Ndotja në RMV nuk po gjen zgjidhje

    Ajri i ndotur me vite po rrezikon shëndetin e qytetarëve në një pjesë të madhe të Maqedonisë. Grimcat e dëmshme PM që rrezikojnë shëndetin e qytetarëve jo vetëm në Shkup, por edhe Tetovë dhe Manastir vitet e kaluara ishin rritur edhe për tetë herë më shumë se kufijtë e lejueshëm.

    Mbi të gjitha me mbi 45 për qind ngrohja me dru dhe materiale tjera, komunikacioni i dendur, pluhuri nga ndërtimet e ndryshme, oxhaqet e kapaciteteve prodhuese së bashku me veturat që vozisin me dizel, renditen ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e ndotjes, andaj edhe zgjidhja e problemit duhet të jetë gjithëpërfshirëse thonë njohësit e kësaj problematike.

    Ekspertët shëndetësor thonë se problemi me ndotjen e ajrit në Maqedoni, nuk zgjidhet me rekomandime, por me masa serioze parandaluese dhe koordinimin më të madh e të gjithë faktorëve me qëllim të zbutjes së problemit të ndotjes. Ato vlerësojnë se ulja e ndotjes së ajrit do të shpëtojë jetën e më shumë pacientëve. Nga Ministria e ambientit jetësor, thonë se rregullativa ligjore është adekuate, që parasheh një sërë masash, përfshirë edhe gjobat për ndotësit, por problemi kryesor sipas kësaj ministrie, qëndron në mënyrën e ngrohjes gjatë sezonit dimëror.

    “Përderisa të mos e ndryshojmë mënyrën e ngrohjes së ndërtesave dhe banesave publike dhe private, nuk do të kemi zgjidhje afatgjatë për këtë problem. duhet të presim ndërtimin e rrjetit të gazit dhe investime tjera në sistemin energjetik, që të mund të shohim rezultate edhe në uljen e ndotjes së ajrit”, thonë nga Ministria e ambientit jetësor.

    Drejtuesit e institucioneve shumë herë kanë premtuar modernizimin e transportit publik, të sistemeve të ngrohjes të cilat ende përdorin mazutin si lëndë djegëse, dhe masa të tjera, po akoma po zbatohen shumë ngadalë dhe sërish edhe sivjet kemi ndotje të madhe të ajrit në vend.

    Rreth 700 objekte publike në të gjithë vendin janë ndotëse pasi ngrohen me mazut dhe naftë, tregon harta e bërë nga nisma qytetare “Shans për qendrën”. Vetëm në Shkup, 100 objekte publike, apo spitale, kopshte, shkolla, kazerma, gjykata dhe institucione të tjera përdorin mazut dhe naftë, pavarësisht se qyteti ka ngrohje qendrore. Edhe pse Shkupi prin, në pozitë të palakmueshme janë edhe qytetarët e Tetovës, Kumanovës, Manastirit, Prilepit, Ohrit, Shtipit, Gostivarit.

    “Nëse dimri është i ftohtë, ata mund të djegin mbi 16.5 milionë litra naftë dhe mbi 4.8 mijë tonë naftë. ne do të thithim këtë natyrisht. Për ngrohjen e tyre për një sezon, qytetarët do të paguajnë mbi 20 milionë euro përmes buxhetit të shtetit dhe komunave”, thonë nga “Shansa për Qendrën”. Shtojnë se këtë vit nuk është bërë ndryshimi i mënyrës së ngrohjes në një numër të madh të objekteve publike që ngrohen me naftë dhe mazut për të ulur ndotjen e ajrit në dimër. Ata do të vazhdojnë të ndotin këtë dimër dhe sërish vendi do të jetë ndër tre vendet më të ndotura në Evropë.

    Nga atje shtojnë se në buxhetin e miratuar për vitin 2024 me 63 vota “po”, nga një total prej 6.32 miliardë euro, vetëm 0.83 për qind është planifikuar për mbrojtjen e mjedisit, nga të cilat zero është caktuar për uljen specifike të ndotjes së ajrit, nga e cila ne çdo vit vdesim si të kositur dhe sëmuremi nga një sërë sëmundjesh. Mijëra vdekje në vit dhe zero denarë për trajtimin e menjëhershëm të këtij problemi të tmerrshëm që, sipas Bankës Botërore dhe numrit të vdekjeve, na kushton mesatarisht 1-2 miliardë dollarë në vit. Bile statistika tregon se nga taksat e mbledhura për mjedisin (apo sipas Entit Shtetëror të Statistikave), nga më shumë se 230 milionë euro në vit, zero euro ndahen për uljen e ndotjes së ajrit.

    Nga Ministria e Mjedisit thonë nuk ka marrë informacion zyrtar nga komunat për masat e ndërmarra, por jozyrtarisht është konfirmuar se shumica e këshillave të komunave kanë miratuar grupe masash afatshkurtra që duhet të zbatohen gjatë muajve të dimrit. Theksojnë se shteti edhe po ndihmon komunat duke identifikuar ndotësit potencial, përderisa komunat duhet të realizojnë jo vetëm masa afatshkurtra por edhe afatgjate të miratuara nga këshillat komunal.

    Nga ky dikaster thonë se masat aktuale për mbrojtjen nga ndotja e ajrit janë afatshkurtra dhe zëvendësimi i sistemeve të ngrohjes me ato miqësore me mjedisin është një masë afatgjatë, por edhe një proces afatgjatë që ka filluar katër deri në pesë vjet më parë, ku ndahen mjetet me vendim të qeverisë. Pra, sisteme të tilla tashmë janë futur në objekte më të mëdha shëndetësore dhe do t’u ndihmojnë komunave që do të paraqesin kërkesë dhe projekt. Inkurajohen bashkitë siç shteti zbaton projekte në ndërtesa publike të bëjnë të njëjtën brenda mundësive të tyre, ndonëse disa ndihmojnë familjet me blerjen e inverterëve dhe ndryshimin e sistemit të ngrohjes.

    Ministrja e Mjedisit Kaja Shukova, thotë se gënjejmë nëse themi se mund ta ulim ndotjen e ajrit me 30, 40 apo 50 për qind në një, dy apo tre vit. këtë nuk e ka bërë asnjë metropol, sa madhësia e Shkupit.

    Njëra pjesë e problemit është sigurisht ndërgjegjësimi publik i bashkëqytetarëve. Gjëja tjetër është se çfarë duhet të bëjnë realisht shteti dhe pushteti vendor. Ne kemi një sistem të decentralizuar të menaxhimit në vend. Kjo do të thotë se një pjesë të madhe të kompetencave i kemi bartur në nivel të komunave.

    “Ne presim që komunat të vazhdojnë me masa inkurajuese, përfshirë subvencionimin e disa prej qytetarëve që janë veçanërisht nga kategoritë sociale. Gjithashtu duhet të jemi të vetëdijshëm se kemi disa kategori qytetarësh. Problemi më i madh është zakonisht me kategorinë sociale të qytetarëve, të cilët, përveç drurit, për fat të keq, për të ngrohur veten, edhe djegin materiale të tjera që ndotin ajrin, siç janë plastika, vajrat e mbeturinave dhe të ngjashme”, thekson Shukova.

    Nga Shoqata ekologjike “nisma o2” thonë se është e pakuptueshme se si institucionet, jo vetëm që nuk ndërmarrin masa, por edhe ulin fondet kur dihet fakti se qytetarët paguajnë dukshëm më shumë për taksat mjedisore. “Nuk ka para për ekologjinë, ndërkohë më shumë se 3.000 qytetarë tanë vdesin çdo vit për shkak të ajrit të ndotur. kjo është e papranueshme”, thonë nga shoqata “nisma o2”.

    Vlerësojnë se gjërat nuk do të përmirësohen derisa të ndizet alarmi tek të gjithë, pushtetin qendror e vendor dhe sigurisht me secilin nga ne individualisht. “Vetëm masa konkrete, jo status quo! dhe rikthejini paratë e mbledhura nga taksat mjedisore në mjedis dhe zgjidhni këtë ajër vdekjeprurës”, shtojnë nga kjo organizatë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Çdo gjë që vendoset nga komuna, përfundon në lum!

    Lajmi i rradhës

    Zgjedhjet, më pas integrimet!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë