Talat Xhaferi pranon interpelancën e opozitës

    Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi ka pranuar interpelancën e opozitës të ngritur ndaj tij. Kjo d.m.th. që ajo tashmë është në procedurë parlamentare dhe rrjedhin afatet për shqyrtim.

    “Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot e pranoi interpelancën e parashtruar nga Grupi Parlamentar i VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit, sipas të cilës do të procedojë në përputhje me afatet dhe procedurat e përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit”. Njoftojnë nga Kuvendi.

    Afatet sipas Rregullores parashikojnë 15 ditë kohë që funksionari ndaj të cilit është interpelanca të përgjigjet me shkrim ndaj saj. Interpelanca vendoset në rend ditë në seancën e parë të ardhshme të Kuvendit, pas kalimit të 15 ditëve nga dorëzimi i përgjigjes tek deputetët.

    “Akoma nuk kemi marrë përgjigje dhe nuk besoj se do të marrim përgjigje së shpejti. Presim që ta vendosë sa më shpejt në rend dite si dhe ftoj edhe deputetët e shumicës të tregojnë një nivel më të lartë të kulturës politike dhe të votojnë për këtë interpelancë që Talat Xhaferi të mos jetë më kryetar i Kuvendit sepse ngjarjet e kohës së fundit tregojnë se me këtë sjellje, ai njeri nuk e meriton këtë pozitë”, tha Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE.

    VMRO-DPMNE-ja dorëzoi interpelancën pasi Xhaferi mbylli deputetët e saj në sallë kundër vullnetit të tyre. Ata kritikuan Xhaferin për shkelje të lirive dhe të drejtave të deputetëve, për sjellje joetike ndaj nëpunësve të Kuvendit, për anshmëri në drejtimin e ligjvënësit dhe për disa arsye të tjera. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Ende nuk dihet shkaku i zjarrit që kaploi fabrikën në Tetovë

    Lajmi i rradhës

    MEPSO kërkon nga KRRE-ja që të pranojë rritje të kostove prej 68 për qind

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë