Dy opsionet për Kushtetutën

    Të rinjtë nuk emigrojnë për shkak të Kushtetutës, ose versionin e tanishëm apo të nesërm të dy neneve. Jo, ata nuk zgjohen dhe nuk flenë me Kushtetutën, por me nevojën normale e njerëzore, që të jetojnë në shtëpi, në mënyrë normale, të pasuruar dhe të qetë, të jetojnë në mënyrë europiane, si bashkëmoshatarët e tyre në qytetet dhe fshatrat europiane. Kështu e ka nis fjalimin para deputetëve kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në seancën parlamentare kushtuar ndryshimeve kushtetuese. Ai ka thënë se integrimi në Bashkimin Evropian është prioriteti më i madh shtetëror dhe se për 20 vite, ky prioritet ende nuk ka ndryshuar.  “Anëtarësimi në BE procesi më i mirë politik ekonomik dhe financiar i vendit. Të jemi shtet me të gjitha standardet. I hedh poshtë të gjithë pretendimet se ndryshimet kushtetuese bëhen me diktat bullgar. Rruga e vendit drejt BE-së ka pasur shumë padrejtësi, por këto ndryshime duhet të bëhen për hir të së ardhmes. Me politika të shëndosha, Kroacia sot është anëtare e BE-së dhe ka politikanë largpamës”, tha Kovaçevski. Për rendin e ditë , “për” votuan 70 deputetë dhe 47 u shprehën “kundër”, ndërsa në rend dite është vetëm një pikë – nevoja për hapjen dhe ndryshimin e Kushtetutës.

    Deputeti i pavarur, Skender Rexhepi tha se, nëse nuk mbështetet ndryshimi i Kushtetutës, frikësohet se do kthehemi në vitet e 90-ta kur popullata ushqehej me nacionalizëm dhe populizëm.  “Shqiptarët asnjëherë nuk e kanë kontestuar identitetin dhe gjuhën maqedonase. Nëse nuk anëtarësohemi në BE, komunat shqiptare në Maqedoni mund të kërkojnë një rrugë alternative për BE, ndaras nga komunat maqedonas. Frikësohem se do kthehemi në vitet e 90-ta kur popullata ushqehej me nacionalizëm dhe populizëm”, u shpreh Rexhepi.

    Cila është rruga tjetër që e propozon VMRO?, pyeti deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe.  “Nëse nuk votohen ndryshimet kushtetuese, si mendon VMRO të arrijmë në BE? Mendoj se VMRO po dërgon ujin në mulli të Bullgarisë, sepse nëse nuk votohen ndryshimet kushtetuese, do të bllokohet procesi integrues i vendit dhe do të kemi migrim masiv të të rinjve. 20 përqindëshi është një lloj që i vishet shqiptareve dhe duhet edhe kjo të ndryshohet në Kushtetutë. E them këtë sepse gjuha shqipe është pasuri si një ndër gjuhët më të vjetra në kontinent”, tha Snopçe. Në ndërkohë, deputetja e VMRO-së, Gordana Siljanovska tha se partia e saj nuk është kundër BE-se dhe Bullgarisë, por që ligji fton në reciprocitet në marrëdhëniet ndërkombëtare. “Bullgaria është nënshkruese e Konventës për mbrojtjen e pakicave, por atje nuk janë maqedonasit. Kambanat bien për Maqedoninë, por duhet të tregojmë që në rrugën drejtë BE-së duhet të shkojmë ashtu si vendet tjera deri më tani dhe jo në rrugë të veçantë. Për këtë mendoj se ky propozim nuk duhet të kaloj dhe duhet të pyeten qytetarët”, tha Siljanovska, ndërsa bëri të ditur se deputetët e VMRO-së do të votojnë kundër ndryshimeve kushtetuese.

    Megjithatë, gjatë dhjetë ditëve të ardhshme, sa është afati për diskutim, mbetet e paqartë nëse opozita maqedonase do të votojë “për” ndryshimin e kushtetutës, konkretisht përfshirjen e bullgarëve dhe disa bashkësive të tjera “më të vogla” etnike në Preambulë. Nga kjo varen edhe negociatat me BE-në.

    Domethënë, për ndryshimin e Kushtetutës nevojitet një shumicë prej dy të tretash, të cilën LSDM, BDI dhe partnerët tjerë në pushtet ende nuk mund ta sigurojnë, sepse opozita refuzon të japë mbështetje. Nëse deri më tani “problemi” më i madh ishte opozita e VMRO-DPMNE-së, tani doli se edhe opozita shqiptare ka kushtet e veta në të cilat vazhdon deri në fund. Këta të fundit janë për miratimin e nevojës për ndryshimin e Kushtetutës, megjithatë kanë përmendur që kur të nis debati tamam, të hiqet referenca “20%” për gjuhën shqipe. BESA, Alternativa dhe dy ish-deputetët e BDI-së e kërkojnë një gjë të tillë, ndërsa edhe deputeti i pavarur, Skender Rexhepi e përmendi të njëjtën kërkesë ditën e djeshme.

    Megjithatë, njohësit e çështjeve politike thonë se në tavolinë ditëve në vijim do të jenë dy opsione. E para, sipas tyre, Talat Xhaferi do të ndërprejë seancën pasi të shteret debati fillestar dhe të pret për votimin menjëherë para konferencës së dytë ndërqeveritare me BE-në, e cila duhet të mbahet në nëntor. Me këtë, do të fitohej kohë deri në bisedime me deputetë të VMRO-së për mbështetje të ndryshimeve kushtetuese. Megjithatë, shumë besojnë se, megjithëse varianti i parë është i mundshëm, ekziston një variant i dytë, ndoshta më i realti – që votimi të mos mbahet kurrë ose ndoshta të lihet para zgjedhjeve parlamentare, të cilat mund të mbahen në mandatin e rregullt vitin e ardhshëm 2024.

    Nga pikëpamja normative, procedura për ndryshime kushtetuese mund të hapet dhe të ndalet në çdo fazë, ndërsa procesi mund të pushojë deri në përfundimin e mandatit të deputetëve dhe përbërjes parlamentare, pra deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Më saktë, me zgjedhjen e përbërjes së re parlamentare, bien në ujë të gjithë hapat që janë hedhur. Sa për kujtesë, ndryshimi i Kushtetutës i iniciuar para disa vitesh nga VMRO-DPMNE dhe BDI-së, i cili parashikonte një përkufizim kushtetues të martesës, zonave ekonomike financiare, stemës shtetërore etj., ngeci në një nivel të avancuar. Debati dhe procesi nuk u përfundua kurrë. Erdhën zgjedhjet dhe puna dështoi. Nëse nuk i siguron dy të tretat e shumicës, Qeveria mund të vendosë të mos e vërë fare në votim hapjen e Kushtetutës ose mund ta bëjë këtë menjëherë para zgjedhjeve për të shënuar opozitën si një strukturë anti-evropiane, e cila pengon të ardhmen evropiane nga brenda dhe perspektivën e shtetit dhe qytetarëve. /koha/

    Lajmi Paraprak

    E shkatërron ndërmarrja e shtetit, e rikonstruon mërgimtari!

    Lajmi i rradhës

    Fabrika ruse përdor të miturit për montimin e dronëve ‘vetëvrasës’ iranianë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë