Çdo gjë që vendoset nga komuna, përfundon në lum!

    Në tetor të vitit që lamë pas, u publikua një hulumtim i cili e pasqyron sjelljen e pa hijshme të vazhdueshme me veprimet e pandërgjegjshme të qytetarëve. Objektet që vendosen nga komuna në vende të ndryshme të këndeve të qyteteve, po dëmtohen dhe hidhen në lum nga qytetarët. Rasti i fundit ndodhi në qytetin e Tetovës, ku edhe pse me vite ekzistojnë kamera në Parkun e gruas në Tetovë, kjo nuk i ka ndalur deri më tani qytetarët e pandërgjegjshëm pothuajse tërësisht ta shkatërrojnë vendin dhe pajisjet.

    Pjesë të këndit të lojërave në Tetovë u gjetën në lumin Shkumbin, pasi që disa individë të pandërgjegjshëm paraprakisht e dëmtuan dhe e thyen pajisjen urbane. Ky rast është evidentuar nga shërbimet komunale në këndin e lojërave i ndërtuar në këndin e lumit Shkumbin mes rrugës “Bllagoja Toska” dhe “Video Smilevki-Bato”.

    Nga Komuna e Tetovës bënë thirrje qytetarëve për mbrojtjen e qytetit, duke shtuar se këto veprime paraqesin një pasqyrë të shëmtuar. “Veprimet e këtilla të shëmtuara nuk kanë dobi, përkundrazi paraqesin pasqyrë të shëmtuar për qytetin tonë. Pajisja është e të gjithëve, qyteti është i yni. Nëse nuk punojmë së bashku, do ta kemi të vështirë të zhvillohemi dhe të shkojmë përpara. U bëjmë thirrje qytetarëve ta mbrojnë qytetin. Shpresojmë se kompetentët do t’i gjejnë dhe dënojnë ata të cilët i dëmtuan rekuizitat që i shfrytëzojnë fëmijët”, kumtuan nga Komuna e Tetovës.

    Ndërkaq, një muaj më parë, më të njëjtën situatë u përball edhe Komuna e Kumanovës, ku siç njoftoi kryetari i komunës Maksim Dimitrievski, 10 ditë pas vendosjes së karrigeve në parkun e qytetit, u dëmtuan dhe u hodhën në lum nga qytetarët.

    Ndërkaq rreth dëmtimit të hapësirës publike dhe investimeve të Komunës së Kumanovës, kanë reaguar edhe qytetarë dhe aktivistë.

    Eneida Sulejmani, anëtare e forumit rinor të Alternativës u shpreh e revoltuar në lidhje me dëmtimin e karrigeve të vendosura 10 ditë më herët në parkun qytetit. Ajo akuzoi se dëmtimet janë bërë qëllimisht nga ana e aktivistëve të partive politike që kanë qeverisur në pushtetin lokal në Kumanovë në 17 vitet e fundit.

    “E kuptoj që opozitarizmi është i vështirë , e sidomos pas 17 viteve pushtet, të humbë busulla. Ama të dëmtohen të mirat e përbashkëta që po ndërtohen në qytetin tonë, kjo vetëm njerëzore nuk është. Nuk ka as një javë që janë vendosur karriget në parkun e qytetit dhe të përfundojnë në lum është vërtetë e turpshme , kjo tregon se nuk jemi në gjendje ta ruajmë ambientin dhe të kujdesemi për qytetin tonë”, tha Sulejmani. Ajo shtoi ashpër se para se të ankesave, duhet seriozisht të mendojmë se a i meritojmë të mirat që po bëhen në qytetin tonë.

    Ndër të tjera, për sa i përket parqeve dhe rinkonstrumit të tyre, në vitin 2017 në kohën e udhëheqësisë së kaluar komunale përfundoi rikonstruimi i parkut të Tetovës, por këndi i lojërave për fëmijë ka kohë që nuk janë tashmë sepse disa muaj më pas u shkatërruan tërësisht. E njëjta gjë është bërë edhe me të gjitha ulëset, shportat e mbeturinave, pajisjet për stërvitje. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Në RMV politizohet edhe ‘qielli’

    Lajmi i rradhës

    Ndotja në RMV nuk po gjen zgjidhje

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë