DHUNA NDAJ GAZETARËVE NË RMV | Kërkohet sa më shpejtë të sillen ndryshimet ligjore për mbrojtjen e tyre

    Nëpunës të mediave dhe anëtarë të organizatave të mediave dhe gazetarëve u rreshtuan me kolegët të cilët një ditë më parë ishin viktima të sulmit verbal dhe fizik. Ekipi i Televizionit 24 i përbërë nga kameramani Lubisha Ignatov dhe gazetari Aleksandar Todevski u sulmua nga një person në rrugën Përzhinë në kohën kur incizonin adresën në të cilën është regjistruar si banorë ish politikani ukrainas kontrovers Oleksandar Onishçenko.

    Ministria e Punëve të Brendshme ka arrestuar autorin e dyshuar disa orë pas dhunës.

    “Janë ndërmarrë masa dhe aktivitete dhe sulmuesi është privuar nga liria dhe mbahet në stacion policor për procedurë të mëtejme. Për rastin është njoftuar Prokurori publik në Prokurorinë e Shkupit kurse pas përfundimit të konsultimit dhe marrjes së udhëzimeve, ndaj M.P. do të dorëzohet padi penale me procedurë të shpejtë për veprën penale “Dhunë” sipas nenit 389 të Kodit Penal”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

    Gazetarët dhe kameramanët jo rrallë herë janë cak i sulmeve të ngjashme.

    “Ne jemi kameramanë, gazetarë dhe nëpunës të mediave të cilat jemi duke bërë punën pa ofendime dhe pa asgjë të keqe”, tha Lubisha Ignatov, kameramani sulmuar i TV 24.

    Vetëm pak orë pas sulmit, është vandalizuar duke u gjuajtur me vezë edhe vetura e gazetarit, para banesës ku ai jeton.

    “Është e çuditshme se sa lehtë mund ta kuptojnë se ku nëpunësit e mediave jetojnë, ku dalin, ku shëtisin. Shqetësuese është që sot një vezë, nesër mund të jetë një gurë dhe më vonë diçka tjetër. Mesazhi ndoshta është që këtu duhet të ndalojmë. Por sigurisht, puna jonë nuk e lejon këtë, ndërgjegjja jonë nuk na lejon të ndalojmë”, theksoi Aleksandar Todeski, gazetar i sulmuar i TV 24.

    Për Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë, ky paraqet kërcënim.

    Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë bën thirrje që të zbardhet në tërësi rasti me të dy incidentet që e kanë shoqëruar atë. Përveç kësaj, organizatat e mediave kërkojnë miratimin e shpejtë të ndryshimeve në Kodin Penal, për mbrojtje më të madhe nëpunësve të mediave.

    “Apeloj deri te institucionet që më në fund ta zgjidhin statusin jo vetëm të kameramanëve por edhe të gazetarëve dhe të gjithë nëpunësve të mediave dhe secili sulm ndaj nesh të trajtohet si sulm ndaj personit zyrtar”, u shpreh Trajçe Ilievski, Seksioni i kameramanëve në SHGM.

    Publikimi i dhunës ndaj ekipit të gazetarëve në rrjetet sociale u shoqërua me një sërë komentesh me gjuhë të urrejtjes ndaj tyre. Pavarësisht se gjuha e urrejtjes paraqet vepër penale, nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë nuk janë të kënaqur me shpejtësinë me të cilën Ministria e Punëve të Brendshme proceson rastet e gjuhës së urrejtjes ndaj nëpunësve të mediave të cilat shpesh rezultojnë në vepra penale nga urrejtja. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Kërcënohet infermierja që denoncoi keqpërdorimet në Onkologjinë e Shkupit

    Lajmi i rradhës

    Ndotja e ajrit ngulfatë banorët e Shkupit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë