Çdo i teti në RMV jeton nga bujqësia

    Më së shumti të punësuar në Maqedoni janë të angazhuar në industrinë përpunuese apo në fabrika që punësojnë 160.223 punëtorë, pason tregtia me 118.722 punëtorë dhe bujqësia me 94.105 të punësuar. Sipas të dhënave zyrtare, në fund të muajit mars këtë vit, popullata aktive e aftë për punë në vend përbëhet nga 943.964 persona, prej të cilëve të punësuar janë 793.121 persona, ndërsa 150.843 persona janë të papunë. Shkalla e papunësisë është 16 për qind, ndërsa ajo e punësimit është 47.1 për qind. Pagat mesatare në fabrika janë afër 25 mijë denarë edhe pse me dhjetëra mijëra punëtorë punojnë edhe për pagë minimale, ndërsa në tregti – pagat mesatare janë 26 mijë denarë, ndërsa njëjtë sikurse në fabrika, edhe në tregti janë mijëra punëtorë që punojnë për pagë 18 apo 20 mijë denarë.

    Në ndërkohë, në një ndër profesionet më të çmuara dhe më të paguara – në banka dhe sigurime, janë të angazhuar 10.692 të punësuar apo vetëm 1.3 për qind janë të angazhuar në këto veprimtari atraktive financiare. Njëherësh, për shkak të fitimit më të madh apo më të vogël të veprimtarive të ndryshme ekzistojnë edhe dallime të mëdha në paga në profesione të ndryshme. Përderisa në bujqësi, paga mesatare është 24.547 denarë që është për afër 11 mijë denarë më pak se rroga mesatare në shtet, në veprimtarinë e financave dhe sigurimeve pagat mesatare janë 42.740 denarë, apo për 9 mijë denarë më shumë se paga mesatare e shtetit që aktualisht arrin më shumë se 35.000 denarë.

    Në një nga sektorët më të rëndësishëm ekonomik të shtetit, atë të ndërtimtarisë – janë të punësuar rreth 48 mijë punëtorë me paga mesatare prej afër 29 mijë denarë. Në një nga profesionet më të vështira të industrisë – xehetari, pagat në mesatare janë rreth 40.000 denarë, edhe pse punëtorët në nxjerrjen e qymyrit paguhen afër 25 mijë denarë në muaj, ndërsa ato në punën e nëndheshme për nxjerrjen e metaleve, paguhen afër 44 mijë denarë. Kjo degë punëson më shumë se 6200 punëtorë. Në transport janë të punësuar afër 41 mijë persona me paga mesatare prej 32.500 denarë, ndërsa në objektet e akomodim dhe shërbimit të ushqimit, me afër 19 mijë të punësuar, paga arrin afër 25 mijë denarë.

    Edhe në sektorin publik edhe në atë privat – janë të shumtë punëtorët që paguhen shumë më pak se paga mesatare e deklaruar në profesionet e tyre. Në sektorin publik me më shumë se 58.000 të punësuar, dominon administrata publike dhe mbrojtja me paga neto mesatare prej 31.300 denarë për të punësuar, e pasuar nga 55.500 të punësuar në sektorin e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale me pagë mesatare prej 35.000 denarë, dhe arsimi me 49.327 të punësuar dhe më pagë mesatare 28.550 denarë. Edhe në këto sektorë ekzistojnë dallime të mëdha në paga në varësi prej vendit të punës, arsimimit, përvojës së punës… Dallime në paga ekzistojnë edhe në sektorin privat prej 22 mijë denarë në prodhimtarinë e lëkurës apo afër 24 mijë denarë në prodhimin e veshmbathjes e deri në 40 mijë denarë në furnizimin me rrymë dhe afër 49 mijë denarë në telekomunikacion, 70 mijë denarë në programim dhe 48 mijë denarë në transportin ajror. /koha/

    Lajmi Paraprak

    TETË NDËRHYRJET NË KUSHTETUTË!

    Lajmi i rradhës

    Ministri i lë shkollat e mesme të Tetovës pa rroga

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë