Pensionet në RMV do të rriten prej 16%

    Në një vit kalendarik pensionistët më së paku do të marrin 1.760 denarë më shumë, pasi harmonizimi i parë për pensionet sipas metodologjisë së re rreth përcaktimit të shumës u bë në mars të vitit të kaluar. Aso kohe pensionet u rriten për 2.9%, ndërsa harmonizimi i radhës erdhi pak kohë më pas. Ishte shtatori i vitit 2022 kur rritja e pensioneve arriti në 6.8%. Por siç duket marsi qenka muaji më me fat për pensionistët pasi edhe për marsin e këtij viti është paralajmëruar një harmonizim i ri i cili do t’i rrisë pensionet deri në 6%, duke bërë kështu që rritja e pensioneve për një vit të arrijë në 16%. Në përputhje me të dhënat zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikave, metodologjia e cila në fuqi hyri gjatë marsit 2022, parashikon harmonizimin e pensioneve me një model të kombinuar me 50% rritje të pagës mesatare për të gjithë të punësuarit, si dhe rritje prej 50% të kostos së jetesës.

    Marsi dhe shtatori janë caktuar si muajt kur duhet të kryhet harmonizimi pasi i njëjti duhet të bëhet dy herë në vit edhe atë, sipas përqindjes që do të përfitohet me rritjen e indeksit për koston e jetesës në gjashtëmujorin e kaluar, bashkë me përqindjen e rritjes së pagës mesatare për të gjithë të punësuarit në raport me gjashtëmujorin që do t’i paraprijë atij. Arritja deri tek kjo metodologji u bë nëpërmjet një dialogu në mes të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale me Partinë e Pensionistëve. Ishin Sindikata e Pensionistëve dhe Qeveria ato të cilat më herët theksuan që kjo metodologji do të sigurojë rritje të vazhdueshme të pensioneve.

    “Për një vit, pensionistët do të kenë një rritje prej 16%. Kësisoj rritje nuk ka pasur në të kaluarën. Vërtetë që është kënaqësi të shohësh se metodologjia e re e cila u bë në bashkëpunim me Partinë e Pensionistëve dhe Sindikatën e Pensionistëve tashmë po jep rezultat. Duke pasur parasysh që rritja e pensioneve që do ta marrin pensionistët së bashku me atë prej 2.9%, është rritur edhe për 6.8%. Ajo që ne e planifikojmë është që gjatë këtij viti të arrijmë të rrisim pensionet deri në nivelin e 10%. Për ta përmbushur, me rritjen e re që do të bëhet në mars, nga marsi 2022 deri në mars 2023 rritja me siguri do të jetë sikurse deri më tani, duke pasur parasysh që kemi edhe metodologjinë e re në bazë të së cilës 50% është rritja e pagës mesatare dhe 50% rritja e inflacionit. Kjo nuk ka qenë kurrë. Këto janë fakte që janë të rëndësishme për pensionistët”, ishte deklarata e kryeministrit Kovaçevski para pak kohësh.

    Kjo rritje bëhet pavarësisht mjeteve shtesë të cilat deponohen në llogaritë bankare të pensionistëve, në kuadër të masave kundër krizës për kategoritë e rrezikuara sociale, kurse tani për tani për buxhetin e pensionistëve janë të parapara mbi 73 milionë euro. Mbështetje financiare prej nga 1.500 denarë për 4 muajt e ardhshëm do të marrin mbi 91.600 pensionistë të cilët marrin pension nga 11.525 denarë. Ndihmë financiare gjithashtu është siguruar edhe për 66.000 pensionistët të cilët marrin pension prej 14.000 denarë. Për këto masa për pensionistët nga buxheti i shtetit janë ndarë mbi 12.2 milionë euro. /koha/

    Lajmi Paraprak

    LUFTA NDAJ KORRUPSIONIT | Qytetarët: Politikanët mund ta bëjnë të kundërtën, akoma më keq

    Lajmi i rradhës

    Çmimet e banesave në RMV çdo ditë e më shumë shtrenjtohen

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë