Ministri i lë shkollat e mesme të Tetovës pa rroga

    Shkaku i përplasjeve mes Komunës së Tetovës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, 615 profesorë të shkollave të mesme dhe punëtorë tjerë të stafit teknik, kanë mbetur pa rroga. Përplasja ka filluar që kur Ministria e Arsimit dhe Shkencës i ka marrë kompetencat mbi gjimnazin e Tetovës “Kiril Pejçinoviq” kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Në Këshillin e Komunës së Tetovës nuk është miratuar plani financiar për gjimnazin e Tetovës, ndërsa llogaria përfundimtare po. Por, shkaku i këtyre përplasjeve me gjimnazin e Tetovës, tashmë rrogat nuk mund t’i marrin edhe profesorët nëpër shkollat tjera të mesme siç është shkolla e mesme Tekstile, Ekonomike dhe Gjimnazi “7 Marsi”.

    Nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës thonë se për shkak të marrjes së kompetencave, të njëjtit nuk kanë ingerenca që të përcjellin rekapitularin për rrogat për gjimnazin “Kiril Pejçinoviç”.

    “Për arsye se bllok-dotacionet lëshohen në mënyrë të përgjithshme për të gjitha shkollat e mesme dhe ky dotacion ekziston në Komunën e Tetovës, është bërë shpërndarja e tyre me plan financiar, të cilin e ka miratuar Këshilli Komunal, mirëpo shkaku i marrjes së kompetencave në punë të përgjithshme, ne nuk kemi ingerenca të përcjellim edhe rekapitularin për rroga për gjimnazin ‘Kiril Pejçinoviç’”, deklaron Nazmi Dauti nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës.

    Për autoritetet komunale të Tetovës, kjo është një presion më shumë politik sesa ka të bëjë me mosrespektim të procedurave.

    “Siç shihet, është presion politik që i bëhet Komunës së Tetovës për shkakun se ata vet e dinë se me marrjen e kompetencave, me akt-vendim nga ana e ministrit për Arsim dhe Shkencë për punët e përgjithshme për gjimnazin ‘Kiril Pejçinoviç’, kjo nënkupton që Komuna e Tetovës nuk ka ingerenca edhe në përgatitjen apo dërgimin e rekapitularit për rrogat për gjimnazin dhe shkaku i gjimnazit – tash e pësojnë edhe shkollat e tjera të mesme”, tha Dauti.

    Mos marrja e pagave nga ana e profesorëve dhe stafit tjetër nëpër shkollat e mesme, sipas Komunës së Tetovës, është pasojë e problemeve teknike që janë shfaqur në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Prej atje njoftojnë se Komuna e Tetovës e ka dërguar më 9 gusht rekapitularin e rrogave në formë të shtypur dhe elektronike deri tek Ministria e Arsimit dhe Shkencës, mirëpo të njëjtit ende nuk i kanë marrë rrogat, prandaj është problem teknik nga ana e kësaj ministrie që duhet të rregullohet.

    “Arsyetimi i tyre është se rekapitulari nuk mund të gjendet në arkivin e tyre edhe pse ne posedojmë fakte se i kemi dorëzuar, ndërsa një ditë më parë – zyrtarisht na është kërkuar që edhe njëherë të dorëzojmë të njëjtën dhe personalisht unë i kam dorëzuar sërish në MASH rekapitularët për katër shkollat e mesme për pagesë të rrogave për të punësuarit në këto shkolla”, sqaroi Dauti. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës theksuan se çështja do të zgjidhet brenda ditës.

    “Nga Sektori për Arsim i Komunës së Tetovës thonë se kanë dorëzuar rekapitularin për rrogat për muajin vijues, por nuk gjendet në arkivin e ministrisë, andaj pas ridërgimit të këtij rekapitulari, çështja do zgjidhet brenda ditës së sotme dhe raporti do të shkoj në Ministrinë e Financave”, njoftuan nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Çdo i teti në RMV jeton nga bujqësia

    Lajmi i rradhës

    E shkatërron ndërmarrja e shtetit, e rikonstruon mërgimtari!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë