Çfarë thanë partitë politike në RMV në ditën e fundit të fushatës zgjedhore

    Partitë politike dje kanë zhvilluar takimet e tyre me qytetarët e vendeve të ndryshme ku kanë prezantuar programet e tyre bashkë me kandidatët përkatës për kryetar komune. Përndryshe dje ishte dita e fundit e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale 2021 njofton Nistori.

    “Më mirë për Tetovën” bën thirrje që të votohet lista e pavarur e këshilltarëve: Më mirë për ty, më mirë për Tetovën

    Nisma “Më mirë për Tetovën” në ditën përmbyllëse të fushatës zgjedhore ka potencuar se 17 tetori paraqet ditën vendimtare për Tetovën. Vota për listën e pavarur “Më mirë për Tetovën” do të përcaktojë nëse këshilli komunal njëherë e përgjithmonë do t’u takojë qytetarëve, thonë nga nisma.

    “Në platformën tonë, ne kemi premtuar që do t’i mbrojmë interesat dhe nevojat e qytetarëve mbi të gjitha! Një premtim tjetër të cilin e japim është se ne do t’i dhurojmë pagat tona si këshilltarë komunal për organizata bëmirëse që angazhohen për të mirën e qytetarëve!

    Ky premtim le të jetë dëshmi shtesë për përkushtimin tonë për të mirën e Tetovës dhe Tetovarëve!”, deklarojnë nga nisma.

    Përndryshe nisma qytetare garon në zgjedhjet lokale nën numrin 93 me listë këshilltarësh.

    Gashi: Kësaj here do të dalim faqebardhë, do të mbrojmë votën tonë

    Mbrojta e votës nënkupton mbrojtje të vullnetit të shqiptarëve, andaj patjetër duhet ta mbrojmë. Kësaj here jam shumë i bindur se kemi marrë masat e duhura dhe do të dalim faqebardhë; – është shprehur kryetari i Alternativës (AAA) në tubimin përmbyllës në Tetovë të fushatës zgjedhore para të pranishmëve, duke shtuar se BDI i ka lënë prapa komunat shqiptare dhe se më 17 tetor qytetarët do të mbrojnë votën.

    “Sonte përfundon faza e grumbullimit të votave. Kemi bërë çmos këto 20 ditë që nga tubimi i parë në Shkup, kemi vizatuar gjitha komunat, kemi promovuar kandidatët më të mirë të mundshëm, kemi gjetur programet më të mirë, kemi gjetur zgjidhjet më të mira për komunat e tona që BDI i ka lënë 20 vite prapa. Sonte bie perdja, sonte fjalët e tona heshtin. Por sonte fillon një fazë shumë e rëndësishme, prej sonte fillon mekanizmi, të gjitha shtabet tona duhet të shndërrohen në fuqi që e mbrojnë votën”, tha Gashi duke shtuar se duhet konceptim për ruajtjen e votës.

    Ai shtoi se fushata ka dy faza, e para me grumbullimin e votave dhe e dyta me mbrojtjen e votës.

    ASH-AAA nderon me një minutë heshtje 14 viktimat e 8 shtatorit, Sela: Ta luftojmë këtë politikë të keqe 20 vjeçare që e ka vrarë shpresën

    Ke djegur kallamin ose tallat në liqenin e Strugës, ke prerë drurin në malësinë e Tetovës dhe në Kërçovë e gjetiu, e sot të dalësh dhe të thuash se ke plan për ambient jetësor, janë gjëra që nuk shkojnë njëra me tjetrën; – kështu është shprehur sot kryetari i ASH-së, Ziadin Sela në tubimin përmbyllës në Tetovë për zgjedhjet lokale, përcjell Nistori.

    “Ke djegur kallamin ose tallat në liqenin e Strugës, ke prerë drurin në malësinë e Tetovës dhe në Kërçovë e gjetiu, e sot të dalësh dhe të thuash se ke plan për ambient jetësor, janë gjëra që nuk shkojnë njëra me tjetrën. Këto gjëra janë vetëm për të rikujtuar, se shqiptarët janë vetëdijësuar, janë ngritur në këmbë, Tetova është ngritur në këmbë, dhe ne do ta sjellim ndryshimin dhe fitoren”, tha Sela, duke shtuar se fitorja do të nis nga Struga dhe do të përfundojë në kryeqendër në Çair të Shkupit.

    Sela tha se nuk do të mund të gënjehet më tetovari dhe të gjithë shqiptarët me jetë dhe ambient jetësor kur 20 vite është punuar kundër jetës dhe kundër ambientit.

    Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos e humbasin besimin tek politika, por të dalin dhe të luftojnë politikën e keqe dhe u bëri thirrje që së bashku ta luftojnë këtë politikë të keqe 20 vjeçare që e ka vrarë shpresën.

    Përndryshe koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë nderuar 14 viktimat nga tragjedia në spitalin modular në Tetovë. Ata tubimin përmbyllës në Tetovë e filluan me një minutë heshtje në shenjë nderimi për viktimat. 

    “Vota juaj vlen shumë, këshilli komunal në Zhelinë do të inicojë shumë projekte konkrete”

    LSDM – Komuna e Zhelinës në ditën përmbyllës të fushatës zgjedhore deklaron se vota vlen më shumë se gjithçka dhe u bëjnë thirrje qytetarëve që me 17 tetor në mënyrë sa më masovike të dalin në votime.

    “Ju me datë 17 tetor votoni edhe për përfaqësuesit tuaj në këshillin komunal, në emrin e gjithë këshilltarëve ju kërkojmë votën tuaj shumë qartë dhe drejtë me projekte konkrete”, thonë nga LSDM – Zhelinë.

    Ata shtojnë se me angazhimin në këshillin e komunës do të bëjnë përpjekje maksimale për realizimin e projekteve si: bulevardi i fshatit Zhelinë, çerdhe në komunën e Zhelinës, ndihmë për bujqit dhe përkrahje për sektorin e biznesit. 

    Ahmeti: Atë që kërkonin shqiptarët “laps e fletore”, Universiteti i Tetovës po prek qiellin

    Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në tubimin përmbyllës në Gostivar para të pranishmëve ka rikujtuar sakrificën e popullit shqiptar e deri te realizimi i të drejtave të tyre. Ahmeti tha se tani BDI ka hapur një kapitull të ri, agjendën e gjelbër. Agjendë e cila ofron mirëqenie, ardhmëri dhe shëndetësi.

    “Shqiptarët me tre universitete që më parë u vranë. Gjuha shqipe po ligjërohet dhe folet nga të gjithë shqiptarët. Vëllezër, motra, këta janë procese të mëdha. Janë procese të cilat kanë marrë udhë, kanë marrë rrugë dhe në këto proçese jemi të pandalshëm. Mirëpo agjenda, kërkesat nuk ndalen këtu. 20 vite ky mision kombëtar është bërë, edhe pse kanë mbet edhe sa punë për t’u bërë. Por ama ne përveç investimeve të mëdha që kemi bërë në agjendën kombëtare, kemi bërë investime të mëdha edhe në ngritjen intelektuale të njerëzve të aftë që dijnë të drejtojnë. Sepse pa drejtues të fortë nuk mund të realizosh as platformë, as qëllim të rëndësishëm”, shprehet Ahmeti.

    Ai tha se tani BDI ka hapur një agjendë, një platformë, një kapitull të ri për 10 vitet e ardhshme me qëllimin më të mirë, që ky vend të bëhet më i mirë dhe më i dashur për qytetarët.

    Ahmeti shtoi se agjenda e gjelbër është agjendë europiane, e ardhmërisë, agjendë e shëndetësisë, platformë që zgjat jetë dhe kërkoi që përkrahja e shqiptarëve të jetë e parezervë, sepse nuk do të turpërohen nga kjo agjendë.

    Kasami: Ne nuk kemi njollë në të kaluarën tonë, fitorja jonë është fitore për Tetovën

    Në tubimin përmbyllës të fushatës së Lëvizjes Besa, kryetari dhe njëherit kandidat për kryetar të komunës së Tetovës, Bilall Kasami u është drejtuar të pranishmëve në lidhje me problemet që është duke u ballafaquar komuna e Tetovës. Ai deklaroi se për çdo problem që ka Tetova, ai ka ofruar zgjidhje.

    “Programi ynë dhe oferta jonë elektorale është ngritur mbi parime. Parimi kryesor është se komuna është e qytetarit. Dhe kur e diskutuam dhe e ndërtuam këtë parim kryesor të programit tonë e kishim ne parasysh Tetovën, e kishim parasysh Çairin, Gostivarin, Strugën dhe çdo komunë tjetër e cila ishte e mbyllur në kabinetin e kryetarve të këtyre komunave. Prandaj e vënduam parimin bazë, hapjen e komunës ndaj qytetarit, që komuna mos i shërbej vetëm kryetarit dhe të afërmëve të tyre, por t’ju shërbej qytetarëve dhe të zgjidh problemet e tyre. Ne ofruam komunë transparente. Ne ofruam komunë që do të japë llogari para qytetarëve për projektet dhe realizmin e tyre”, deklaron Kasami.

    Ai më tej shtoi se kundërshtarët politik përgjatë fushatës i ikën debatit me qytetarët, por më 17 tetor ata nuk mund t’i ikin verdiktit të popullit dhe se ditën e diel ata do të ballafaqohen me qytetarët.

    “Ne nuk ikëm nga debatet, sepse ne kemi fytyrë të pastër. Ne nuk kemi njollë në të kaluarën tonë. Bilall Kasami me shokë është prej qytetarëve dhe jeton në mesin e qytetarëve. Ne nuk ikëm, sepse ne nuk kemi ku shkojmë. Unë jam prej Tetove”, është shprehur Kasami ndër të tjera. 

    Thaçi: Takati i PDSH-së vjen prej popullit shqiptar

    Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) sot në fjalimin e mbajtur në Gostivar para të pranishmëve tha se BDI duhet të ndëshkohet për premtimet e parealizuara.

    “Nuk kam nevojë për keqmenaxhim të vendbanimeve shqiptare. Por këtë do të mund ta bëj nëse rritet forca dhe potenciali i PDSH-së. Unë jam njeriu që jetoj në mes jush, keq a mirë. Më shajnë apo më fyejnë, më kërcënojnë apo më anatemojnë. Nuk jam larguar prej këtu, as 93′, as 97′, as 2001, as 2008, as që e kam ndërmend. Jam njeri që drejtoj një politikë, një parti deri kur përfundojnë zgjedhjet. Më pastaj, për mua njerëzit janë të njëjtë”, ka deklaruar Thaçi.

    Ai u është përgjigjur të gjithë atyre që kërkojnë ndihmën e PDSH-së, duke shtuar se për të ndihmuar popullin shqiptar, PDSH-së i duhet takat, e takati vjen nga populli nëse e mbështet. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Ushqimet që ju duhen për kocka të forta

    Lajmi i rradhës

    Koha e duhur kur duhet të flenë fëmijët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë