Ende nuk dihet shkaku i zjarrit që kaploi fabrikën në Tetovë

    Fotografia: Nistori

    Pronari i depos ku shpërtheu zjarri një ditë më parë thotë se shkaktar ishin përmbytjet. Sipas tij depërtimi i ujit brenda makinave me rrymë që prodhojnë stiroporin, ka bërë që në momentin e futjes së tyre në funksion të shpërthejnë flakët. Thotë se dëmi i shkaktuar llogaritet rreth 12 milionë euro.

    “Nga uji që reshi shiu, janë mbushur makinat nga ajo. Dëme ka shumë por do shohim duhet ti bëjmë kalkulimet. Falënderoj gjithë popullin që na kanë ndihmuar, kreun e komunës, Ministrinë, maqedonasit e shqiptarët, të gjithë”, deklaroi Ertan Memedaliu, pronar i fabrikës.

    Hetimet zyrtare nuk kanë filluar ende, thonë në Prokurorinë e Tetovës. Pritet shuarja e tërësishme e zjarrit që më pas të hetohen shkaqet që çuan në shpërthimin e zjarrit në ish fabrikën e duhanit në Tetovë. Zjarrfikësit thonë se mbeten vetëm disa vatra të vogla që duhet të pastrohen.

    “Zjarri është lokalizuar dhe është shuar i tëri. Falënderoj gjithë ekipet e zjarrfikësve anë e mbanë Maqedonisë dhe ata që ndihmuan në këtë rast. Zjarrfikësit e helmuar nga zjarri dhe tymi janë në gjendje të mirë dhe nuk kemi tani për tani të lënduar të tjerë”, tha Avni Ameti, NJTKZ Tetovë.

    Sipas kryetarit të komunës së Tetovës Bilall Kasami do të punohet në mënyrë intensive me zjarrfikësit por edhe punëtorë të tjerë në pastrimin e tërësishëm të terrenit, me qëllim që fabrika të kthehet në funksion.

    “Do bëjmë riekipimin e njësisë së zjarrfikësve, që të bëjnë vlerësimin dhe sanimin e situatës, pas çka do pastrohen gjitha vatrat eventuale të zjarrit që përfundimisht të nis sanimi i kësaj hapësire afariste. Me gjithë dëmet e konsiderueshme për biznesin në fjalë, kaloi pa ndonjë viktimë në njerëz, por me disa zjarrfikës dhe vullnetarë të lënduar”, u shpreh Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.

    Në shuarjen e zjarrit në ish kombinatin e duhanit, një ditë më parë u angazhuan zjarrfikës nga Tetova, Gostivari, Shkupi, Kumanova. Në ndihmë shkuan edhe përfaqësues të Qendrës për Menaxhim me Kriza dhe pjesëtarë të Armatës së Maqedonisë. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Ngrohja me dru mbetet alternativa e vetme për qytetarët

    Lajmi i rradhës

    Talat Xhaferi pranon interpelancën e opozitës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë