Çfarë duhet bërë me dezinformimin

    Nga: Eliot Higgins / The Financial Times
    Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

    Në epokën dixhitale, jehonat e së vërtetës dhe të gënjeshtrës po kumbojnë me intensitet të shtuar. Çdo klikim, shpërndarje [share] dhe ricicërim [retweet] i përforcon narrativat, duke formësuar perceptimet dhe duke i skalitur realitetet. Megjithatë, mes kësaj kakofonie të zërave, shtrohen disa pyetje urgjente. Narrativës së kujt i besojmë? Dhe, me çfarë çmimi?

    Platformat e mediave sociale si X-i, që dikur çmoheshin si forca demokratizuese, gjithnjë e më shumë janë nën vëzhgim kritik. Sfida nuk ka të bëjë vetëm me postimet mashtruese ose me algoritmet e pakontrolluara. Kjo e pasqyron sëmundjen më të thellë, të rrënjosur në mosbesim shoqëror, që përkeqësohet prej modeleve të biznesit dhe që përjetësohet nga politikat reaktive. Degëzimet e dezinformatave përhapen në rrugë – me pasoja të prekshme, shpeshherë shkatërrimtare për botën reale.

    Këto procese veçse zhvilloheshin në vitin 2014, kur unë e themelova grupin hetimor me burime të hapura [open-source], Bellingcat. Pasi i kalova dy vjet duke shkruar për konfliktin në Siri, kuptova se grumbullimi i njohurive dhe ekspertizës në internet ishte mënyrë jo vetëm për të adresuar drejtpërdrejt dezinformimin, por për të demokratizuar vetë procesin e hetimit.

    Tani, gati një dekadë më vonë, problemi është në një shkallë tjetër. Por, ka zgjidhje të qasshme – nëse jemi të përgatitur t’i zbatojmë ato në praktikë.

    Në hartimin e kursit, gjëja e parë që duhet të bëjmë është të përballemi me transformimet shqetësuese që ndodhin brenda platformave të cilat për shumicën janë bërë burime kryesore të lajmeve. X-i, dikur Twitter-i, qëndron si shembulli kryesor i këtij ndryshimi.

    Para blerjes së platformës nga Elon Musku, procesi i verifikimit të tij kryesisht ishte konceptuar për të vërtetuar identitetin e figurave të profilit të lartë, duke përfshirë të famshmit, politikanët, gazetarët dhe individët e tjerë të shquar. Aplikantët për shenjë e kaltër [blue tick] i ofronin dëshmitë e identitetit të tyre dhe të rëndësisë publike, me ç’rast ekipi i Twitter-it kontrollonte nëse llogaritë i plotësonin disa kritere – të tilla si të qenit në interes të publikut dhe që të kenë rekord të respektimit të rregullave të Twitter-it.

    Tani, për dallim nga kjo, shenja e kaltër jepet në këmbim të një tarife mujore, duke baltosur ujërat e diskursit autentik. Nëse bëhet i paqartë dallimi mes autoritetit të vërtetë dhe rëndësisë së blerë, dallimi i së vërtetës nga zhurma shndërrohet – për përdoruesin e përditshëm – në detyrë herkuliane.

    Ky transformim ka një aspekt edhe më të rëndë kur merren parasysh predispozitat algoritmike të platformës të cilat, të nxitura nga metrikat e angazhimit, mund të përforcojnë zërat sensacionalë ose të diskutueshëm.

    Këtu rreziku është i dyfishtë. Menjëherë ekziston rreziku që opinioni publik të formësohet nga narrativat e shtrembëruara apo edhe të rreme. Por, në mënyrë më tinëzare – teksa sensacionalja vazhdimisht e tejkalon raportimin e matur dhe të bazuar në fakte – gërryhet besimi i publikut në platformat e mediave sociale si burimet të besueshme të lajmeve. Ky mosbesim i shtuar, i përkeqësuar nga përhapja e dezinformatave rreth burimeve tradicionale të lajmeve, kërcënon të minojë në tërësi besimin e publikut në media.

    Kjo është bërë e dukshme në konfliktin aktual Izrael-Palestinë, gjatë të cilit llogaritë që më parë ishin të ndaluara nga Twitter-i dhe që ishin rikthyer në epokën e “fjalës së lirë” të Muskut, kanë nxitur përhapjen e dezinformatave. Një shembull i tillë është Jackson Hinkle, influencuesi amerikan i krahut të djathtë i cili ka nxjerr përmbajtje “anti-sioniste” dhe akuza të rreme kundër Izraelit dhe i cili ka parë se audienca e tij në X – pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor – u rrit nga 400 mijë ndjekës në më shumë se dy milionë. Kjo përmbajtje përfshin postimin e një fotografie të një gruaje në një ndërtesë të bombarduar, me mbishkrimin “Nuk mund të thyesh shpirtin palestinez”. Në fakt, ishte një imazh që ka fituar çmime dhe që është realizuar nga fotografi iranian Hassan Ghaedi – në Homs të Sirisë në vitin 2016.

    Është veçanërisht grotesk ripërdorimi i imazheve të masakrave në Siri, si dezinformata anti-izraelite ose anti-palestineze – shpeshherë nga individët që më parë kishin mohuar besueshmërinë e imazheve të tilla. Në shembullin më flagrant, një meme e përdorur nga komuniteti pro-Assad për të pretenduar se vullnetarët e Helmetave të Bardha në Sirinë e kontrolluar nga opozita po mashtronin me shpëtimin e fëmijëve, u ripërdor për të pretenduar se palestinezët po e bëjnë të njëjtën gjë si pjesë e “Palivudit” [Pallywood] – narrativës që përdoret për të mohuar vuajtjet e popullit palestinez.

    Kurthet bëhen të dukshme kur reflekton mbi veçoritë e reja të X-it, si skeda “Për ju” [For you] që premton personalizimin. Teksa pretendon se e përshtat përmbajtjen, mekanika bazike shpeshherë anon drejt virales – ndonjëherë në kurriz të vërtetësisë. Mekanizmat e fitimit të parave, si abonimet me pagesë për përmbajtje të verifikuara, e komplikojnë më tej këtë peizazh. Derisa ofrojnë model të mundshëm të të ardhurave për krijuesit, lajmet gjithashtu i shndërrojnë në mall duke i mjegulluar kufijtë midis raportimit të vërtetë dhe përmbajtjes së krijuar për fitim.

    Së fundmi, Musku u kërkoi përdoruesve të X-it të votonin nëse do ta lejonin teoricienin famëkeq të konspiracionit, Alex Jones, që t’i rikthehet llogaria në X. Vitin e kaluar, Jonesi u urdhërua të paguante pothuajse 1.5 miliardë dollarë dëmshpërblim për familjet e viktimave të të shtënave në shkollën “Sandy Hook”, për të cilat pretendoi se ishin të rreme. Në atë kohë, Musku shkroi se nuk do ta rikthejë Jonesin: “Fëmija im i parëlindur vdiq në krahët e mi. Ndjeva rrahjet e tij të fundit të zemrës. Nuk kam mëshirë për askënd që përdor vdekjen e fëmijëve për përfitime, për politikë apo për famë”.

    Megjithatë, këtë vit Musku deklaroi se “njerëzit e dhanë verdiktin” – me 70 për qind të përdoruesve të X-it që votuan që Jonesi të rikthehet në platformë. Veprimi i parë i Jonesit ishte ricicërima e një postimi urues nga influencuesi Andrew Tate: “Për të treguar respekt ndaj Alex Jonesit për rikthimin e tij triumfues dhe për të treguar respekt për Eloni që është hero – globalistëve t’u thoni të q… që sot”. Asgjë nga këto nuk ndikon për të rivendosur besimin tonë në besueshmërinë e ardhshme të X-it si një burim i informacionit.

    Duke u përballur me këto ndryshime, shfaqet një shqetësim qendror: nëse platformat dixhitale, si X-i, vazhdojnë t’jua japin përparësinë imperativëve komerciale dhe jo shpërndarjes së informacionit autentik, çfarë do të ndodhë me diskursin tonë global? Sfidat nuk kanë të bëjnë vetëm me vendimet individuale të platformës, por një me etikë më të gjerë që rregullon ekosistemin e informacionit dixhital. Derisa i peshojmë interesat komerciale kundrejt detyrës për të ofruar informacion të saktë, rruga përpara kërkon angazhim të ripërtërirë ndaj origjinalitetit, transparencës dhe besimit.

    Teksa shtohen sfidat e sferës dixhitale, më të forta bëhen thirrjet për ndërhyrje të udhëhequr nga shteti. Qeveritë në mbarë botën, të alarmuara nga implikimet e platformave të shfrenuara, po mendojnë për masat rregullatore për ta frenuar përhapjen e dezinformatave. Por, derisa qëllimi mund të jetë fisnik, me plot komplikime është udhëtimi drejt të vërtetës së ndërmjetësuar nga shteti.

    Në një epokë kur X-i dhe të ngjashmit e tij janë bërë gjithnjë e më shumë burime kryesore të lajmeve të publikut, një mori të shqetësimeve ngre mendimi i organeve shtetërore që arbitrojnë “të vërtetën”. Si fillim, në thelb është subjektiv përkufizimi i së vërtetës që ndryshon përtej kufijve politikë, kulturorë dhe gjeografikë. Një narrativë që konsiderohet faktike sipas standardeve të një kombi, mund të etiketohet si keqinformim nga një tjetër – për shembull, perceptimi i gjenocidit armen në Turqi kundrejt pjesëve të tjera të botës, ose ndjekja dhe persekutimi nga Rusia i atyre që kritikojnë sjelljen e saj në Ukrainë.

    Është i qartë potenciali për tejkalim qeveritar. Derisa kombet demokratike mund t’i përdorin rregulloret me qëllimin e vërtetë për t’i luftuar gënjeshtrat, të njëjtat mjete mund të përdoren nga regjimet autoritare për ta shtypur mospajtimin, për t’i kufizuar liritë dhe për ta konsoliduar pushtetin. Rusia, Kina, Irani dhe Venezuela madje mund t’i përdorin përpjekjet e shteteve perëndimore për ta kundërshtuar dezinformimin, si një pretekst për ta justifikuar censurën dhe kontrollin e tyre drakonian në internet. Në kontekstet e tilla, jashtëzakonisht i hollë bëhet kufiri ndërmjet luftimit të dezinformimit dhe kontrollit të narrativave. Rreziku? Një hapësirë dixhitale ku diskursi i vërtetë mbytet nën maskën e mbikëqyrjes rregullatore.

    Nëse nuk zbatohen me maturi ndërhyrjet e tilla të drejtuara nga shteti, pa dashje mund ta përkeqësojnë vetë problemi të cilin synojnë ta zgjidhin. Nëse njerëzit i perceptojnë këto ndërhyrje si mjete të thjeshta për t’i kontrolluar narrativat dhe jo si përpjekje të vërteta për ta luftuar dezinformimin, edhe më tej mund të gërryhet besimi i publikut.

    Gjithashtu, nuk mund të injorohen implikimet ekonomike të rregulloreve të rrepta. Kompanitë e mëdha të teknologjisë – shtylla kurrizore e ekosistemit tonë të informacionit dixhital – mund të përballen me sfida të rëndësishme teksa përshtaten me një mjedis tejet të rregulluar. Rregullat më strikte mund të kenë ndikim në modelet e tyre të biznesit, duke ulur potencialisht përfitimin, duke mbytur inovacionin apo edhe duke nxitur daljen nga tregjet e caktuara.

    Mbetet i pakapshëm ekuilibri delikat midis luftimit të dezinformimit dhe sigurimit të lirive dixhitale. Në vend që ta shohim ndërhyrjen e shtetit si ilaç, duhet ta pranojmë për atë që është: një mjet ndër shumë të tjerë.

    Në Ukrainë, aspekti jetik i ballafaqimit me dezinformimin u shfaq përmes reagimit të shpejtë të komuniteteve të internetit që ishin të afta për hetimet me burime të hapura. Këto grupe vepruan me shpejtësi të jashtëzakonshme, shpeshherë duke i ekspozuar – brenda një ore nga publikimi i tyre – narrativat e rreme. Ky veprim i menjëhershëm ishte vendimtar; e parandaloi dezinformimin që të depërtojë dhe të bëhet pjesë e ekosistemeve të zakonshme mediatike që atë do ta përhapnin.

    Kjo përfshinte zbulimin e shpejtë të sulmit të supozuar ukrainas me IED [Improvised explosive device] kundër civilëve, ku përdoruesit e zgjuar të internetit i identifikuan prerjet autopsisë te viktimat që supozohej se ishin brenda një makine të djegur. Në një shembull tjetër, pamjet e postuara nga Republika separatiste Popullore e Donjeckit, që pretendoni se Ukraina tentoi të krijonte një incident kimik, u zbuluan pak minuta pas postimit të tyre në internet – kur përdoruesit e Twitter-it zbuluan të dhënat [metadata] brenda skedarit të cilat dëshmuan se ishte krijuar përpara incidenti dhe se përfshinte audio të shpërthimeve nga një video 13 vjet e vjetër në YouTube.

    Në kohën kur me këto narrativa u ndeshën individët ose grupet e prira për të shpërndarë dezinformata, ato veçse ishin të diskredituara. Kjo qasje proaktive e komuniteteve dixhitale në Ukrainë, e ilustron ndikimin domethënës që mund të ketë reagimi i publikut përmes aftësisë për të identifikuar dhe për të hedhur poshtë gënjeshtrat.

    Një qasje thelbësore kërkon trajtimi i rrënjëve të shkakut të dezinformatave. Arsimimi qëndron në ballë të kësaj strategjie. Ideja është e thjeshtë, ndonëse transformuese: në kurrikula integrojeni hetimin me burim të hapur dhe mendimin kritik. Pajisini të rinjtë me aftësitë për të lundruar nëpër labirintin e sferës dixhitale – për të pyetur, analizuar dhe verifikuar përpara se të pranoni ose shpërndani një informacions.

    Thellësisht jam frymëzuar nga puna e The Student View – e organizatës bamirëse për edukim për mediat dixhitale, që trajnon të rinjtë që të jenë konsumues kritikë dhe krijues të medias. Në veçanti, puna me nxënësit në Bredford të Anglisë veriore, përkitazi me hetimin e nivelit të ndjekjeve policore të rasteve të shpejtësisë së lartë nëpër rrugët e tyre, dëshmon se pajisja e të rinjve me aftësitë hetimore mund t’i ndihmojë ata të kuptojnë dhe të ndikojnë në botën ku jetojnë. Këto akte të vogla fuqizimi e frymëzuan punën e vetë Bellingcat-it me The Student View, për ta zhvilluar një kurrikulë shkollore që ndihmon në luftimin e keqinformimit.

    Nismat e tilla, për disa arsye janë premtuese. Së pari, kërkojnë trajtimin e rrënjëve të çështjes – faktorët shoqërorë dhe psikologjikë që tërheqin njerëzit drejt keqinformimit dhe teorive konspirative. Përmes aftësive dhe nxitjes së një kulture kërkimi, ne mund të ndihmojmë në mbrojtjen e brezave të ardhshëm – kundër joshjes ndaj gënjeshtrave.

    Mbi të gjitha, kjo qasje njeh dhe shfrytëzon fuqinë e komunitetit. Duke i lidhur institucionet arsimore me rrjetet e medias lokale, ne arrijmë në një objektiv të dyfishtë: e fuqizojmë brezin e ri duke ua dhënë atyre një platformë dhe një zë, derisa në të njëjtën kohë rinovojmë gazetarinë lokale. Kjo sinergji mund ta nxis epokën e re të raportimit investigativ që rrënjoset në shqetësimet e komunitetit dhe që bazohet në prova.

    Potenciali i lëvizjes së tillë bazike nuk ndalon në dyert e shkollës. Paramendojeni botën ku universitetet bëhen qendra të hetimit me burim të hapur, me rrjetet kombëtare dhe ndërkombëtare të studentëve që ndajnë metodologjitë, metodat dhe njohuritë. Teksa këta studentë lëvizin drejt jetës profesionale, ata i zhvillojnë jo vetëm aftësitë, por edhe mentalitetin – mendimin që vlerëson provat mbi thashethemet dhe mendimin kritik mbi pranimin e verbër.

    Në luftën kundër përhapjes së dezinformimit dixhital, organizatat tradicionale të medias mund ta luajnë një rol jetik duke krijuar partneritete me redaksitë e reja të nivelit universitar dhe me kolektivet hetuese. Bashkëpunimet e tilla bashkojnë përvojën dhe burimet e mediave të krijuara me qasje inovative, me aftësitë teknologjike të iniciativave që udhëhiqen nga universitetet.

    Korpusi i Verifikimit Dixhital [Amnesty International’s Digital Verification Corps] që përbëhet nga studentët nga e gjithë bota – të cilët bashkëpunojnë për të hetuar shkeljet e të drejtave të njeriut – dëshmon se sa ndikim mund të ketë qasja e tillë. Jo vetëm që rrit kapacitetin e [organizatës] Amnesty për kryer punën e vet, por vepron si vend ku studentët dhe universitetet mund të mësojnë si t’i zbatojnë aftësitë dhe t’i zhvillojnë metodologjitë e reja.

    Në thelb, qasja bazike e ofron vizionin e botës ku komunitetet janë të lidhura përmes vlerave të përbashkëta të autenticitetit dhe të kërkimit; ku narrativat jo vetëm që konsumohen, por vihen në dyshim, analizohen dhe bashkëkrijohen. Është kjo bota në të cilën platformat dixhitale – në vend që të jenë thjesht përçues të informacionit – bëhen arena për ligjërim dhe për mësim të vërtetë.

    Për ta realizuar këtë vizion, nevojitet përpjekja kolektive. Politikanët, edukatorët, udhëheqësit e teknologjisë dhe komunitetet duhet të bashkohen në një shtytje të përbashkët drejt një shoqërie të informuar dhe të angazhuar. Investimet në arsim, bashkëpunimet ndërmjet mediave dhe institucioneve akademike, si dhe angazhimi i ripërtërirë për integritetin gazetaresk, janë komponentët jetikë të këtij rrugëtimi.

    Teksa zgjerohet horizonti dixhital dhe sfidat e dezinformatave bëhen gjithnjë e më komplekse, qasja bazike e ofron një fije shprese. Na kujton se në qendër të epokës dixhitale qëndron dëshira themelore njerëzore: kërkimi për të vërtetën. Dhe, duke e përdorur këtë shtysë të lindur, duke fuqizuar individët dhe komunitetet, mund ta gjejmë rrugën drejt të ardhmes ku besimi rikthehet.

    Nëse – nga ana tjetër – dezinformatat lihen të pakontrolluara, atëherë e ardhmja duket shumë e zymtë. Besimi në institucionet tradicionale – qoftë në media, akademi apo qeverisje – edhe më shumë do të zbehet. Me kalimin e kohës, skepticizmi shndërrohet në cinizëm dhe çdo burim – pavarësisht nga besueshmëria – shihet me dyshim. Për nga natyra, dezinformimi është përçarës.

    Demokracitë – në veçanti – mbështeten nga elektorati i informuar, për të funksionuar pastaj në mënyrë optimale. Popullata që vazhdimisht ekspozohet ndaj dezinformatave, është e ndjeshme ndaj manipulimit. Pastaj, fushatat politike mund të kalojnë nga politika dhe nga vizioni drejt propagandës dhe sensacionit. Mund të rrezikohet vetë thelbi i proceseve demokratike – zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

    Edukimi do t’i ballafaqojë sfidat e veta. Paradigma tradicionale edukative mund të përmbyset në botën ku çdo informacion – pavarësisht nga vërtetësia – është lehtësisht i qasshëm. Revizionizmi historik, i ushqyer nga gënjeshtrat, mund ta riformojë kujtimin kolektiv. Si mund të mësohet mendimi kritik në mjedisin ku faktet janë të paqëndrueshme?

    Ndikimi më i dëmshëm mbase do të jetë në mirëqenien individuale mendore. Kur përmbytemi me narrativat kontradiktore, disonanca konjitive shndërrohet në luftë të përditshme. Breshëria e vazhdueshme e informatave, pa mjete të besueshme për ta dalluar vërtetësinë e saj, mund të çojë në mërzinë nga lajmet, në apati dhe, në disa raste, në shkëputje të plotë nga çështjet aktuale.

    Në krijimin e kësaj tabloje të së ardhmes, qëllimi nuk është që të përhapet katastrofa dhe zymtësia, por të theksohet urgjenca për këtë situatë. Dezinformimi, nëse nuk kontrollohet, nuk është vetëm sfidë e së tashmes, por krizë e afërt për të ardhmen. Kostoja e mosveprimit është ajo të cilën ne nuk mund ta përballojmë për ta paguar. 

    Lajmi Paraprak

    Pëshpërima prapa perdeve: Nënat rrëfejnë vështirësitë gjatë luftës në Kosovë

    Lajmi i rradhës

    Kush janë rebelët Huthi dhe pse po i sulmojnë anijet në Detin e Kuq?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë