Domethënia “e fshehtë” e dy fjalive të BE-së për Ukrainën

    Supozohej të ishte gjëja më e vështirë për të cilën duhej të arrihej pajtim, teksa udhëheqësit e Bashkimit Evropian u mblodhën për samitin e tyre të fundit të vitit, në Bruksel. Por, vendimet historike për zgjerimin e BE-së ishin, në të vërtetë, më të lehtat nga të gjitha, teksa u arrit marrëveshje në mbrëmjen e hershme të 14 dhjetorit.

    Ajo çfarë duhej ta bënte këtë një çështje aq të ndërlikuar ishte se nuk mund të kapërcehej një veto hungareze. Por, ajo u zgjodh në një mënyrë krejtësisht të re në historinë e samiteve të BE-së. Kryeministri hungarez, Viktor Orban, thjesht u ngrit dhe u largua nga salla, duke thënë se nuk pajtohej, por, në të njëjtën kohë, i lejoi 26 të tjerët të votonin. Praktikisht, vetoja nuk u përdor. Një vendim mund të merret ligjërisht në këshill, nëse ekziston kuorumi (2/3 e pjesëmarrësve në sallë) – por në këtë rast nuk ishte kështu. Ishte një lloj karte e “abstenimit konstruktiv”, që u luajt në nivelin më të lartë, e cila tani ka mundësi të përdoret më shpesh.

    Orban ngulmoi tërë kohën se as Hungaria, as BE-ja, nuk ishin të gatshme të hapnin negociatat për anëtarësim me Ukrainën. Por, analizojini komentet e Orbanit, qoftë në parlamentin hungarez, një ditë para samitit, dhe gjatë mbërritjes në samit – ai, në fakt, sinjalizoi kompromisin që udhëheqësin e arritën më vonë. Ajo çfarë ai në të vërtetë vuri në pah, në këto dy adresime, ishte fakti që ai ishte kundër pranimit të “shpejtë” apo “të përshpejtuar” të Ukrainës. Dhe, këtu u hap mundësia për një marrëveshje, për të cilën punuan duke ngrënë mëngjesin, në fillim të samitit, Orban, kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron, dhe kryetarët e Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian, Ursula von der Leyen, përkatësisht Charles Michel. Të gjithë 26 udhëheqësit në fund arritën pajtim, ndërsa atyre iu bashkua edhe Orban.

    Për të kuptuar kompromisin, ia vlen të shikohen dy fjali në konkluzionet e miratuara të samitit të BE-së, që udhëheqësit i nënshkruan, përkitazi me anëtarësimin e Ukrainës dhe Moldavisë në BE, teksa kjo dyshe është e lidhur me procesin e zgjerimit të BE-së: “Këshilli Evropian vendos të hapë negociatat për anëtarësim me Ukrainën dhe me Republikën e Moldavisë. Këshilli Evropian fton Komisionin të miratojë kornizat përkatëse të negocimit, sapo të ndërmerren hapat e nevojshëm, që parashihen nga rekomandimet përkatëse të Komisionit, të datës 8 nëntor 2023”.

    Fjalia e parë përbën fitore të pastër për Ukrainën (dhe për Moldavinë). Zyrtarët ukrainas kanë dashur “gjuhë të qartë dhe të pastër” për hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Dhe, ata e arritën atë, përderisa Hungaria u zbut. Por, me fjalinë e dytë, udhëheqësit e BE-së kanë vendosur ta shtyjnë ballafaqimin me çështjen. Për të nisur bisedimet de facto të anëtarësimit, duhet të miratohet një kornizë negocimi. Dhe, tani çështja është se kur mund të ndodhë kjo vërtet? Këtu, duket se Hungaria është në pozicion vendimtar.

    Komisioni Evropian vetë e ka zgjedhur këtë “zgjidhje”, kur ka prezantuar raportin e tij të madh të zgjerimit, në nëntor. Në të, ai ka nënvizuar se do t’i raportonte shteteve anëtare të BE-së më së voni në marsin e vitit 2024, rreth kushteve të mbetura për Ukrainën, Moldavinë dhe Bosnje e Hercegovinën. Çështjet e mbetura për Ukrainën ishin miratimi i ligjeve për funksionimin më të mirë të Zyrës Kombëtare Kundër Korrupsionit, adresimi i rekomandimeve të nënvizuara nga Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës kur bëhet fjalë për ligjet për gjuhët zyrtare, mediat dhe arsimimin – diçka që Budapesti e ka përmendur vazhdimisht kundër Ukrainës, duke pohuar se ka diskriminim të minoritetit hungarez atje – dhe zbatimi i një ligji që rregullon lobimin.

    Sipas Ukrainës, ajo tashmë i ka miratuar dy ligjet e para dhe së shpejti do të nisë zbatimin e atij për lobimin. Dhe, sipas presidentit Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili ka folur para udhëheqësve të BE-së përmes video-lidhjes, shpresohet që korniza e negocimit të miratohet në mars. Ky duket të jetë skenari më logjik, teksa udhëheqësit e BE-së pritet të takohen atë muaj, për një samit në Bruksel, dhe më pas mund ta aprovojnë atë. Por, nuk duhet të llogaritet në këtë. Orbani ka qenë i mendimit, gjatë samitit, se Ukraina nuk i ka përmbushur asnjërin prej tri kushteve të mbetura. Dhe, në fund, ai është njeriu që ka veton.

    Në bisedimet e tij me Michelin dhe me të tjerët, u arrit pajtim që udhëheqësit do t’i kthehen çështjes pas një viti, që do të thotë në dhjetorin e vitit 2024. Mund të ketë njëfarë logjike prapa kësaj. Fillimisht, do të mbahen zgjedhje për Parlamentin Evropian, në qershor, dhe pas kësaj, do të zgjidhet një Komision i ri Evropian dhe një kryetar i ri i Këshillit Evropian. Disa në BE druajnë se dhënia de facto e dritës së gjelbër disa muaj para zgjedhjeve iu jep populistëve në disa vende të BE-së një armë të fuqishme elektorale, veçanërisht kur kihet parasysh një rritje e raportuar “e lodhjes me Ukrainën”. Dhe, e dyta, besohet se një Komision i ri mund ta shikojë tërë situatën me sy të freskët, në vend se ta lejojë atë në largim t’i udhëheqë punët tërësisht.

    Por, shumica pajtohen se ajo që po bën Orban është, në të vërtetë, ngadalësim i procesit për Ukrainën dhe përdorim i secilës veto të mundshme në proces si levë për t’i marrë gjërat që i dëshiron – sidomos një ndryshim të skenës politike në Perëndim dhe më shumë fonde nga BE-ja. E para tashmë mund të ketë filluar, teksa populistët me qëndrime të ashpra kundër Ukrainës kanë fituar zgjedhjet e fundit në Holandë dhe në Sllovaki, ndërsa zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në horizont.

    Teksa gjërat mund të lëvizin në favor të Orbanit karshi Ukrainës, ai ndoshta edhe mund të llogarisë në atë se BE-ja do të duhet së shpejti të ndërmarrë disa vendime të vështira për Ukrainën – qoftë në formën e fondeve më të vogla, apo të asaj të ngadalësimit të konsiderueshëm të zgjerimit. Dhe, këtu ai tashmë mund t’i ketë disa aleatë. Përderisa ai ka qenë i vetëm në kundërshtimin e hapjes së bisedimeve për anëtarësim me Ukrainën, duket se disa shtete anëtare, nga lindja deri në perëndim, nuk do të mërziteshin fort nëse Ukraina nuk i bashkohet shpejt klubit. Një zyrtar nga një shtet anëtar nga lindja më ka thënë: “Zyrtarisht, ne e mbështesim anëtarësimin e Ukrainës deri më 2030, por, në realitet, ne nuk do të mërziteshim nëse kjo nuk do të ndodhte deri më 2040”. Ai ka thënë se ekziston frika se Kievi do të harxhojë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të BE-së, dhe se BE-ja nuk mund të reformohet aq shpejt sa duhet për ta akomoduar atë.

    Pastaj është puna e fondeve dhe e vetove. Një ditë para samitit, Komisioni Evropian ndau mbi 10 miliardë euro për Hungarinë, të cilat më parë ishin ngrirë për shkak të shqetësimeve për sundimin e ligjit në vend. Përderisa Orban ka thënë se nuk po i përdor vetot e tij si levë për të siguruar fonde, sigurisht se u duk si rastësi shumë e përshtatshme që paratë nisën të rrjedhin për Budapestin, në kohën kur Orban duhej ta jepte dritën e gjelbër për disa vendime. Dhe, Hungaria ka sinjalizuar se ajo i do të gjitha paratë që aktualisht nuk i janë dorëzuar – gati 20 miliardë euro. Gjasat nuk janë shumë të mëdha se ajo mund të përdorë veto në lidhje me Ukrainën për të siguruar më shumë fonde. Procesi i zgjerimit përfshin mbi 70 mundësi për veto, me të gjithë kapitujt në negociatat e pranimit – dhe janë mbi 30 të tillë – që kanë nevojë për dritë të gjelbër për t’u hapur e për t’u mbyllur.

    Por, teksa hapjes së bisedimeve për anëtarësimin e Ukrainës iu dha aprovimi, pasuan edhe aprovimet për vendet e tjera shpresuese për t’iu bashkuar BE-në. Ishte situatë “të gjithë ose askush”, pak a shumë. Moldavia do të përballet me të njëjtën pritje të ndërlikuar si Ukraina, për sa i përket asaj se kur mund të fillojë vërtet procesi drejt anëtarësimit. Gjeorgjia tani ka marrë statusin e vendit kandidat, i njëjti titull që i është dhënë Ukrainës dhe Moldavisë më 2022, që do të thotë se Tbilisi do të vazhdojë të jetë një hap prapa Kishinjevit dhe Kievit. Dhe, pati më shumë fjalë pozitive për Bosnje e Hercegovinën sesa pritej. Ajo që arriti Sarajeva ishte një lloj “hapje me kushte e bisedimeve për anëtarësim”. Gjuhë jo aq e qartë sa për Ukrainën dhe Moldavinë në konkluzionet e samitit: “Komisioni Evropian do t’i hapë negociatat për anëtarësim me Bosnje e Hercegovinën, sapo të jetë arritur shkalla e domosdoshme e përputhshmërisë me kriteret e anëtarësisë”. Por, pas lobimit të fuqishëm nga Austria, Kroacia, Hungaria dhe Sllovenia, u shtua edhe një fjali tjetër, e cila jep të paktën njëfarë qartësie se kur mund të pritet një vendim: “Komisioni t’i raportojë Këshillit për progresin më së largu në marsin e vitit 2024, dhe të përgatitet për një vendim”.

    U morën, pra, disa vendime të mëdha, në mënyrë që të fillohet zgjerimi i klubit, por përpara ndodhen disa pengesa po aq të mëdha. /REL/

    Lajmi Paraprak

    BE-ja i përgjigjet Serbisë: Marrëveshja dhe aneksi i Ohrit janë ligjërisht obliguese

    Lajmi i rradhës

    Problemet e marrëveshjes Rama-Meloni me ligjet e BE-së

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë