DILEMAT E GJIMNAZISTËVE | Të qëndrojnë apo të ikin me kohë nga RMV?

    Gjimnazi “Kiril Pejçinoviq” Tetovë / Fotografi ilustruese

    Të inspiruar nga thënia e pankerëve londinez se “Nëse largohem do të jetë keq, por nëse qëndroj do të jetë edhe më keq”, si dhe duke e ditur dilemën e madhe që i mundon disa prej gjimnazistëve, Organizata e nxënësve “Orce Talks” nga gjimnazi “Orce Nikollov” hapi diskutimin rreth asaj se “A të qëndrojnë në vend për studime apo të ikin jashtë vendit”?

    Pas këtij diskutimi disa prej tyre hoqën dorë nga ideja për tu larguar nga vendi, ndërsa për disa të tjerë ishte vetëm një diskutim më shumë. Një nga gjimnazistët që hoqën dorë nga ky mendim ishte edhe B.SH i cili kishte menduar që të studiojë jashtë Maqedonisë që më vonë të ketë alternativa më të mira në jetë. Por pasi dëgjoi përvojat e studentëve që kanë studiuar jashtë shtetit, ai ndryshoi mendje. “Shumë njerëz thanë se e kishin rëndë që të ndaheshin nga familja dhe duke qenë se jam i afërt me familjen time mendoj se kjo do ndikoj keq në shëndetin tim mendor”, u shpreh B.SH.

    “Është pikërisht ideja për një jetë larg nga të afërmit ajo që shumica e cilësojnë si shqetësimin më të madh për të vendosur për të studiuar jashtë vendit. Pesha e fakultetit nuk është e diskutueshme”, tha Luka Kadriq, një nga anëtarët e organizatës “Orce Talks”. “Shumica e tyre nuk janë të gatshëm të përjetojnë moment pavarësie si dhe shkëputje nga ajo që tashmë e dinë, ndërsa si problem ata vunë në dukje faktin se do të duhet të gatuajnë vet, të rregullojnë dhe vetë të kujdesen për veten e tyre, pa familjen dhe njerëzit e dashur, si dhe me kusht që të fillojnë jetën nga e para. Ai aspekt social ishte më i hidhuri për të gjithë”, theksoi Kadriq. Edhe ata që tashmë janë të vendosur për tu larguar, sipas tij përsëritën të njëjtat arsye si kushte më të mira, arsim dhe në përgjithësi standard më i mirë jetese.

    “Kishte shumë momente kur nxënësit reagonin për disa nga rrëfimet e të ftuarve që iu bashkuan video-telefonatës nga jashtë. Ata tregonin disa gjëra që njeriu mendon se janë të lehta, dhe se do të jenë të tilla edhe jashtë vendit”, tha gjimnazisti. Nga 26 gjimnazistët që morën pjesë në debat fillimisht 10 thanë se do të qëndrojnë në vend ndërsa 16 të tjerë ishin të vendosur për tu larguar. Pas ngjarjes përvec B.SH, ishin edhe dy të tjerë që ndryshuan mendje, por jo edhe A.P për të cilën opsioni i vetëm mbetet studimi jashtë vendit. “Edhe kur mbarova shkollën fillore e dija se doja të studioja jashtë dhe jam e vendosur sepse e di se jashtë ka mundësi shumë më të mira. Kam dëgjuar nga të tjerët dhe nga vetë ngjarja kam kuptuar se studimeve shumë më tepër i kushtohet vëmendje jashtë sesa tek ne”, u shpreh A.P.

    Ajo tha se mendon që në fillim do jetë pak problem, por që do të mund ta përballojë lehtësisht pasi siç thotë ajo, me siguri do ketë edhe njerëz të tjerë nga Ballkani me të cilët do ta ketë më të lehtë të kuptohet dhe të gjej shoqëri. Ajo gjithashtu tha se njeh bashkëmoshatarë të saj që duan të shkojnë jashtë vendit, dhe që besojnë se atje do kenë një jetë më të mirë.

    Sipas rezultateve të regjistrimit të fundit Maqedonia e Veriut ka 1.83 milion banorë, që është 185 mijë banorë më pak se në regjistrimin e vitit 2002. Derisa numri i të moshuarve është në rritje, numri i të rinjve që janë të aftë për punë po zvogëlohet. Nëse në vitin 2002 ishin 907 mijë të rinj nën 29 vjeç, tani janë 638 mijë, pra 270 mijë më pak. Sipas regjistrimit, në Maqedoninë e Veriut janë 200 vende tërësisht të shpërngulura. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Rreth 16 mijë libra mungojnë në shkollat fillore të Tetovës

    Lajmi i rradhës

    Tetë mijë të diplomuar në Maqedoni presin një vend pune!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë