Dita e tetë e fushatës | Çfarë thanë partitë politike në RMV

    Partitë politike dje kanë zhvilluar takimet e tyre me qytetarët e vendeve të ndryshme ku kanë prezantuar programet e tyre bashkë me kandidatët përkatës për kryetar komune. Përndryshe dje ishte dita e tetë e fushatës për zgjedhjet lokale 2021 njofton Nistori.

    Murseli: Është momenti që Tetovën ta bëjmë qytet të organizuar mirë, me strategji të qartë për zhvillim socio-ekonomik

    Kandidati për kryetar komune nga Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, Vullnet Murseli ka prezantuar programin e tij politik në qoftë se zgjidhet kryetar për komunën e Tetovës, njofton Nistori.

    Murseli tha se Tetova do të jetë qytet ku do të mbizotërojnë ide të freskëta, vizionare, transformuese, zhvillimore dhe gjithëpërfshirëse, ide që promovojnë shoqëri civile të vërtetë, komunitet të shëndoshë dhe demokratik.

    “E ardhmja e Tetovës do të jetë me studentë dhe të rinj që kanë ambicie për punë, për rritje të standardit jetësor dhe për zhvillim teknologjik. Është momenti që Tetova të bëhet qytet i organizuar mirë, i pastër dhe modern. Së bashku me ekipin tim, synojmë që të shmangim politikën nga menaxhimi lokal dhe të orientojmë të gjitha kapacitetet, që ka qyteti ynë në drejtim të zhvillimit dhe përparimit të gjithëmbarshëm shoqëror”, tha Murseli para të pranishmive.

    Ai shtoi se Tetovës i duhet një plan gjeneral urbanistik dhe strategji të qartë për zhvillim socio-ekonomik të saj.

    Rexhepi: Parku i Çairit në gjendje të mjerueshme, kemi plan konkret që ky park të jetë në nivelin e duhur

    Kandidati i Lëvizjes Besa në komunën e Çairit, Kastriot Rexhepi ka vizituar parkun e Çairit, gjegjësisht hapësirën më të madhe të kësaj komune. Ai u takua aty me banorët dhe prezantoi programin politik që do ta realizojë gjatë mandatit katër vjeçar, përcjell Nistori.

    “Ishim dëshmitarë se disa nga ulëset janë në gjendje të vështirë. Kishim komunikim direkt me qytetarët të cilët kanë ardhur këtu të rekreohen, ku na treguan kërkesat dhe ankesat e tyre, gjegjësisht për mosmirëmbajtjen e duhur të parkut të Çairit”, ka deklaruar Rexhepi.

    Ai u premtoi banorëve se ka një plan konkret për këtë park dhe se gjatë mandatit të tij që kjo hapësirë të jetë në nivelin e duhur, duke punësuar një rojtarë për kujdesin që mos ta dëmtojë parkun, tablo shahu dhe tablo ping-pongu.

    Sali: Garojmë me zemër të pastër, do t’ia kthejmë dinjitetin dhe sigurinë banorëve të Çairit

    Kandidati i koalicionit ASH-AAA në komunën e Çairit, Bekim Sali gjatë debati televiziv në Alsat M ka folur për projektet që do t’i realizojë gjatë mandatit të tij të ardhshëm në komunën e Çairit. Sali theksoi se Çairi do ketë siguri, hapësira të gjelbra dhe ringjalljen e Çarshisë së Shkupit, e cila është degraduar, sipas tij, nga kryetari paraprak, Visar Ganiu, përcjell Nistori.

    “Ne hyjmë në këtë garë të pastër, me zemër të pastër, me duar të pastër dhe me një plan afatgjatë të pastër dhe real”, ka theksuar Sali.

    “Duheshte patjetër të bëjmë një master plan të ri për Çairin e ri, i cili parasheh riorganizim hapësinor dhe riorganizim edhe të jetës sociale. Siguri për banorët e Çairit. Ne kemi paraparë aty tre pika policore, për ta shtuar sigurinë sepse jemi dëshmitarë të kriminalitetit të shtuar dhe vrasjeve në mes të ditës që ndodhin”.

    Sali premtoi se gjatë mandatit të tij do të realizojë projekte për ambientin, shtimin e hapësirave të gjelbra.

    Ai theksoi se Çarshia është zemra e Shkupit dhe shpirti i Çairit. Është burim financiar i shumë bizneseve dhe familjeve dhe se gjithë ai degradim që i ka ndodhur çarshisë, do të merr fund nëse ai menaxhon me komunën e Çairit. 

    Ziberi i ASH-së: Papunësinë në RMV e ka zbutur Europa dhe jo udhëheqësit tanë, t’i ruajmë ata që kanë ngelur

    Kandidati i ASH-së në komunën e Zhelinës, Mahir Ziberi në debatin për zgjedhjet lokale 2021 në TVM2 ka treguar motivet e kandidimit të tij në këto zgjedhje. Ai deklaroi se kur e vëren që vendi ku jeton çdo ditë e më shumë po zhytet, duhet dikush të ndërhyjë që ta shpëton vendin. Motivi më esencial që e ka nxitur është emigrimi; “t’i ruajmë ata që kanë ngelur këtu dhe mundësisht t’i motivojmë edhe ata të kthehen, ndoshta jo krejt, por aq sa do mundem”.

    “Ne vazhdojmë akoma të rrisim fëmijë për Europën. E ka zbutur papunësinë Hamburgu dhe Berlini, Europa. Ne nuk e kemi zbutur. Folëm për punësime në komunë. Le të ma thonë kandidatët që kanë qenë aty brenda, sa zyra ka komuna dhe sa punëtorë. Ata punëtorë duhet të sistemohen edhe duhet të shfrytëzohen, se aty ka njerëz të mirë, të shëndoshë, njerëz të shkolluar. Ne jemi një Zhelinë që jemi afër qytetit që kemi dy universitete edhe vazhdojmë të bëjmë politikë me kuadro të vjetër”, ka deklaruar Ziberi.

    Ai më tej shtoi se kemi një ekonomi në koma dhe programet janë boshe përderisa nuk ka njerëz. Motivi kryesor gjatë mandatit të ardhshëm është transparenca. 

    Izairi – Sejdiut: Projektet e mia janë faktike, ndërsa projektet e tua janë në Facebook

    Kandidati i BDI-së në komunën e Zhelinës, Fatmir Izairi në debatin për zgjedhjet lokale ka deklaruar se gjatë mandatit të tij janë realizuar 97 projekte. Nuk mund të mohosh, rrugë në Trebosh kam bërë, kanalizimin në Trebosh e kam bërë, gypat e ujësjellësit janë të lëshuar, por i papëfunduar. Në Zhelinë 101, 102, 103 rrugë të asfaltuara. Kanalizimi komplet, ujësjellësi komplet, rezervuari i ujit komplet. Ju e dini fort mirë atë projektin që duhet të përvetësosh në lidhje me kur ishte Samuel Zhbogar-unioni europian, është prononcuar Izairi.

    “Projektet e mia janë të shkruara, ndërsa projektet e tua janë në Facebook, vijat e bardha. Unë realizoj kanalizimin në Uzurmisht 5.8KM. I realizuar është, e dijnë. 5.8KM unë njëherë e promovova kur i morëm mjetet dhe njëherë kur e kryva kanalizimin. Ndërmarrja publike e ka obligim tëm mban. 20 herë promovon 10 metre kanalizim ose kyçjen e shkollës në kanalizim ekzistues. Do të thotë Fatmiri nuk i ka fjalë boshe, Fatmiri i bën. Qytetarët shumë mirë e dijnë. Nuk them askund atë që se kam bë”, ka deklaruar Izairi.

    Ai më tej i përmendi se ka realizuar në përgjithësi 50KM të ujësjellësit, 50KM kanalizim, 46 mijë metër begatona.

    “Nuk kam premtuar çudira, nuk kam premtuar se do bie 60 milionë euro. Nuk kam premtuar se do jap me koncension rrugët, pikërisht atë që thash se qytetarët e Debërcës çka do paguajnë koncension për të shku në shtëpi të vete ose nuk ka interes. Nuk kam premtuar zona fantome, iluzione turistike në Sallarevë. Kështu premtime nuk kam bërë. E imja ka qenë të merrem me çështje reale”, ka theksuar më tej Izairi.

    Sejdiu: Në komunën e Zhelinës kemi bërë shumë punë, por asnjëherë nuk është mjaft

    Kandidati i Lëvizjes Besa, Blerim Sejdiu në komunën e Zhelinës ka folur për prioritetet e tij dhe projektet e realizuara, siç janë infrustruktura, riparimi i objekteve të shkollave fillore, transparenca-ku nga vendi i 78 në rang listë e bëri në vendin e parë sa i përket transparencës, përcjell Nistori.

    “Ne gjatë kësaj periudhe bëmë shumë punë, por asnjëherë nuk është mjaft. Neve na kanë ngelur edhe shumë projekte tjera në realizim e sipër dhe ne për qytetarët tanë duhet t’i përfundojmë ata projekte. Ky është motivi jonë, motivi që na bën më shumë të punojmë. Ne normalisht gjatë kësaj periudhe kishim vështirësitë tona me Covid-19, ku një vit e gjysmë na pengoi…dhe kjo ka ndikuar në menaxhimin e komunës dhe me punët tona të përditshme”, ka deklaruar Sejdiu.

    Ai u bëri thirrje qytetarëve që ashtu siç punoi në katër vitet e kaluara të përkrahin edhe për një mandat të dytë në realizimin e projekteve të radhës. 

    BDI: Taravari nuk ka bërë asgjë në lidhje me qentë endacakë

    Bashkimi Demokratik për Integrim bashkë me nismën qytetare “Gostivari që dua”, sot në selinë e partisë në Gostivar kanë mbajtur konferencë për shtyp dedikuar ditës botërore të kafshëve.

    Adelisa Mazllami, kandidate për këshilltare potencoi se kryetari aktual i Gostivarit, Arben Taravari për katër vite nuk ka lëvizur as gishtin për ta zgjedhur problemin e qenve të pastrehë, madje as pas rastit me vajzën 17 vjeçare që humbi jetën e saj, ai nuk bëri asgjë.

    “Ështe gjithashtu një kërcënim ndaj fëmijëve tanë, shëndetit tonë dhe kafshëve tona shtëpiake. Dhe pastrimi i qytetit nga qentë me anë të helmimit nuk është vetëm çnjerëzore, mizore dhe e rrezikshme, por gjithashtu nuk është efektive. Iniciativa e qytetarëve “Gostivari që duam” bashkë me BDI jo vetëm që ka hapur një peticion për ta pastruar qytetin nga qentë endacak para disa javëve, por gjithashtu ka mirëpritur një plan të ri, si ta zgjedhim problemin jo vetëm para zgjedhjeve, por efektivisht dhe qëndrueshëm”, tha Mazllami. 

    Ajo shtoi se bashkë me kryetarin e ardhshëm Nevzat Bejta, do të zgjidhet problemi me qentë endacakë në mënyrë njerëzore, por edhe të qëndrueshme. Madje premtoi se do të ndërtojnë një strehimore moderne për qen, me qëllim për të parandaluar kete kaos.

    Arsovska: Kërkesat e qytetarëve do të marrin përgjigje në afat prej 24 deri 72 orë

    Administrata e qytetit do të jetë e hapur për qytetarët të cilët do të mund të kërkojnë shërbim nga qyteti edhe pas përfundimit të orarit të punës. Qyteti do të ketë për obligim që në afat prej 24 orëve të japë përgjigje për çdo kërkesë pavarësisht nëse është kompetent ose jo për zgjidhjen e problemit.

    Nëse nuk është përgjegjës, atëherë do të ketë obligim që të parashtrojë kërkesë në emër të qytetarët deri te institucioni kompetent dhe ta informojë se si është procedura e mëtutjeshme, theksoi në konferencën e sotme për media dhe ta informojë se si është procedura e mëtutjeshme, theksoi në konferencën e sotme për media kandidatja e pavarur për kryetare, e mbështetur nga VMRO-DPMNE dhe koalicioni.

    Ajo shtoi se procedura për përgjigje është të ketë përgjigje përmes rrugës elektronike, thirrjes me telefon ose sms.

    “Nuk do të ekzistojë derë e mbyllur për qytetarët. Administrata e paguar nga qytetarët duhet të jetë në shërbim të qytetarëve. Por administrata duhet të jetë edhe e motivuar që të punojë më mirë dhe më efikas. Për këtë do të vendoset parimi i pikëve pas projekteve të suksesshme dhe rasteve të përfunduara” theksoi Arsovska.

    Veting për drejtorët e ndërmarrjeve publike dhe udhëheqësve të shërbimeve pranë qytetit të Shkupit, është një nga angazhimet e Arsovskës në programin e saj për zgjidhje të shpejta dhe efikase të qytetit të Shkupit.

    “BDI ka harxhuar 2.5 milionë euro për marketing politik”

    Partia Demokratike Shqiptare nëpërmjet një komunikate për media, ka akuzuar Bashkimin Demokratik për Integrim dhe nënkryetaren e saj Teuta Arifi për shpenzime të majme gjatë fushatave zgjedhore.

    “Sipas të dhënave zyrtare vetëm pesë ciklet e fundit zgjedhore BDI ka harxhuar mbi 2.5 milionë euro. Edhe një herë e përsëris, BDI ka harxhuar mbi 2.5 milionë euro. Sa kanë harxhuar jozyrtarisht nuk e dijmë.

    Ne mendojmë se këto para që janë harxhuar për marketing politik, sikur të ishin investuar diku, mund të kishim ndërtuar ndonjë rrugë, ujsejellës apo të shërbenin për hapjen e vendeve të reja të punës dhe shumë gjëra tjera”, thonë nga PDSH.

    PDSH poashtu kërkon nga komuna e Tetovës në lidhje me shumën prej 56 mijë euro, nëse kjo shumë është pjesë e këtyre të dhënave zyrtare. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Murseli: Është momenti që Tetovën ta bëjmë qytet të organizuar mirë, me strategji të qartë për zhvillim socio-ekonomik

    Lajmi i rradhës

    Zjarri në qendrën modulare në Tetovë shpërtheu për shkak të tejnxehjes së një kablloje

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë