Nuk ka zgjidhje për kanalin në Reçicë të Vogël, problemi ekziston që nga viti 2015

    Reshjet e shiut pothuajse çdo herë shkaktojnë telashe dhe probleme në rajonin e Tetovës. Edhe kësaj radhe reshjet nuk kaluan pa shkaktuar probleme. Situata problematike është paraqitur në rajonin e Reçicës së Vogël, respektivisht në rrugën 172. Përgjatë kësaj rruge çdo herë kur ka më shumë reshje atmosferike, mbushet me rërë kanali dhe uji del në sipërfaqe. Kjo situatë paraqitet çdo herë në pranverë dhe në vjeshtë kur ka reshje intensive. Edhe pse disa herë janë ndërmarrë masa që të lirohet kanali megjithatë zgjidhje nuk gjendet dhe problemi përsëritet.

    Nga Komuna e Tetovës thonë se problemi është që nga viti 2015 ku pas vërshimeve janë vendosur gypa dhe kanali tashmë është më sistem të mbyllur dhe nuk mund të absorbojë tërë rërën.

    “Sa i përket pjesës nga rruga e Lubotenit e deri në rrugën e Ilindenit, ne atje kemi dërguar makineri për të punuar por ka patur defekt makineria që ka bërë pastrimin e gypave. Shpresojmë se atje do të vazhdohet të intervenohet dhe uji të shkojë përmes gypave dhe jo mbi rrugë. Me masat që janë ndërmarrë, kjo do të jetë si intervenim i përditshëm kurse pjesa tjetër për ka të bëjë me projektin afatgjatë. Poashtu është intervenuar edhe në rrugën 146 ku është pastruar rëra që ka qenë në kanal që nëse ka reshje më të mëdha të mos shkaktohen probleme”, thotë Memet Jonuzi, udhëheqës i Sektorit për Veprimtari Komunale.

    Tërë kjo lagje përballet me këtë problem. Reshjet atmosferike krahas sasisë së madhe të ujit sjellin me vete edhe rërë. Ndonëse ka kanal megjithatë i njëjti nuk mund të përballojë tërë sasinë e prurjeve nga pjesa e lartë e lagjes. Prandaj, komuna e Tetovës ka dy zgjidhje. Njëra kushton shumë dhe kërkon kohë, ndërsa zgjidhja e dytë është intervenimi më i shpeshtë në pastrimin e kanalit.

    “Problemi në rrugën 172 është paraqitur që nga vërshimet e vitit 2015, kur në atë kohë është mbyllur kanali që ishte i hapur dhe janë vendosur gypa. Me këtë rast gypat janë mbushur dhe ne që nga viti i kaluar kërkojmë zgjidhje afatgjate që njëherë e përgjithmonë të mbyllet ai problem. Ne në koordinim me kryetarin, kemi qenë prezent, të shohim problemin ndërsa kemi biseduar me banorët për të patur një zgjidhje afatgjate. Pjesa e parë është një projekt që kushton shumë apo mbi 500 mijë euro dhe do të kërkojmë zgjidhje përmes UNDP-së, që ka të bëjë nga shtëpitë e fundit rrëzë Malit Sharr e deri tek burimet poshtë fshatit Lisec. Ky variant kërkon shumë kohë dhe shumë mjete. Pjesa e dytë është nga shtëpitë e fundit e deri tek rruga e Lubotenit, ku ne jemi në fazën e fundit të projektit për ta projektuar dhe do të fillojmë me realizimin. Në teren kemi edhe kanal të hapur por njëkohësisht sipas projektit ne do të bëjmë zgjerimin e kanalit dhe do të plotësojë kushtet që në të ardhmen mos kemi këto probleme”, tha Jonuzi.

    Në këtë rrugë e cila vite me radhë ishte lënë pas dore dhe në mëshirë të fatit edhe pse është asfaltuar megjithatë problemet me kanalizimin atmosferik janë duke e shkatërruar këtë rrugë. Sipas banorëve, në atë pjesë ka qenë një kanal i vogël që ka mbledhur ujërat sipërfaqësor kur ka patur reshje por që është përdorur për ujitje. Tashmë ai kanal është futur në gypa dhe zihet shumë shpesh duke krijuar edhe vërshime të tjera në këtë pjesë të Tetovës gjegjësisht në lagjen Reçicë e Vogël. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Edukimi mediatik në RMV, mbrojtja më e mirë nga dezinformatat

    Lajmi i rradhës

    Spitali në Kërçovë assesi të përfundojë, punimet filluan në vitin 1985

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë