Çmimet e banesave në RMV çdo ditë e më shumë shtrenjtohen

    Çmimet e banesave në Maqedoni pritet edhe më tej të shtrenjtohen. Esnafi i ndërtimtarisë vlerëson se si rrjedhojë e shtrenjtimit të madh të materialeve ndërtimore, kostos për punëtorët, pritet sërish metër katror më i shtrenjtë në vitin 2023 karshi vitit të kaluar.

    Mirëpo në vitin e kaluar përkundër shtrenjtimit të banesave, ka vazhduar rritja e kreditimit të qytetarëve për të zgjidhur çështjen e banimit. Këtë e mbështesin edhe të dhënat e Bankës Popullore sipas të cilave niveli i huamarrjes së amvisërive për kredi banesore ka arritur në mbi 1.2 miliard euro deri në fund të muajit nëntor të vitit të kaluar që paraqet një rritje të dukshme në raport me 930 milionë euro në nëntor të viti 2020. Kjo tregon se përkundër krizës ekonomike në vitet e kaluara, megjithatë nuk po ndalet investimi në patundshmëri.

    Nga shtëpia konsulente “Forton”, vlerësojnë se edhe pse me një shkallë relativisht të ulët të kthimit nga investimi në krahasim me format e tjera të investimit, investimi në blerjen e banesave akoma paraqet formën më të sigurt dhe më tërheqëse të investimit për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

    Nga atje shtojnë se në periudhën 2019-2022 shënohet rritje e çmimit të banesave, mirëpo që ka ndodhur jo me të njëjtën shkallë në komuna të ndryshme. Shtrenjtimi i banesave në periudhën e kaluar vjen si rrjedhojë e shtrenjtimit të materialeve të ndërtimit dhe për shkak të disbalansit apo çekuilibri në ofertë dhe kërkesë.

    Nga Oda e Ndërtimtarisë pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, thonë se viti 2022 mund të karakterizohet si një vit që do të mbahet mend për rritjen e madhe të çmimeve të të gjithë komponentëve të ndërtimit, si dhe shtrenjtimit të çmimeve të banesave.

    “Kjo rritje drastike nuk është vërejtur në 30 vitet e fundit, ndaj mendoj se ky vit do të mbahet mend më së shumti për këtë. Problemi më i madh për ndërtimtarët t në këtë situatë është realizimi i kontratave të vjetra të periudhës së mëparshme, kur çmimet ishin shumë të qëndrueshme dhe kishte një projeksion të qëndrueshëm dhe stabil, pa parashikuar një rritje kaq të madhe të çmimeve. Kjo sjell probleme të mëdha në marrëdhëniet ndërmjet kontraktuesve dhe klientëve, si dhe ndërmjet investitorëve dhe blerësve. Kjo dukuri vërehet si në ndërtesat e larta ashtu edhe në ato të ulëta, dhe prek të gjithë sektorin”, thotë Salim Hasani, kryetar i Odës së Ndërtimit.

    Sipas tij, se ky trend vazhdon pothuajse në të gjitha aspektet. Rritja e çmimeve në një pjesë të madhe të produkteve nuk ndalet, vërehet tkurrje e fuqisë punëtore të kualifikuar, bankat janë më të rezervuara në mbështetjen e projekteve si dhe rrisin normat e interesit.

    “Kjo do të thotë se kostot do të vazhdojnë të rriten në të gjithë procesin e ndërtimit dhe kjo nënkupton se do të ketë rritje edhe të çmimeve të produkteve të ndërtimit, pra banesave. Sugjerimi ynë për të gjithë faktorët relevant në procesin e ndërtimit është që në periudhën e ardhshme të hapen sa më shumë investime të reja, të përmirësohen kushtet e kreditimit dhe të kemi sa më pak pengesa administrative për investime. Mendoj se kjo është mënyra më e mirë për të përballuar këtë periudhë të vështirë për të gjithë. Kjo do të thotë që ne si ndërtues dhe për qytetarët të kemi oferta më të mira dhe cilësi më të mirë të jetës”, thotë Hasani.

    Nga ana tjetër të dhënat e Bankës popullore tregojnë se çmimet e patundshmërive në fund të muajit nëntor 2022 janë rritur me 21 për qind në raport me muajin nëntor të vitit 2021. Rritje e çmimeve është shënuar për 16.5 për qind në fund të muajit qershor 2022 karshi të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Njëherësh edhe në fund të muajit mars 2022 është shënuar rritje e çmimit të banesave për 12.4 për qind në raport me muajin mars 2021.

    Ndërtimtarët e tjerë thonë se sërish presin një vit të vështirë. “Analizat që po përgatisim dhe analizat në vendet e Ballkanit Perëndimor tregojnë se çmimet e banesave janë rritur kudo dhe kjo është veçanërisht e theksuar në kryeqytetet dhe vendet më të populluara. Stabilizimi mund të pritet në një nivel më të lartë, që sipas vlerësimeve tona do të nënkuptonte një çmim për metër katror që është të paktën 20 për qind (sigurisht, në varësi të vendndodhjes së pronës) më i lartë se çmimi para krizës”, thonë nga Oda e ndërtimtarisë pranë Odës ekonomike. Sipas tyre, faktori kryesor sipas të cilit, do të rriten çmimet e pronave të paluajtshme në periudhën e ardhshme, do të jenë rrethanat në nivel global dhe kombëtar, në varësi të asaj se sa do të zgjasë konflikti ushtarak, gjë që reflektohet në tregun e ndërtimit. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Pensionet në RMV do të rriten prej 16%

    Lajmi i rradhës

    Largimi i mjegullës nuk e uli nivelin e lartë të ndotjes në Shkup

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë