga mungesa e theksuar e empatisë. Është bërë madje aq i shpeshtë si fenomen saqë po shihet si formë e përshtatshme e argëtimit kolektiv, pa menduar dhe bashkëndjerë për faktin se qëndron një njeri i vertetë pas asaj përmbajtjeje dhe bullizmi mund të ketë ndikim po aq negativ sa t’i jap edhe kahej tjetër jetës së tij/saj – shprehet Hajrizaj.

    RAST SOCIAL

    Nora Sulejmani – vajza albine që është përballur me bullizmin

    Të rritesh me albinizëm në një vend me sistem arsimor të tmerrshëm nuk ka qenë e lehte për Norën. Arti ishte mënyra e vetme për t’i shpëtuar realitetit.

    Rrëfimi i Norës
    “Unë gjatë gjithë jetës sime kam luftuar të jem si të tjerët, derisa e kuptova se është gabim. Unë jam e veçantë dhe kam nevoja ndryshe nga të tjerë. Ne të gjithe jemi ndryshe dhe të veçantë në një mënyrë apo tjetrën. Mua më thërrasin alien, vampir dhe plakë kur eci rrugëve dhe kjo është e pa pranueshme, sepse unë jam njeri i zakonshëm. Jam diskriminuar dhe bullizuar në shkollë, në shoqëri, në internet, madje kjo ndodh edhe sot. Kur isha në rrethin primar, pra vetëm me familjen nuk kishte shenja të bullizmit, sepse familja të do dhe të mbron. Njerëzit gjithmonë komentojnë pamjen time dhe prindërit apo gjyshërit gjithmonë u duheshte të më mbrojnë nga komentet negative. Kur u përballa me personat jo të familjes, sidomos në shkollë, gjithçka ndryshoi, sepse unë duheshte të ballafaqohem personalisht me bullizuesit. Nga ato kishte edhe mësimdhënës. Arti ishte mënyra ime për t’i shpëtuar disi realitetit. Në shkollë mësuesit më thonin të “pikturoj” dhe “të qëndroj pas artit” sepse kujt i duhet matematika, shkenca, historia, gjuhët, etj?! Ndihesha disi rehat me faktin se e vetmja lëndë mësimore për të cilën duhej të kujdesesha ishte arti figurativ. Ndjeja se arti ishte e vetmja gjë që mund të bëja mirë dhe kisha lirinë për t’u shprehur pa asnjë kufizim. Por me sa duket ata donin të më thonin se unë isha jo intelegjente dhe nuk ia vlente të më mësonin lëndë të tjera. Nuk isha në gjendje të ndiqja mësimin normal si gjithë të tjerët për shkak të shikimit tim të dobët. Edhe për këtë ata kontribuan për të më ngacmuar, duke më thënë se jam jo intelegjente dhe përfitonin nga unë dhe “aftësitë e mia të artit”, kështu që unë gjithmonë do ta dekoroja shkollën për ngjarje të caktuara. E kishim një grup në klasë “banka e dibidusave” ku do të më duhej të ulesha bashkë me një grup nxënësish me vështirësi të ndryshme. Ndonjëherë na godisnin nëse nuk mund të përgjigjeshim korrekt, ose na thonin se jemi thjesht budallenjë. Dhe unë i besoja. Imagjinoni t’i trajtoni fëmijët në këtë mënyrë?!“.

    Bullizmi digjital – çfarë thotë Nora?

    Më vonë, kur interneti dhe rrjetet sociale ishin më aktuale, bullizmi u digjitalizua. Shokë dhe shoqe më fotografonin pa lejen time dhe keqpërdornin ato duke ua dërguar njëri-tjetrit dhe më përqeshnin. Kjo ishte një ndër periudhat më të vështira të jetës sime. Sepse nuk dija si të luftoj dhe të mbrohem.

    Çfarë duhet të bëjë politika në RMV ndaj bullizmit?

    Sipas Norës – ndërgjegjësimi familjar është i patjetërsueshëm. Edukumi i fëmijëve që në klasë të parë për bullizmin dhe si ta trajtojmë njëri-tjetrin duhet të jetë obligativ. Prindërit apo kujdestarët e fëmijëve luajnë një rol shumë të madh në zhvillimin e tyre.

    Kjo temë duhet të rifreskohet dhe tek adoleshentet, me që adoleshenca është mosha më «delikate». Ka shumë pak aktivitete dhe informacione. Është për të ardhur keq. Prandaj kjo temë duhet të jetë pjesë e plan programit të shkollave në Maqedoninë e Veriut. Duhet t’i mësojnë fëmijët që nga mosha më e vogël se do të ketë njerëz të ndryshëm si ne dhe kjo është krejt normale, me qëllim që të krijojmë së bashku një shoqëri inkluzive. Nëse nuk njihni dikë me aftësi të kufizuara ose sëmundje të rrallë, është e lehtë të keni paragjykime të caktuara. Paragjykimet se kush është personi dhe nëse personi është “normal”. E vërteta është se askush nuk është “normal”, por të gjithë bëjmë më të mirën që të jemi pjesë e shoqërisë. Ne jemi po aq të mençur e të aftë, vetëm se i bëjmë gjërat ndryshe ose na duhet më shumë kohë. Neve nuk na pret krahët sëmundja apo ç’regullimi, por shoqëria e cila nuk beson në ne. Mërzitem kur dëgjoj e lexoj raste ku fëmijet nuk duan të shkojnë në shkollë, sepse do bëhen pre e paragjykimeve dhe bullizmit. Shkolla është një arenë shumë e rëndësishme për formimin tonë, prandaj aty duhet investuar shumë edhe në vetëdijësimin për bullizmin.

    Psikologja klinike Edlira Destani për Nistori thotë se deri tani është folur për ngacmimet në shkollë në mes të nxënësve nëpërmjet aktiviteteve dhe projekteve të tjera, por përderisa është një fenomen në rritje, tregon që nuk po bëhet mjaftueshëm nga ana e qeverisë.

    Të mos ndodh bullizëm do të thotë mes të tjerash edhe që fëmijët të kenë një nivel të lartë edukate dhe socializimi. Personalisht mendoj se jo vetëm në një lëndë të caktuar të flitet për bullizmin, por në përgjithësi në programin edukativo-arsimor të shtohet përqindja e elementeve edukative. Mendoj se ka ardhur momenti që shkollat të krijojnë një sistem të rregullt të aktiviteteve të përjavshme që do të jetë jashtë orarit të orëve të mësimit. Në këto aktivitete përmes grupeve sipas interesave dhe pasioneve, të gjithë nxënësit do të organizohen dhe do të kenë mundësi të socializohen më shumë me njëri-tjetrin, do rritet respekti dhe do fitohen cilësi mohuese të ngacmimeve mes tyre” – shton Destani. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    “Grupi i Kumanovës”, Kosova heshtë përballë kërkesës për transfer

    Lajmi i rradhës

    Perimet natyrale të muajit shkurt

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë