E shkatërron ndërmarrja e shtetit, e rikonstruon mërgimtari!

    Fshati Kosovrast është fshat me bukuri të shumta natyrore. Në këtë fshat gjenden edhe banjat e njohura “Banjat e Dibrës Capa – Kosovrast” dhe është një vendbanim mjaft i frekuentuar si nga banorët vendas, ashtu edhe nga mysafirë të shumtë që vijnë nga të gjitha vendet. Mirëpo, ura që lidh fshatin me rrugën kryesore është me shumë mangësi dhe udhëtarët hasin në vështirësi të shumta. Në këtë urë mungonin rrethoret mbrojtëse, megjithatë sot rrethorja u vendosë dhe u rregullua nga një mërgimtar i jonë. Ura që lidh fshatin Kosovrast me rrugën kryesore Dibër-Kosovrast-Mavrovë ka një gjatësi prej 30 metra. Kjo urë është shumë e ngushtë dhe konstruksioni që nuk jep mundësi për qarkullim normal, sidomos të mjeteve të rënda.

    Është ura kryesore që lidh Dibrën dhe fshatin Kosovrast e që frekuentimi është shumë i madh. Mirëpo, kalimi në këtë urë ka shumë rreziqe, ngaqë rrethoret mbrojtëse që kanë qenë të vendosura para disa vitesh, tanimë janë shkatërruar. Edhe para shtatë vitesh ka qenë i njëjti problem, por u renovua poashtu nga mërgimtari i njëjtë nga fshati Broshtic, i cili ndërtoi rrethore mbrojtëse nga metali në të dyja anët e urës.

    “Jetoj në Gjermani, por kur vij në fshatin tim Broshtic, bëj dhe banjë në Kosovrast. Duke kaluar në këtë urë me shumë pasiguri ngaqë s’kishte rrethore dhe aty kalon lumi Radik që fillon liqeni i Dibrës, vendosa para shtatë vitesh që këto 30 metra në të dy anët e urës, respektivisht 60 metra të siguroj mbrojtëse metalike”, tregon Jusuf Avmedoski, i cili thotë se ky gjest u përshëndet nga banorët e fshatit Koosvrast, por edhe nga banorët e Dibrës ngaqë të gjithë kalojnë andej.

    Mirëpo nuk kaloi as edhe një vit – në pjesën hyrëse të kësaj ure u dëmtuan këto rrethore nga ndërmarrja “Rrugët e Maqedonisë”,Njësia Dibër. Nga kjo ndërmarrje, përfaqësuesit e saj na thanë se mjetet e mëdha të tyre kanë hasur në pengesë tek rrethoret, dhe janë dëmtuar. Mirëpo, kjo situatë ngeli kështu gjashtë vite të tjera deri më sot. Tani, sërish i njëjti person – Jusuf Avmedoski, vendosi që ta rregulloj këtë pjesë të rrethoreve të dëmtuara.

    “E pash që e kanë shkatërruar edhe pse kushtoi shumë, por më shumë kushton mbrojtja e udhëtarit. Vendosa që sërish ta rregulloj. Bëhet fjalë për 24 metra rrethore metalike në të dy anët e urës. Shpresoj që s’do ta shkatërrojnë e ta dëmtojnë sërish”, thotë Avmedoski.

    Në lidhje me këtë problem që ka të bëjë me dëmtimin dhe shkatërrimin e rrethoreve mbrojtëse të urës në fjalë, biseduam edhe me kryetarin e bashkësisë lokale të Kosovrastit, Asedin Mustafoski. Ai për gazetën KOHA thotë se konstruksioni i vet urës është i ngushtë, ndërsa rrethoret janë shumë të domosdoshme për sigurinë në komunikacion. “Ndërmarrja ‘Rrugët e Maqedonisë’ – njësia Dibër, në fshatin Kosovrast e ka selinë e saj. Ajo me mekanizmat e saj të rënda e të mëdha i kanë dëmtuar këto rrethore të cilat ngelën ashtu për disa vite me rrallë. Megjithatë, e përshëndesim gjestin human të mërgimtarit tanë, por njëkjohësisht u bëj thirrje edhe mërgimtarëve të tjerë ta ndjekin shembullin e Josuf Avmedoskit, i cili për herë të dytë i rregullon këto rrethore”, thotë Mustafoski. Vendosjen e rrethoreve tek ura në hyrje të fshatit Kosovrast e përshëndetën banorët e fshatit, por edhe ata që shfrytëzojnë banjat. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Ministri i lë shkollat e mesme të Tetovës pa rroga

    Lajmi i rradhës

    Dy opsionet për Kushtetutën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë