FE vs VLEN | Akuza se kush “ha e pi” me VMRO-në

    Arbër Ademi e Kreshnik Bekteshi nga Fronti Europian dhe Azir Aliun e Arben Fetain nga koalicioni VLEN përballën qëndrimet e tyre për kandidaturat presidenciale si dhe për punët që janë bërë ose jo deri më tani. Në këtë format të ri 2 me 2 të Debateve Zgjedhore në TV21, Ademi kritikoi idenë e kandidatit për President Arben Taravari për “kushtetutë qytetare”, duke e quajtur mjaft problematik, gjersa Arben Fetai nga koalicioni VLEN i rikujtoi se kjo ide ekziston që kur është firmosur Marrëveshja e Ohrit.

    “Marrëveshja e Ohrit dhe gjithë ajo që parashihet në marrëveshjen e Ohrit, e ka zhbërë situatën paraprake. Koncepti qytetar promovohet edhe nga qarqe nacionaliste tek pala maqedonase”, tha Arbër Ademi nga Fronti Europian.

    “Nëse nuk e keni këtë informacion, në fillim për negociatat për marrëveshjen e Ohrit, në tavolinë ka qenë një draft për kushtetutë qytetare, e jo kushtetutë e një shteti maqedonas siç e kemi tani”, theksoi Arben Fetai nga koalicioni VLEN.

    Sa i përket platformës së kandidatit për president nga Fronti Europian, Bujar Osmanit, atë Azir Aliu nga VLEN e quajti “listë dëshirash”

    “Po, e kam lexuar, jo vetëm programin presidencial por edhe atë parlamentar, tre të fundit madje i analizova mirë dhe pash që është listë dëshirash. Nuk shoh brenda tij diçka që mund të sjellë ndryshim”, deklaroi Azir Aliu nga koalicioni VLEN.

    “Kjo e tregon joseriozitetin e kandidaturës së z.Taravarit dhe atë që tha ai që nga dita kur e shpalli kandidaturën, për shkak se edhe z.Azir Aliu, e besoj edhe z.Taravari duhet ta dinë që programi për president duhet të dallojë nga programet qeveritare”, tha Kreshnik Bekteshi nga Fronti Europian.

    Më pas të ftuarit u lëshuan në debat se kush është më i afërt me VMRO-DPMNE-në, partinë e cila nuk pajtohet me ndryshimet kushtetuese. Ademi tha se VLEN është i sinkronizuar plotësisht me atë që proklamon DPMNE në opinion për kornizën negociuese dhe heqjen e balancuesit. Kjo u kundërshtua nga oponentët e tij politik, të cilët e quajtën gënjeshtër.

    “Eksponentë të opozitës, përfshirë edhe kandidatin për president z.Taravari, e ka të njëjtin qëndrim sa i përket kornizës negociuese. Këtu në këtë studio ka thënë se do të duhet të flasim me disa këshilltarë në Bruksel për ndryshim të kornizës negocieuse”, tha tha Arbër Ademi nga Fronti Europian.

    “Duke mos ditur se çfarë të bëjnë dhe duke mos pasur program, dy fjali i dëgjon nga këta. E dëgjojmë për VMRO-në, që këta ditën flasin për VMRO-në e natën rrinë me VMRO-në, edhe atë e bëjnë intesivisht kohët e fundit. Kemi fakte që kanë rrinë, hanë dhe pinë me VMRO-në gjithë kohës”, shtoi Azir Aliu nga VLEN.

    Në debat u përmend edhe krijimi i dy fronteve politike, për të cilat Aliu nga VLEN tha se u krijuan nga BDI nga frika e humbjes, duke e quajtur madje Frontin Europian si Front Laraman. Bekteshi iu kundërpërgjigj duke ia rikujtuar fjalët e Izet Mexhitit, që tani është në VLEN, të cilin e citoi të ketë thënë se për çështjet e kombit askush nuk mund të matet me Ali Ahmetin.

    Lajmi Paraprak

    Haxhi për qytetarët e RMV këtë vit do të kushtojë 6.650 euro

    Lajmi i rradhës

    Taravari premton se do t’i fal të dënuarit e rasteve që konsiderohen si montime politike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë