Është zbehur entuziazmi për zgjidhje rreth historisë

    Entuziazmi i ri i paralajmëruar në punën e Komisionit të Përbashkët Historik u shua shpejt. Bashkëkryetarët e Komisionit, vetëm gjashtë ditë pas takimit të tyre të fundit, vazhduan të akuzojnë njëri-tjetrin, shkruan Alsat.

    Angel Dimitrov theksoi se kolegët e tij maqedonas nuk duan të pranojnë një histori të përbashkët me Bullgarinë nga mesjeta dhe këtej. Në BNT, ai e kontestoi edhe ekspertizën e tyre.

    “Kur diskutojmë se si të përgatisim tekstin për festim të përbashkët për tek Qeveria, kolegët tanë nisen nga moderniteti në të kaluarën, d.m.th. nga shfaqja e tyre për Goce Dellçevin, pa folur për Goce Dellçevin në kohën e tij historike. Kjo është një qasje, që nuk është historike”, ka thënë Angel Dimitrov – historian bullgar.

    Dimitrov tha se një shenjë e mirë do të ishte ndryshimi i përbërjes së historianëve nga pala maqedonase, dhe se nuk ka pritje të mëdha nga takimi i ardhshëm i planifikuar për në fund të shkurtit në Sofje. Progres nuk pret as bashkë-kryetari maqedonas Dragi Gjorgiev. Ai beson se duhet ndryshuar retorika dhe qasja e historianëve bullgarë. Gjorgiev për Alsat tha se për momentin nuk ka njoftim për ndryshim të përbërjes nga pala maqedonase.

    “Ne nuk ikim nga historia e përbashkët, por nuk duhet kuptuar ashtu siç e kupton pala bullgare – se historia nga mesjeta deri në vitin 1945 është e përbashkët. Nëse po, atëherë nuk është aspak histori e përbashkët, por një histori e të njëjtit popull. Një qasje e tillë nuk është shkencore, nuk është historike”, u shpreh Dragi Gjorgiev, Bashkëkryetar i Komisionit të Përbashkët Historik.

    Kryeministri Dimitar Kovaçevski, nga ana tjetër, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, kujtoi se historianët kanë premtuar takime më të shpeshta.

    “Ata punojnë sipas metodologjisë së tyre, janë profesorë historie. “Ata premtuan se do të ketë dinamika të reja në periudhën e ardhshme, për të dalë me zgjidhje, që do të mund t’i prezantojnë publikut”, pohoi Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

    Ndërkohë, në proces është vetëm emërimi i historianit nga Maqedonia në vend të Vanço Gjorgiev, i cili u largua nga Komisioni. Një nga temat e hidhura në të cilën historianët janë bllokuar është çështja e Goce Dellçevit, 150-vjetorin e të cilit Ministria e Jashtme e Maqedonisë dhe ajo e Bullgarisë do ta festojnë së bashku të premten në Shkup./Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Çfarë punoi Arsovska gjatë 82 ditëve të para të mandatit?!

    Lajmi i rradhës

    A përfitojnë qytetarët nga mbledhja e taksave komunale?!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë