ÇMIMET E BANESAVE | Ballkani i shtrenjton, Europa i liron

    Çmimet e banesave kanë filluar të bien në vendet e Bashkimit Evropian. Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat e Zyrës evropiane të Statistikave. Sipas të dhënave të Eurostat për 3-mujorin e katërt të 2022 çmimi mesatar i apartamenteve është ulur 1.7 për qind në eurozonë dhe 1.5 për qind në BE-krahasuar me 3 mujorin paraardhës. Eurostat thekson se kjo është rënia më e madhe tremujore për çmimet e apartamenteve në zonën e euros që nga 3-mujori i katërt i 2008-s (-1.7 për qind ) dhe që nga tremujori i parë i vitit 2009 (-1.9 për qind ) për BE-në.

    Mesatarisht, në nivel të BE-së, çmimet ranë në tre muajt e fundit të 2022 me 1.5 për qind, kryesisht në Danimarkë (-6.5 për qind), Gjermani (-5 për qind), Qipro (-4 për qind), Suedi (-3.4 për qind), dhe Finlanda (-3,4 për qind). Bile institucionet e Brukselit përmendin edhe krizën me patundshmërinë. “Ashtu si dinamika e çmimeve të pasurive të paluajtshme rezidenciale tejkalon ligjet bazë, ashtu po rriten edhe vlerësimet mbivlerësimit”, theksonte Banka Qendrore Evropiane në verën e vitit të kaluar. Kjo nënkupton në përkthim se ata besojnë se pasuritë e paluajtshme janë me çmime të mbivlerësuara dhe se do të pasojë një rënie e madhe e çmimit.

    “Ky skenar tashmë po ndodh në disa vende, dhe të tjerët po rrëshqasin drejt këtij skenari. Nuk bëhet fjalë domosdoshmërish për rrezikun e një krize të pasurive të paluajtshme, megjithëse një rënie e mprehtë e çmimeve të pasurive të paluajtshme mund të ketë pasoja shumë negative për pjesën tjetër të ekonomisë”, vlerëson Banka.

    Nga ana tjetër të dhënat tregojnë se në Ballkan për dallim prej Evropës po rriten dhe jo po bien çmimet e banesave. Në Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi gjithashtu janë shënuar shtrenjtime të mëdha të banesave në vitet e fundit. Në Kroaci që është pjesë e BE-së, mirëpo me një pjesë të madhe edhe në aspektin gjeografik i takon Ballkanit janë rritur çmimet e banesave me 4.7 për qind në tremujorin e fundit të vitit 2022, me tendencë të mëtejshme të rritjes edhe këtë vit.

    Në Maqedoninë e Veriut apo çmimet në Shkup si kantierin më të madh të ndërtimit, por edhe tregun dominues të shitblerjes ë banesave çmimet janë rritur me 18.8 për qind në tre muajt e parë të këtij viti, pas rritjes me gati 20 për qind në tremujorin e fundit të vitit 2022.

    Njëherësh nuk ka të ndalur shitblerja e banesave në vend, përkundër faktit se çmimi i tyre po arrin majat historike. Faktin se edhe pas krizës së shkaktuar nga pandemia, qytetarët nuk po rendin së kërkuari për të blerë banesa e konfirmojnë edhe të dhënat nga kadastra, ku regjistrohen të gjitha transaksionet e pasurive të paluajtshme.

    Sipas të dhënave nga Regjistri i Çmimeve dhe Qirave, të cilin e mban Agjencia për Kadastër të Pasurive të Paluajtshme, në vitin 2022  janë regjistruar 224.229 marrëveshje të lidhura për shitblerje, që është rreth 5.500 më shumë se në vitin 2020. Gjithashtu vitin e kaluar në pasuri të paluajtshme janë investuar mbi 900 milionë euro, që është 221 milionë më shumë se në vitin paraprak.

    Numri një i Odës së ndërtimtarëve pranë Odës ekonomike, Andrea Serafimovski thotë se kostoja e një metri katror kryesisht ka për bazë rregullat e ekonomisë së tregut apo kërkesën më të madhe për banesa në raport me ofertën, andaj edhe po shtrenjtohen banesat. Mirëpo shton se edhe rritja e madhe e lëndëve të para, çmimet më të larta të tokave për ndërtim e kështu me radhë kanë ndikim në rritjen e kostos së blerjes së një apartamenti.

    Një pjesë e njohësve të ndërtimtarisë vlerësojnë se çmimet do të stabilizohen por nuk do të kthehen në nivelet e mëparshme.

    “Një herë kur do të vendoset tavani i çmimit në treg dhe do të jetësohet edhe në praktikë tek blerësit , nuk do të ulen më çmimet. . Njëherësh edhe çmimet aktuale nuk pasqyrojnë rritjen e kostos së materialeve apo punës. Ekziston problem me cilësinë e punës, që po rrit koston punëtorëve, por ai është larg faktit që diktohet nga çmimi i produktit të gatshëm”, thotë eksperti i kësaj lëmie Nikolla Vellkovski.

    Sipas tij , çmimi I materialeve ndërtimore që po stagnon në muajt e fundit , po ndikon me 30 për qind çmimin përfundimtar të një metri katror, ndërsa fuqia punëtore merr pjesë deri në pesë për qind në harxhimet totale. Vellkovski thotë se në rritjen e çmimeve të banesave ndikon edhe fakti se shumica e atyre që kanë para të gatshme në dorë investojnë në blerjen e banesave me qëllim që ti lëshojnë me qira, andaj edhe por rritet kërkesa në treg, mirëpo mund të pritet që ky trend ngadalë të qetësohet duke marrë parasysh se kemi një hiper produksion të banesave.

    Në Tiranë, për vitin 2022, çmimet e apartamenteve vijuan tendencën e tyre rritëse. Për 6-mujorin e parë të vitit të kaluar në Tiranë, çmimi i pasurive të patundshme rezultoi 28.4 për qind më shtrenjtë se 6-mujori i mëparshëm.

    Çmimet e apartamenteve në Shqipëri për 3 mujorin e tretë të 2022 janë rritur rreth 2.5 herë më shumë se çmimet e banesave në shtetet e eurozonës dhe BE-së. Agjencitë imobiliare pohojnë se rritja e çmimeve në Tiranë është ndikuar nga shtimi i kërkesës dhe shtrenjtimi i kostove, veçanërisht në zonat e reja rezidenciale që ofrojnë shërbime të shtuara.

    Për aktorë të tjerë të tregut rritja e çmimeve në kryeqytet ndikohet nga fluksi i parasë informale. Ndërtuesit paralajmërojnë shtrenjtim të çmimeve nëse do të miratohet amnistia fiskale, pasi shumë individë, kryesisht emigrantë të ardhurat e disponueshme informale do të nxitojnë t’i legalizojnë në blerjen e apartamenteve.

    Jonian Antoni drejtor i kompanisë real state “Century 21 Albania” parashikon stanjacion të çmimeve për 2023, pasi çmimet e larta të apartamenteve vitin paraardhës ndikuan te rënia e kërkesës.

    “Mendoj se tregu shqiptar i pronave dhe sidomos Tirana nuk do të ketë ulje të çmimeve. Ndoshta do të ketë frenim të kërkesës, ndoshta një reflektim të çmimeve, dhe sidomos një pozicionim të tyre duke mos u ngritur më për disa vite, por nuk besoj se në Shqipëri do të ketë ndonjë rënie të çmimit të pronave”, thotë ai.

    Pas pandemisë, çmimet e pasurive të paluajtshme në Shqipëri janë rritur me ritme shumë të shpejta. Ndër faktorët kryesorë, ekspertët rendisin rimëkëmbjen e shpejtë ekonomike pas pandemisë, normat e ulëta të interesit dhe ofertën e lartë të kredisë bankare, kërkesën në rritje nga blerësit e huaj ose shqiptarët jo rezidentë, por në një masë të madhe edhe pastrimin e parave që burojnë prej aktiviteteve të jashtëligjshme.

    Në Kosovë po bie kostoja e ndërtimit në Kosovë, por jo edhe çmimet e banesave. Kostoja e ndërtimit në Kosovë, pas më shumë se një viti rritjeje të vazhdueshme, ka rënë. Megjithatë, kjo nuk ka bërë që të bien edhe çmimet e patundshmërive.

    Inflacioni, si gjetiu në botë, ka nisur të rritet në vitin 2021, si pasojë e çrregullimeve në tregje që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, ndërsa ka vazhduar edhe gjatë 2022-shit, sidomos pasi Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, në shkurt të atij viti. Shtrenjtimi i materialit ndërtimor ka shtrenjtuar më pas edhe banesat, madje mbi 20 për qind.

    Meriton Çana, nga një agjenci patundshmërish në Prishtinë, thotë se nuk pret që çmimet e banesave të reja të bien këtë vit, marrë parasysh faktin se ato janë ndërtuar me material më të shtrenjtë.

    “Në patundshmëri janë dy çmime – ai ofertues dhe i shitjes. Në tre muajt e parë të këtij viti, kemi vërejtur se çmimet ofertuese nuk kanë rënë, por negocimi në çmim ka nisur të bëhet më i madh sesa më herët”, thotë ai. Një faktor tjetër që mban lart çmimin e banesave është çmimi më i lartë i tokave.

    Nga mbi 600 milionë euro investime të huaja në Kosovë , sa janë bërë në periudhën janar-tetor 2022, mbi 400 milionë euro kanë shkuar në sektorin e patundshmërisë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Shkupi i betonizuar!

    Lajmi i rradhës

    Ministri Aliu: Jam kundër ndalimit të TikTok-ut në Maqedoni

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë