Drejtoria e Doganave pas një inspektimi të jashtëzakonshëm konfirmon që kompania “Base Oil” që operon në uzinën e fshatin Kostërnik ka importuar lëndën e parë të vajit dhe materie të tjera nga Irani.
Dogana njoftoi se në periudhën gjatë vitit 2021 dhe në tremujorin e 2022-ës mbi 42 ton bazë vaji kanë hyrë nga Irani në uzinën e Kostërnikut. Ata thanë se nëpunësit e tyre kanë dal edhe në vendngjarje.
“Bazë vaji prej 42,45 ton në dy deklarata importi kanë ardhur nga Irani në shtator të vitit 2021; Linja e magazinimit dhe përpunimit të naftës, me dy deklarata importi në mars 2021 dhe shkurt 2022, ka hyrë nga Irani, si dhe materie Bentoniti në sasinë 16.9 ton me një import në shkurt 2022, ka hyrë nga Irani”, thonë nga Drejtoria e Doganave të RMV-së.
Nga Dogana thanë se për vaj motorik nuk është kërkuar nga subjekti “Base Oil” e as nuk është dhënë nga drejtoria ndonjë miratim apo licencë akcize. Por, sipas tyre në këtë periudhë jo vetëm kjo kompani por asnjë tjetër në vend nuk ka importuar nga jashtë vaj të djegur motorik për arsye riciklimi të vajit.
Se një shtetas iranian qëndron në vend për të punuar në uzinën ilegale të Kostërnikut e dëshmon edhe dokumenti që siguroi Tv Alsat, ku organet kompetente të sigurisë kërkojnë informacione mbi iranianin.
“Personi Ahanposh Mahdi i lindur më 14.01.1979 në Teheran, shtetas i Iranit ka dorëzuar kërkesë për leje qëndrim të përkohshëm për qëllim të punësimit si teknolog prodhimi në firmën ‘Base Oil’ Kumanovë”, thuhet në dokument.
Organet thonë se do të hetojnë nëse shtetasi iranian Mahdi i cili punon në rafinerinë ilegale, ka apo jo leje të përkohshme qëndrimi. Do të hetohet gjithashtu edhe mënyra e futjes së pajisjeve të instaluara në Kostërnik.
Nga Ministria Ekologjisë thonë se nuk kanë dhënë asnjë leje për importin e vajrave të djegura motorike, nga që asnjë subjekt në vend nuk posedon fabrikë apo uzinë që i plotëson kushtet për riciklimin e vajit. /Alsat/