Edukimi mediatik në RMV, mbrojtja më e mirë nga dezinformatat

    Maqedonia e Veriut përmes zbatimit të praktikave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), synon të krijojë një ombrellë për t’u mbrojtur nga manipulimi i dezinformatave.

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, gjatë qëndrimit në SHBA brenda kësaj jave me përgjegjësin e Qendrës Globale të Angazhimit, James Rubin, ka nënshkruar një Memorandum mirëkuptimi që përcakton bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në luftën kundër manipulimit të informacionit.

    “Memorandumi për bashkëpunim parasheh intensifikimin e bashkëpunimit në aktivitetet që Qeveria ndërmerr në trajtimin e dezinformimit dhe manipulimit të informacionit. Bashkëpunimi përfshin shkëmbimin e praktikave të mira dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë së sistemeve të informacionit, këshillimin dhe udhëzimin në luftën kundër dezinformimit e rritjen e ndërgjegjësimit për efektet e dëmshme të dezinformimit”. Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, lija Zhupanoski, bashkëpunëtor për komunikim digjital i kryeministrit Kovaçevski.

    Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut, Mlladen Çadikoski, i konsideron këto memorandume si shumë të rëndësishme, veçanërisht kur merret mbështetje nga SHBA-ja.

    Ai shton se për të rezultuar me sukses lufta kundër dezinformatave dhe që qytetarët mos bien pre e manipulimit të informacioneve, duhet investuar në edukimin mediatik të të gjithë shoqërisë, duke filluar nga shkollat fillore.

    “Edukimi mediatik mbetet mbrojtja më e mirë nga dezinformatat”.

    “Ne si shoqëri duhet angazhuar me shumë përkushtim në luftën kundër dezinformatave, përkatësisht detektimin e lajmeve të rrejshme duke filluar nga fëmijët në moshën më të hershme, si dhe të punojmë në edukimin e opinionit për rreziqet që sjellin dezinformatat”, thotë Çadikoski.

    Sipas tij, kësaj çështjeje duhet t’i qasen në mënyrë sistematike Ministria e Arsimit, mediat dhe institucionet tjera, për edukimin e qytetarëve që të dinë të njohin, përkatësisht t’i detektojnë burimet që shpërndajnë lajme të rrejshme.

    “Në kohën e sotme duhet mësuar si t’i lexojmë lajmet, të mësojmë se kush janë mediat e besueshme kundrejt qendrave propaganduese që shërbejnë për qëllime të caktuara politike apo gjeostrategjike. Edukimi mediatik mbetet mbrojtja më e mirë nga dezinformatat”, thekson Çadikoski.

    Punonjësit mediatikë që në fokus kanë luftën kundër lajmeve të rrejshme theksojnë se burim i dezinformatave mbeten Rusia dhe Kina. Ata përmendin edhe Serbinë si burim dezinformatash për rastet që synojnë mbrojtjen e agresionit rus në Ukrainë.

    Dezinformatat kryesisht ndërlidhen edhe me devijimin e vlerave që mbron Bashkimi Evropian, pjesë e të cilit ka për qëllim të bëhet Maqedonia e Veriut.

    “Çështja e dezinformatave është bërë aktuale së fundmi pasi duke qenë në kohë lufte, pra luftën në Ukrainë, kuptuam se lufta më nuk bëhet vetëm me armë, por edhe përmes keqinformimit të njerëzve. Prandaj, këto çështje dalin në një nivel tejet të lartë politik duke marrë deklarata kaq direkte për mbrojtjen nga dezinformatat. Kjo është arsyeja se pse i dëgjojmë politikanët e nivelit të lartë të flasin për dezinformatat pasi edhe për ata është e qartë se kur qytetarët keq informohen, reagimet për punën e tyre bëhen mbi bazë të një informacioni jo të saktë”, thekson Nazim Rashidi, gazetar dhe ligjërues i Shkencave të komunikimit në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup.

    Në raportin më të ri të organizatës Freedom House për lirinë e shprehjes në botë, Maqedonia e Veriut është cilësuar si vend “pjesërisht i lirë” duke shënuar përparim minimal për vetëm një pikë krahasuar me vitin e kaluar gjegjësisht ka marrë 68 pikë prej 100 pikëve të mundshme.

    Lajmi Paraprak

    Kompanitë në RMV “qajnë” për punëtorë!

    Lajmi i rradhës

    Nuk ka zgjidhje për kanalin në Reçicë të Vogël, problemi ekziston që nga viti 2015

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë