Çfarë thanë partitë politike në RMV në ditën e dytë të fushatës!

    Partitë politike dje kanë zhvilluar takimet e tyre me qytetarët e vendeve të ndryshme ku kanë prezantuar programet e tyre bashkë me kandidatët përkatës për kryetar komune. Përndryshe dje ishte dita e dytë e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale 2021 njofton Nistori.

    Nistori do të përpiqet në vijim të bëjë një lexim në retrospektivë të asaj çfarë u tha mbrëmë në foltoret e partive politike para qytetarëve.

    Sela para banorëve të komunës së Zhelinës: Ndryshimi ka kuptim vetëm nëse fiton koalicioni ASH-AAA

    Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela dje ka vizituar komunën e Zhelinës, me ç’rast hapjen e shtabit qendror në këtë komunë. Sela para banorëve të kësaj komune është shprehur i bindur se komuna këtë herë do t’ju takojë banorëve.

    “Jemi të pastër në krahasim me ata tjerët, me të cilët realisht ne do të duhet t’i çojmë në histori duke i fituar në mënyrë plebishitare tani me votë. Subjektet tjera politike që konkurojnë nuk e kanë hallin te ndryshimi i madh, ata duan një dhe vëtëm një gjë: të mbijetojnë diku politikisht. Epra, ky popull nuk e ka kohën, nuk e ka hallin që të presin dikë që të mbijetojë politikisht”, ka deklaruar Sela.

    Sela më tej shtoi se duhet të vendoset ndërmjet menaxhimit të vjetër që kanë keqpërdorur politikën dhe ua ka sjellë shpirtin në maje të hundës dhe asaj të pastërtës që përfaqëson koalicioni ASH-AAA.

    “Nëse të mbron prokurori dhe gjykatësi, nuk duhet që të gjejnë streh te vota e popullit. Pa përjashtim, a bëhet fjalë për votë në Strugë, a bëhet fjalë votë në Likovë, a bëhet fjalë për votë në Zhelinë e Tetovë”, ka theksuar Sela.

    I pyetur nga gazetari i Nistori-t nëse koalicioni ASH-AAA nuk do të futet në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale në komuna të caktuara, cilin kandidat do ta mbeshtesë, të BDI-së apo të Besës, Sela nuk u përgjigj në mënyrë të drejtpërdrejtë, por u shpreh i bindur se ky koalicion do të bëjë ç’mos për të fituar të gjitha komunat dhe nuk do të vjen puna që të mbështesë njërin apo kandidatin tjetër të subjekteve tjera politike.

    Nistori: Komuna e Zhelinës ka qenë një bastion i paprekshëm për ASH-në, a mendoni se do ta fitoni këtë komunë kësaj radhe dhe nëse ndodh rrethi i dytë dhe ASH nuk fiton, cilin kandidatë ASH do ta mbeshtes, të BDI-së apo të Lëvizjes Besa?

    “Unë jam kryetar partie, nuk jam magjistar për të paraparë se si do të vijnë situatat. Një gjë e di dhe jam i sigurt, ne do të punojmë orë e çast, në çdo sekond dhe në çdo minut për të sjellë ndryshim dhe fitore. Ndryshimi ka kuptim në komunën e Zhelinës dhe gjithë andej duke fituar koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa”, është përgjigjur Sela.

    Teuta Arifi në Tetovë: Agjenda e gjelbër nuk është vetëm deklaratë, por ajo nënkupton cilësinë e jetës

    Sot në ditën e dytë të fushatës zgjedhore, Bashkimi Demokratik për Integrim ka mbajtur tubimin e radhës në Tetovë. Qytetarëve u është drejtuar bartësi i listë në komunën e Tetovës, kandidatja për kryetare në Tetovë, Teuta Arifi dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

    Kandidatja për komunën e Tetovës, Teuta Arifi para tetovarëve tha se ajo nuk ka dilema për fitoren e radhës, por ajo iu bëri thirrje që të punojnë që fitorja të ndodh që në raundin e parë.

    “Agjenda e gjelbër nuk është vetëm një deklaratë. Agjenda e gjelbër është një filozofi. Një filozofi e cila, pikërisht kupton dhe ndryshon cilësinë e jetës. Dhe ne më gjatë kohë, në fakt duke mos e proklamuar pikërisht në këtë ide të agjendës së gjelbër dhe më lejoni të përkutojë pak. Të përkujtoj për faktin se pjesa e agjendës së gjelbërt është ujësjellësi që kemi ndërtuar në Tetovë gjatë mandatit të parë. Dhe në kuadër të kësaj agjende janë tre projekte për ujë të pijshëm, dy nga të cilat kanë përfunduar dhe njëri është në përfundim e sipër. Bashkërisht me vullnetin dhe bashkësinë lokale të fshatit Poroj ndërtuam poashtu sistemin për ujë të pijshëm, bashkërisht ne dha bashkëqytetarët tanë të këtij vendi”, ka deklaruar Arifi ndër të tjera.

    Ajo më tej shtoi se janë bërë shumë gjëra gjatë mandatit të saj dhe ka shumë për t’u bërë, si dhe kandidimi për mandatin e tretë vjen pikërisht për shkak të besimit që ia kanë dhënë qytetarët.

    Ziberi: Ne kemi bindje të ndryshme politike, por hallet i kemi të përbashkëta

    Sot nuk do të flasim për infrastrukturën, sepse kemi folur 30 vite, por nuk është bërë. Për t’i dhënë kuptimin arsyes pse jemi këtu të organizuar dhe të bashkuar, duke folur mes vete dhe me veten, jo me politikën dhe për politikën, kështu është shprehur sonte kandidati i Aleancës për Shqiptarët për komunën e Zhelinës, Mahir Ziberi në vigjilje të shtabit qendror në këtë komunë.

    Ziberi ka thënë para banorëve të Zhelinës se ne kemi bindje të ndryshme politike, por hallet i kemi të përbashkëta. Nuk ka rëndësi aspak nëse dikë do ta zbresim nga froni i pushtetit, por me rëndësi është jeta dhe përditshmëria që jetojmë.

    “Nuk është me rëndësi qëllimi fitorja në zgjedhje, a do e zbresim dikë nga fronti i pushtetit, aspak s’ka rëndësi. Po është me rëndësi jeta dhe përditshmëria që e jetojmë në Zhelinë. Kemi yrnek të kaluarën se duhet të bëhemi në funksion të komunës. Në funksion të njerëzve që jetojmë këtu dhe në funksion të atyre që largohen shumë e më shumë”, ka deklaruar Ziberi para banorëve të kësaj komune.

    “Kësaj komune i duhet unifikim. Infrastrukturën nuk do e bëj unë, por do e bëjmë ne. Aq sa kemi bërë ne vet si qytetar me krahun e diasporës, politika nuk arriti dhe nuk do arrijë ta rënon. Prandaj si theks të veçantë e vë unifikimin e komunës”.

    Kasami viziton malësinë e Tetovës: Me ardhjen time në krye të komunës do t’i zgjidh hallet e qytetarëve

    Në vazhdën e fushatës zgjedhore të Lëvizjes Besa, kandidati për kryetar komune në Tetovës, Bilall Kasami ka vazhduar me takime në vendbanimet e Tetovës. Fillimisht, kryetari Kasami vizitoi fshatin Llacë, më pas fshatrat e malësisë së Tetovës, Vicë dhe Sellcë.

    Në fshatin Llacë kandidati Kasami ka deklaruar se me ardhjen e tij në krye të komunës do t’i zgjidhë hallet e qytetarëve.

    “Ne nuk jemi vetëm për t’i dëgjuar hallet e tyre, por duhet të gjejmë edhe zgjidhje”, ka deklaruar Kasami.

    Më tej, ai vizitoi edhe fshatin Vicë, nga aty Kasami përcolli këtë porosi: “Vërtetë rruga për në Vicë është e shkatërruar, por njerëzit e Vicës janë gjithë zemër. Rrugën do ta ndërtojmë, bashkë me të ardhmen e Tetovës”, tha kandidati Kasami.

    Në fshatin Sellcë, Bilall Kasami në takim me banorët, deklaroi se ka ardhur koha për të ndryshuar komunat tona me ka krejt.

    “Sellca e cila duhej të ishte një paralagje moderne e Tetovës, ka ngelur pa ujë e me shkollë të shkatërruar. Ndryshimi filloj prej sot dhe prej këtu”, ka përfunduar Bilall Kasami.

    Mickoski: Është shansi i fundit për ta ndërtuar Maqedoninë tonë nga fillimi

    Këto janë zgjedhje në të cilat e kemi shansin e fundit për ndryshime dhe një të nesërme më të mirë. Së bashku të ndërtojmë pakte dhe aleanca për të ardhmen, të punojmë për të ardhmen dhe nga gjithçka që ishte gabim në të kaluarën të nxjerrim mësim dhe së bashku të korrigjohemi, theksoi sonte lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski në mitingun në Strugë në të cilin u promovua lista e këshilltarëve për zgjedhjet e ardhshme.

    “Të gjithë së bashku do të tregojmë se nuk na posedojnë dhe kur është më vështirë jemi të bashkuar për t’i mposhtur dhe më pas ta ndërtojmë Strugën dhe Maqedoninë tonë nga fillimi”, tha Mickoski.

    Duke u kthyer në qeverisjen e LSDM-së dhe BDI-së, vëri në dukje se e robëruan shtetin dhe e kufizuan zhvillimin e Strugës, gjithçka, sipas tij, për interesa personale dhe partiake.

    Azem Sadiku i PDSH-së: Betohem se do të vazhdoj të punojë pa u ndalur

    Partia Demokratike Shqiptare e ka vazhduar tubimin e radhës në Moranë të komunës së Studeniçanit. Kryetari aktual dhe njëherit kandidat për kryetar të kësaj komune, Azem Sadiku para banorëve të Moranës tha se vazhdimisht është munduar të punojë me nder për kaq sa ka menaxhuar me komunën.

    “Betohem se do të vazhdoj të punoj pa u ndalur, të ndërtojmë çdo ditë vendbanimet tona dhe të krijojmë kushte më të mira për jetë më të rehatshme për të gjithë”, ka deklaruar Sadiku.

    Fjalim të rastit mbajti edhe kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi i cili vlerësoi punën e kandidatit për të parin e Studeniçanit dhe Sadiku është i pakrahasueshëm me kandidatë tjerë. Vizita e tij në këtë komunë, sipas tij është për shkak të respektit që e ka për këto banorë.

    Zaevi në Çair: Këtu jetojnë njerëz esnaf, ne do të vazhdojmë me investime kapitale edhe në këtë komunë

    Unë jam këtu në Çair, për t’ju thënë personalisht se ne do të vazhdojmë të investojmë në mënyrë të barabartë në çdo komunë, sepse ju e dini se kështu funksionon LSDM – duke u kujdesur për të gjithë qytetarët, me projekte në veprim, theksoi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në takimin e mbrëmshëm me qytetarët në komunën e Çairit në Shkup.

    “Secili nga këta kandidatë është i gatshëm dhe i motivuar për të punuar për më të mirën për Çairin, ndërsa ne si pushtet qendror do të vazhdojmë të mbështesim projekte kapitale dhe investime që përmirësojnë cilësinë e jetës”, tha Zaev.

    Ai tha se sa herë që kalon pranë Çairit, ndalet për të blerë një simit të nxehtë. Ai u tha atyre se LSDM e di që në Çair jetojnë njerëz mikpritës, roje të kulturës së vjetër të Shkupit, por edhe njerëz esnaf, të cilët e kultivojnë traditën. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Zaevi në Çair: Këtu jetojnë njerëz esnaf, ne do të vazhdojmë me investime kapitale edhe në këtë komunë

    Lajmi i rradhës

    Teuta Arifi: Agjenda e gjelbër nënkupton cilësi më të mirë të jetës për qytetarët e Tetovës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë