Çfarë thanë partitë politike në RMV në ditën e 17-të të fushatës!

    Partitë politike dje kanë zhvilluar takimet e tyre me qytetarët e vendeve të ndryshme ku kanë prezantuar programet e tyre bashkë me kandidatët përkatës për kryetar komune. Përndryshe dje ishte dita e 12-të e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale 2021 njofton Nistori.

    Arifi: Nga dhjetori do të bëhet digjitalizimi i plotë i shërbimeve komunale në Tetovë

    Kryetarja aktuale e Tetovës dhe kandidate nga radhët e BDI-së, Teuta Arifi sot me përfaqësues të bashkësisë TI debatoi për digjitalizimin e shërbimeve të cilat i ofron vetëqeverisja lokale.

    “Procesi i digjitalizimit është i rëndësishëm, gjysmën e mandatit të Këshillit kishim E-këshill dhe dëshirojmë të bëjmë ende shërbime që të jenë në formë elektronike. Në dhjetor duhet të fillojë projekt për digjitalizim të plotë të Komunës së Tetovës. Kjo bashkësi është e rëndësishme për ne sa i përket shkëmbimit të ideve dhe udhëzimeve për digjitalizim sa më të madh të shërbimeve komunale”, tha Arifi.

    Në kuadër të fushatës, Arifi sot bisedoi edhe me përfaqësues të Shoqatës së Personave të Verbër të Tetovës dhe theksoi se edhe më tutje si komunë do t’i ndihmojnë kësaj kategorie të qytetarëve.

    Shpërndahen pamfleta kundër opozitës shqiptare, reagon koalicioni ASH – AAA

    Aleanca për Shqiptarët nëpërmjet një konference për media ka reaguar ndaj fushatës së errët dhe negative ndaj opozitës, gjegjësisht shpërndarja e pamfletëve me shpifje të ulëta, gjuhë të urrejtjes dhe fyerje ndëretnike. Ata kanë denoncuar rastin në polici dhe misionin e OSBE-ODIHR, kështu ata kërkojnë publikisht nga organet e rendit, t’i zbulojnë autorët e kësaj propagande.

    “Në Tetovë, Gostivar, Çair, Saraj dhe komunat e tjera janë shpërndarë pamflete me shpifje të ulëta, gjuhë të urrejtjes dhe fyerje ndëretnike. Rasti është denoncuar në polici dhe misionin e OSBE-ODIHR dhe kërkojmë publikisht nga organet e rendit, t’i zbulojë autorët e kësaj propagande. Këto veprime të regjimit hibrid LSDM-BDI nuk do të ndalin vullnetin e qytetarëve për ndryshim, por vetëm se demaskojnë retorikën e tyre për bashkëjetesë, shtet për të gjithë dhe mashtrime të ngjashme. Sot e treguat fytyrën e vërtetë. Se kush qëndron prapa këtyre pamfleteve e tregon më së miri përmbajtja e të njëjtave, të cilat janë të ngjashme me deklaratat e kryeministrit Zaev dhe eksponentëve të BDI-së”, thonë nga ASH.

    ASH iu bëri thirje simpatizantëve të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës që të mos bien pre e provokimeve të këtilla. Sipas tyre veprime të ngjashme ka pasur edhe në disa raste në të kaluarën dhe janë tipike për partitë në panikë, në prag të humbjes së pushtetit.

    Arsovska pyet Shilegovin: Ku i shpenzuat 12 milionë euro nga shitja e shtëpisë së qytetit?!

    Kandidatja e pavarur për kryetare të Qytetit të Shkupit, Danella Arsovdka pohon se kryetari aktual i Qytetit të Shkupit, Petre Shilgov ka shpallur konkurs për blerjen e shtëpisë së re të qytetit, “në mënyrë kundërligjore dhe në mes të zgjedhjeve”. Sipas saj, për këtë qëllim janë planifikuar 11 milionë euro, njofton AIM.

    “Në vend se të shpenzohen 11 milionë euro për zyre të reja luksoze për kryetarin e Qytetit, ato mjete do t’i investojmë në krijim të së ardhmes për të rinjtë. Në kohën kur të rinjtë po largohen nga vendi, në kohën kur shumë pak po investohet në të ardhmen e tyre, në kohë kur kemi aq gjëra të parregulluara në Shkup, kryetari i Qytetit në largim prioritet e ka furnizimin e hapësirës për
    zyre luksoze për të”, tha Arsovska.

    Arsovska paralajmëroi se si kryetare e ardhshme e Qytetit do të investojë në krijimin e një të ardhme më të mirë për të rinjtë.

    Pas zgjedhjeve lokale Sela paralajmëron shumicë të re parlamentare

    Pas zgjedhjeve lokale është e mundur shumicë e re parlamentare. Këtë e paralajmëron kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela në kuadër të debatit zgjedhor në Magazinën Ekonomike në Alsat. Sipas tij, pas 17 tetorit LSDM-ja dhe BDI-ja do ta humbin legjitimitetin nga qytetarët.

    Shumicë e re parlamentare është e mundur pas zgjedhjeve sepse LSDM-ja dh BDI-ja do t’i humbin zgjedhjet dhe me këtë e humbin çdo kredibilitet moral për të vazhduar dhe për të qeverisur me popullin. Atyre do u merret pushteti me votë në zgjedhjet lokale dhe natyrisht pritjet e opozitës janë që të ketë Qeveri të re”, tha Ziadin Sela, kryetar i ASH-së.

    Paralajmërimet e kryeministrit Zoran Zaev për zgjerim të shumicës parlamentare dhe shkëputje të mundshme të Alternativës nga koalicioni, Sela i cilësoi si frikë e kryeministrit nga humbja e pushtetit.

    Ai për të parandaluar zbrazjen e pishinës qeveritare mundohet të na bind se do të ketë zgjerim. Unë nuk e di tani se nuk mund të flas për të tjerët. Nuk kam të drejtë të flas në emër të një kryetari tjetër partie. Ne me Alternativën jemi në koalicion, nuk kemi marr peng dikë”, pohoi Ziadin Sela, kryetar i ASH-së.

    Sela foli edhe për heqjen e 20% nga Kushtetuta.

    Askush nuk ka drejtë tjetrit përmes një definicioni kushtetues ose ligji t’ia ndryshojë gjuhën si e quan. Definicione të shtira që realisht kanë për qëllim që ta bëjnë të përkohshme. Kjo është ideja e kushtetutës”, theksoi Ziadin Sela, kryetar i ASH-së.

    Duke folur për sondazhet, sipas Selës anketat e brendshme të ASH-AAA-së koalicionin opozitar e nxjerrin fitues në shumicën e komunave shqiptare.

    Shilegov: Do të emëroj zëvendëskryetar shqiptar

    Nuk kam paragjykime kombëtare dhe mendoj se çdo qytetar në shtetin tonë ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet, theksoi kandidati për kryetar i Qytetit të Shkupit të koalicionit të udhëhequr nga LSDM-ja, Petre Shilegovi, në pyetjen e gazetarëve lidhur me premtimin e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti për zgjedhjen e presidentit shqiptar.

    Shilegovi tha se me emërimin e të ndjerit Enver Maliqit për zëvendëskryetar, ka treguar se nuk ka paragjykime dhe se planifikon ta përsërisë këtë, sepse beson në unitetin e shkupjanëve.

    “Shkupi është qytet për të gjithë, këtë e treguam, këtë e dëshmuam. Jam kryetar që bashkon, që ndërton ura. Nuk jam kryetar i cili i ndan njerëzit të tillë dhe të këtillë, as megjithatë qytetin tonë e ndaj në anën e majtë dhe të djathtë. Shkupi është qytet i cili zhvillohet në mënyrë të barabartë në katër vitet e fundit. E di se shkupjanët e njohin këtë de se në do të përgjigjen në këto zgjedhje”, deklaroi Shilegovi në konferencën e përbashkët për shtyp me Visar Ganiun për infrastrukturën e Çairit.

    “Ta bëjmë Tetovën qytet për të jetuar dhe jo për të mbijetuar”

    Nisma qytetare “Më mirë për Tetovën” ka reaguar për qendrën e dikurshme sportive në Tetovë. Ata thonë se kjo qendër është shkatërruar, copëzuar, betonizuar dhe e lënë pasdore, me ferra ku fëmijët më nuk kanë mundësinë të luajnë.

    “Ne e konsiderojmë si tendencioze shkretimin e hapësirave të gjelbra publike, posaçërisht qendrës sportive, ku ka dyshime serioze për dallavere të komunës me mafian urbane që eventualisht të bëhet hapësirë ndërtimi. Tetova sot ka një park të vogël qyteti vetëm me 8,500 m2, ndërsa Strumica ka parkun e qytetit me 82,000 m2, Manastiri me 96,000 m2 dhe Shkupi 670,000 m2”, deklarojnë nga nisma.

    Ata përçuan mesazhin se Tetovës duhet t’ia kthejmë qendrën sportive dhe ta bëjmë Tetovën qytet për të jetuar dhe jo për të mbijetuar.

    Sejdiu: Nuk konkurroj me plisa, por konkurroj me projekte konkrete

    Kryetari aktual dhe njëherit kandidat i Lëvizjes Besa në komunën e Zhelinës, Blerim Sejdiu në një paraqitje të tij në fshatin Strimnicë ka deklaruar se Strimnicës i duhen projekte konkrete dhe jo plisa. Sejdiu më tej ka premtuar para banorëve se do të vazhdojë me projektet e reja për këtë fshat siç janë, ndërtimi i një bazeni të ri për ujë të pijshëm, zhveshtoren pranë stadiumit dhe një sallë sporti.

    “Strimnicës nuk i duhen plisa, Strimnicës i duhen shumë punë tjera që kanë ngelur gjysmë, i duhen të gjitha ato premtime që i keni mashtruar gjatë gjithë këtyre dekadave dhe nuk i realizuat. Strimnicës ia morët çdo shtëpie, keni marrë mjete, para nga këta familje, nga këta njerëz që u kanë dashur shumë dhe më në fund ua sollët një plis”, ka deklaruar Sejdiu.

    “Nuk konkurroj me plisa, por ne konkurrojmë me projekte. Urdhëroni këtu na keni. Ne jemi këtu për të bërë gara me projekte konkrete, ne jemi këtu për t’ju shërbyer juve si një komunë që nuk e keni pasur deri më sot aq afër, aq të suksesshme dhe t’i realizoj të gjitha premtimet një nga një për një mandat duke mos kërkuar asnjë denar nga ju” – shton Sejdiu.

    Ai shton se ish-kryetari Izairi për tetë vite me radhë sa ka qenë në komunë nuk i ka realizuar premtimet e tij, ndërsa Sejdiu thotë se janë aq të zotë sa që i realizon edhe projektet e ish-kryetarit, por edhe premtimet e veta.

    Më tej ai u bëri thirrje banorëve të Strimnicës që t’ia mundësojnë që këtë fushatë ta përmbyll që në rrethin e parë. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Sela: Kryeministri shqiptar një tjetër gënjeshtër e BDI-së

    Lajmi i rradhës

    Mujanoviq zbulon planet e Vuçiqit për destabilizimin e rajonit me ndihmën e Rusisë, pas Kosovës radhën e ka Bosnja e Hercegovina

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë