Kompanitë në RMV “qajnë” për punëtorë!

    Titujve gjerman e kroat për mungesën alarmante të punëtorëve nuk i’u shpëtoi as Maqedonia e Veriut. Kompanitë prej kohësh po potencojnë nevojën urgjente për fuqi punëtore, u kërkua dhe tashmë po realizohet importi i punëtorëve nga disa vende.

    Por edhe pas gjitha atyre alarmeve, të dhënat e Agjencisë për Punësim tregojnë për një numër të madh të papunësisë në vend, madje numri është aq i lartë sa nuk mund të kthehet në gjendjen para pandemisë. Të dhënat e fundit të Agjencisë për Punësim tregojnë se vetëm në muajin mars vendi ka pasur 108.675 persona të papunë. Vërtetë kjo nënkupton një rënie të re të ndjeshme në numrin mujor të papunëve me 1.831 dhe vërtet që ky numër është në rënie nga muaji në muaj, por e vërtetë është edhe se ky numër është ende larg numrit që ishte para shpërthimit të pandemisë, kur ai lëvizte nga rreth 100 mijë, ndërsa në 2018 ai ishte shumë më pak se 91 mijë.

    Natyrisht që duhet pasur parasysh që mbyllja e objekteve gjatë pandemisë çoi në rritjen e numrit të papunësisë dhe në shkurt të 2021 ajo arriti kulmin duke u ngritur në rreth 160 mijë të papunë. Ndonëse sektori privat “po lut” për punëtor, për momentin ky numër nuk bie nën 100 mijë. Mungesën e punëtorëve vazhdimisht e thekson edhe kryetari i Kuvendit të Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë, Angel Dimitrov, i cili tha për mediat se, këta persona të regjistruar si të papunë në Agjencinë për Punësim në fakt janë përfitues të ndihmës sociale ose punojnë ilegalisht, kurse një pjesë edhe kanë ikur jashtë vendit, dhe kur i kërkon për ti ofruar punë as nuk përgjigjen në telefonata.

    “Ata përdorin ndihmën sociale, ndihmën për varfërinë energjetike, si dhe përfitime tjera të ngjashme dhe nuk duan ti humbin ato. Për shembull, nëse në një familje nëna dhe babai përdorin ndihmën sociale dhe djali punësohet, e gjithë familja e humbet ndihmën sociale, prandaj për ta mund të jetë më fitimprurëse të marrin ndihmën sociale dhe të punojnë ilegalisht, sesa të punësohen me pagë minimale”, sqaron Dimitrov. Sipas tij, numri prej 108 mijë nuk është edhe aq real pasi shumica e të rinjve që kanë përfunduar arsimin e lartë nuk duan të pranojnë punë që kërkon kualifikime më të ulëta, por që siç tha ai “fatkeqësisht nuk ka punë për profesionet e tyre”.

    Nga ana tjetër, ai u shpreh gjithashtu se 40% e të papunëve nuk kanë të përfunduar as arsimin fillor dhe plus 10% që nuk kanë arsim të mesëm. Sipas Dimitrov duhet cekur edhe problemi me fermat bujqësore ku një numër i madh fermash të vogla familjare kanë të regjistruar 1 ose 2 të punësuar, ndërsa 3 të tjerë punojnë ilegalisht.

    Ministrja për Punë dhe Politikë Sociale, Jovana Trençevska së fundmi tha se shteti është duke punuar në ndryshimet ligjore, me qëllim që qytetarët e aftë të kthehen në tregun e punës. “Është evidente që vendi ka mungesë të fuqisë punëtore, por ka edhe një numër të madh të familjeve përfituese të ndihmës minimale e që është një fuqi punëtore. Prandaj po bëjmë ndryshime në Ligjin për mbrojtje sociale, që të mund ti kthejmë në punë”, u shpreh Trençevska.  Ajo vlerëson se qytetarët nuk duhet që një kohë të gjatë të qëndrojnë nën mbrojtjen sociale, por të forcohen ekonomikisht, duke zbuluar gjithashtu se po punojnë në zgjidhje të tjera ligjore që do nënkuptojnë regjistrimin dhe çregjistrimin e lehtë nga tregu i punës. /koha/

    Lajmi Paraprak

    FËMIJËT TË LËNË PASDORE | Prindërit më sy çelë ndaj rrjeteve sociale

    Lajmi i rradhës

    Edukimi mediatik në RMV, mbrojtja më e mirë nga dezinformatat

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë